Në 2017, prokuroria ka shqyrtuar afro 1 mijë dosje hetimore që kanë të bëjnë me abuzimet me pronat. 915 çeshtje pronësie që lidhen me falsifikimin e dokumenteve, shpërdorimin e detyrës, vetëgjyqësinë dhe vepra të tjera penale që u përkasin abuzimeve me pronat.
Nën hetim janë vendosur vetëm 15 zyrtarë kryesisht të hipotekës dhe pushtetit vendor vetëm në dy rrethe në Kavajë me tokat në Spille dhe një rast në Krujë ku është akzuar ish-kryetari i bashkisë.
Edhe pse Vlora është qarku që përbën thuajse gjysmën e dosjeve me abuzimet e pronave, në këtë qark nuk rezulton asnjë zyrtar i lartë i ndaluar edhe pse nuk përjashtohet mundësia që ndonjë prej tyre mund të jetë nën hetim. E kundërta ndodh në Tiranë, ku nuk ka asnjë dosje abuzimi me pronat.
Vetëm në Vlorë rezulton të jenë 403 referim-kallëzime me 243 dosje të regjistruara për të nisur hetimet. I renditur si qyteti i dytë me më shumë raste abuzimesh me pronat Gjirokastra numëron 338 procedime penale, me 71 të pandehur. Në Berat janë 52 referim-kallëzime ndërsa në Durrës 37 kallëzime penale, ku në 30 raste nuk kanë nisur ende hetimet.
Kruja është rast specifik, pasi nga 40 kallëzime penale, 2 prej tyre janë çështje të mbartura nga vitet 2015-2016. Një prej tyre ishte rasti i kryebashkiakut Shkëlzen Hoxha dhe 3 ish-zyrtarëve të bashkisë, që u akuzuan për “falsifikimit dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”, pasi sipas prokurorisë abuzuan me një fond emergjence. Edhe ish-kreu i Hipotekës në Krujë, në vitin 2016 është proceduar penalisht për “shpërdorim detyre”.
Pas Krujës renditet Dibra me vetëm 14 çështje penale, ku rastet e vetëgjyqësisë për të marrë pronën janë gjysma e çështjeve. Së fundmi, në Kurbin u regjistruan 17 raste. Në Korçë ka vetëm 3 çështje pronash, kurse në Tropojë 11 të tilla.