E heshtur dhe në një gjendje të rënduar mendore, Marjana Çmeta, nusja 21-vjeçare që vrau vjehrrën, u paraqit paraditen e së premtes në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg”. Bashkë me të, masën “arrest me burg” gjykata vendosi edhe për hoxhën Hysen Shehu, ku Marjana u rrëfye, Agim Lamin, ish-vjehrrin e saj dhe Arben Saliun, nipin e tij, me akuzën për moskallëzim krimi.
Vetë 21-vjeçarja nuk ka pranuar të flasë në sallën e gjyqit për atë çka ndodhi atë ditë dhe për krimin e kryer më 30 prill të 2017. Ndërsa hoxha Hysen Shehu, ka theksuar përpara trupit gjykues se për krimin ka vënë në dijeni menjëherë ish-bashkëshortin e saj, Oltionin. Më tej, hoxha është shprehur se atij nuk i lejohet të denoncojë rrëfimet për shkak se ia ndalon besimi. Hysen Shehu e ka marrë regjistrimin në ambient zyre dhe jo në xhami. Ndërkohë që Marjana Çmeta e ka rrëfyer krimin ndaj vjehrrës 6 ditë pas ngjarjes, duke mos e ditur se hoxha po e regjistronte dhe po e filmonte të gjithë rrëfimin e saj për krimin në familjen Lami.
Seanca
Marjana Çmeta, 21-vjeçarja e akuzuar për vrasjen e vjehrrës së saj, Lirie Lami, në 30 prill të vitit 2017, do të hetohet në masën e sigurisë “arrest në burg”. E njëjta masë sigurie u caktua nga Krimet e Rënda paraditen e së premtes edhe për Hysen Shehun, hoxhën, ku nusja e re rrëfeu krimin, që fillimisht u konsiderua si vdekje natyrale, si edhe për bashkëshortin e viktimës, Agim Lami dhe Arben Saliun. Hoxha dhe dy të tjerët u lanë në qeli për akuzën e “moskallëzimit të krimit”. Burime brenda seancës të zhvilluar me dyer të mbyllura për mediat konfirmuan se 21-vjeçarja Çmeta është shfaqur në gjendje të rënduar mendore. Ajo nuk ka dhënë asnjë shpjegim.
Avokati i saj, Aleksandër Roskopi, ka kërkuar një masë më të butë, duke iu referuar faktit se 21-vjeçarja është nënë e një fëmijë disa muajsh dhe ndalimit ligjor për të lënë në “arrest në burg” nënat më fëmijë nën moshën 3-vjeç. Pretendimi nuk është marrë parasysh nga gjyqtari Ardit Mustafai. Vrasja e Lirie Lamit nga nusja e djalit të saj u zbulua një vit pas ngjarjes, pas një kallëzimit të të birit të viktimës. Ai u drejtua në Prokurorinë për Krimet e Rënda pasi u njoh me një video prej 72 minutash të bërë në zyrën e hoxhës Hysen Shehu.
Në këtë video që tashmë është administruar si provë, 21-vjeçarja rrëfente si kishte helmuar me fostokinë vjehrrën dhe më tej e kishte mbytur me duar.
Hoxha
Hysen Shehu, hoxha ku 21-vjeçarja u rrëfye për krimin e rëndë, ka pretenduar se nuk e lejonte feja ta denonconte, ndërsa e quante të kryer detyrën e tij përsa kohë kishte njoftuar bashkëshortin e viktimës. Pas krimit, nusja ka shkuar të rrëfehet te hoxha duke i kërkuar atij që Allahu ta falë për mëkatin. Ky i fundit e ka regjistruar me video rrëfimin dhe ia ka raportuar bashkëshortit të viktimës, Agim Lami. “Nuk kam pasur gjë për të kallëzur. Ajo më tregoi për shkak të funksionit tim si hoxhë. Unë i vura në dijeni familjarët e viktimës. Të kisha pasur ndonjë qëllim e kisha fshirë regjistrimin video”, mësohet të jetë shprehur Hoxha.