Ulja e temperaturave dhe rikthimi i reshjeve të shiut kanë bërë akoma më emergjente situatën e krijuar nga përmbytjet në zonën e Shkodrës.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka u ndal ditën e enjte në Anënn e Malit dhe në Dajç, dy zonat më të prekura nga përmbytjet, ku tha se përparësi e Forcave të Armatosura mbetet zhvendosja e banorëve dhe të gjesë së gjallë. Ministrja tha se janë mbi 550 efektivë të FA dhe disa mjete në shërbim 24 orë për këtë.
“Në 10 ditë janë evakuuar mbi 2500 krerë bagëti. Ndërkohë që kanë mbërritur 90 ton koncentrat. Pritet të mbërrijnë 300 ton koncetratë për bagëtinë”, tha Xhaçka.
Ministrja e Mbrojtjes kërkoi nga çdo strukturë shtetërore që të mbajë përgjegjësinë e vet, ndërsa banorëve në Anë të Malit u premtoi punën për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë.
“Bashkë me ju do të punojmë për kapërcimin e situatës aktuale dhe për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë”, u shpreh ajo.
Ministrja shoqërohej nga prefekti Çesk Millja, drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi dhe deputeti i zonës Luan Harusha.