Loading...

Një zbulim i rrallë në një fshat të Vlorës, ku kanë dalë në dritë krejt rastësisht dy relieve në gurë, 2000 vjeçare.

Ky zbulim në fshatin Tragjas të rrethit të Vlorës, ka tërhequr vëmendjen e specialistëve të muzeut të këtij qyteti, si nga vlera historike e arkeologjike, ashtu edhe nga vlera artistike e tyre. Ai që i ka zbuluar është një bujk i cili po punonte tokën e tij me një traktor të vogël. Pasi i ka parë ai i ka marrë dhe i ka çuar në shtëpinë e tij relievet dhe tashmë i mban me fanatizëm si një thesar të vyer. Vlera e veçantë e këtyre objekteve na nxiti për të shkruar, e për të gjetur kësisoj një mënyrë për tërheqjen e tyre pranë institucioneve të specializuara pa anashkaluar të drejtat që ka poseduesi i tyre.

Një orakull që flijohet

Relievi i parë i ka dimensionet 50X90 dhe është gdhendur në gur të bardhë, të ngjashme me formacionet gëlqerore të territorit përreth. Përmbajtja e relievit është shumë interesante dhe shpjegon historinë e këtij fshati, dhe ndoshta edhe origjinën e vërtetë të tij.

Figura qendrore e këtij relievi është një orakull në çast flijimi, i cili mban në dorë kokën e një cjapi. Ai është i ulur dhe përpara tij vihet re fare mirë altari në formë cilindri, rreth të cilit përdridhet një degë hardhie. Relievi ka edhe dy figura të tjera anësore, të veshur me kiton, që marrin pjesë në procesionin fetar.

Para disa vjetësh kur na u kërkua një element për fshatin Tragjas, duke u nisur nga zhvillimi fonetik i toponimit Tragjas, Tragos, Tragjedi, Trageste, rekomanduam figurën e një cjapi. Kur pamë relievin 2000 vjet më të vjetër se emblema u befasuam. Ishte një rastësi apo supozimet tona kishin qenë të sakta? Për këtë vajtëm në vend. Vendgjetja kishte një peisazh shumë të bukur pranë një burimi dhe vendi ishte i mbuluar me pemë. Pas një vëzhgimi zbuluam një mur rrethues me llaç dhe mbeturinat e një ndërtese ndoshta të tempullit. Në lashtësi cjapit i thoshin Tragos, dhe zakonisht ai bëhej kurban në fillim të pranverës gjatë Dionisaleve. Siç dihet, nga kjo festë e përvitshme lindi tragjedia. Tragjasi, natyrisht, nuk mund të krahasohet me qendrat pagane, si Hynfeu i përmendur nga autorët e lashtë ose Dodona e famshme, por si qendër lokale mund të identifikohet dhe vlerësohet. Kur thuhet se Tragjedia lindi te grekët e lashtë, pse mos të themi se ajo është luajtur edhe në Tragjasin tonë të vogël. Pranë këtij fshati në Orikum ndodhet një teatër, jo më shumë se 5 km larg. Studime të mëtejshme, ndoshta do të vërtetojnë plotësisht këtë. Relievi ka edhe vlera artistike. Figurat përgjithësisht kanë pamje realiste dhe zgjidhje monumentale.

Dy kalorës romakë

Relievi i dytë ka dimensione 70 me 52, gdhendur në gur të butë të Karaburunit. Ajo është një stelë e pajisur dhe me një mbishkrim ku dallohet me vështirësi teksti Dimenion. Mendojmë se ky reliev paraqet vlera të jashtëzakonshme për mënyrën e armatimit të ushtrisë në periudhën romake. Në planin ballor janë vendosur dy kalorës, kurse në sfond dy shigjetarë bashkë me mburojat e tyre. Edhe këtu figurat dhe pamjet e torsteve janë të qarta, por kokat e luftëtarëve janë krejt të dëmtuara. Dëmtimi duhet të ketë ndodhur në kohën e ardhjes së fiseve barbare, ku ka patur mjaft shembuj të shkatërrimit të relieve të antikitetit dhe vjedhje masive të varreve.

Të dyja veprat e artit ngjajnë në teknikën e tyre dhe i përkasin shekullit të parë para erës së re, në bazë të krahasimit me vepra të tjera. Një reliev romak që ndodhet në Paris ka një ngjashmëri të madhe me të gjithë elementët etnografikë dhe artistikë me relievet e Tragjasit. Ndaj ne e konsiderojmë këtë gjetje një zbulim me rëndësi që duhet të tërheqë vëmendjen për studimin dhe ekspozimin e tyre. Zbulimi mund të jetë edhe një nisje për gërmimin e tempullit që mund të përfaqësojë një monument të ri për vendin tonë.

Një zbulim i ngjashëm para 98 vitesh

Në vitin 1906, kur në fshatin Vrap të Tiranës u zbulua nga një bujk një thesar me enë floriri, ngjarja kaloi në heshtje. Bujku që nuk ia dinte vlerën asaj që kishte gjetur, e shiti te një bej për disa mezhite. Do të kalonin vite dhe ky thesar do të bëhej i përmendur, e ankand pas ankandi do të përfundonte në Muzeun e Nju Jorkut me vlerë miliona dollarë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com