Loading...

Përmbytjet në Shkodër, qeveria jep 200 mln lekë për gjënë e gjallë

Një fond prej 200 milion lekësh të vjetra është vendosur nga qeveria, të shpenzohen për të blerë bazë ushqimore për gjënë e gjallë në zonat e përmbytura në Shkodër. Vendimi është marrë në mbledhjen e së mërkurës së javës së shkuar, por është publikuar në Faqen e Kryeministrisë këtë të hënë. Në vendim shpjegohet se fondi prej 200 milion lekësh, do të merret nga programi se: ”Zhvillimi rural duke mbështetur prodhimin bujqësor e blegtoral, agroindustrinë dhe marketingun”, i Ministrisë së Bujqësisë.

Vendimi

VENDIM PËR RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2018, NDËRMJET MINISTRISË SË BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL DHE MINISTRISË SË MBROJTJES, PËR SIGURIMIN E BAZËS USHQIMORE PËR BLEGTORINË NË ZONAT E PËRMBYTURA NË SHKODËR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 18, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

  1. Në buxhetin e miratuar për vitin 2018 bëhet rishpërndarja e fondeve, si më poshtë vijon:

a) Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në programin buxhetor 04250 “Zhvillimi rural duke mbështetur prodhimin bujqësor e blegtoral, agroindustrinë dhe marketingun”, artikulli 606, “Transfertë në buxhetet familjare”), zëri “Shpenzime korente”, i pakësohet fondi prej 20 000 000 (njëzet milionë) lekësh.
b) Ministrisë së Mbrojtjes, në programin buxhetor 02150 “Mbështetja e luftimit”, i shtohet fondi i përmendur në shkronjën “a”, të kësaj pike, për t’u përdorur për sigurimin e bazës ushqimore për blegtorinë në zonat e përmbytura në Shkodër.

  1. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com