Kristian Panuçi duket se ka filluar të qartësojë idetë e tij lidhur me formacionin që do të përdorë në ndeshjen me Norvegjinë. Në seancën stërvitore të kësaj të enjteje, trajneri dha jo pak indikacione sa u përket titullarëve në ndeshjen e së hënës, ku pritet të ketë disa befasi në rreshtimin nga minuta e parë.
Panuçi do të luajë me skemën 4-3-3, ku risia do të nisë që nga porta, teksa Etrit Berisha ka vazhduar të shfaqë probleme fizike dhe në një ndeshje përgatitore të organizuar nga trajneri, nuk ishte i pranishëm në asnjë prej ekipeve. Panuçi provoi te ndeshja e kontrollit dy skuadra, të parën me rreshtimin 4-3-3 dhe të dytën, që mund të konsiderohet si skuadra e rezervave, me rreshtimin 4-2-3-1.
Në portë duhet ta nisë nga minuta e parë Tomas Strakosha, ndërkohë që në mbrojtje nuk ka risi, me Hysajn në të djathtë, Lenjanin në të majtë e Mavrajn e Gjimshitin në qendër. Në mesfushë bie në sy eksperimentimi me Ramadanin në qendër, ndërsa reparti plotësohet nga Xhaka dhe Qaka, me këtë të fundit që do të ketë për herë të parë një fanellë titullari.
Këtyre 3 lojtarëve trajneri u kushtoi jo pak vëmendje, duke hyrë dhe në fushë dhe dhënë indikacione. Ndërkohë në skuadrën e parë me rreshtimin 4-3-3, trajneri hodhi në sulm Grezdën, Balajn në qendër dhe Roshin në krahun tjetër dhe ky pritet të jetë dhe maja e sulmit për ndeshjen e së hënës.
Këto ditë duket se kanë bindur trajnerin që të ndryshojë emrat dhe sa i përket sulmit, duke preferuar Balajn përpara Sadikut, që në ndeshjen stërvitore luajti me ekipin tjetër. Gjithsesi, Sadiku tregoi se nuk do të heqë dorë lehtë nga një fanellë titullari, teksa arriti të shënojë dhe një gol për skuadrën e rezervave, ndërsa një tjetër iu anulua nga stafi për pozicion jashtë loje.