Pë nga 1 prilli qytetarët do të kenë një taksë të re bashkë me faturën e dritave.
Bëhet fjalë për taksën e pronës, e cila që nga muaji i ardhshëm do të mblidhet bashkë me faturën e dritave.
Kjo gjë u deklarua ditën e sotme, nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj teksa ishte i pranishëm në komisionin e Ekonomisë.
Ai deklaroi se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike vlerësohet për momentin si kompania më e përshtatshme për mbledhjen e taksës së pronës.
“Impakti në buxhetet familjare do të jetë minimal për këtë taksë. Njësitë e pushtetit vendor kanë mundësinë që të reduktojnë deri në 30 % të taksës, e kjo mund të ulë dhe më tej ndikimin në buxhetet familjare”, u shpreh ministri.
Mirëpo bëhet me dije se nga kjo taksë do të përjashtohen kategoritë e personave në nevojë dhe më konkretisht kryefamiljarët pensionistë në qytet apo fshat, kur jetojnë vetëm.
Edhe ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike do të përjashtohen nga taksa.
Nga kjo taksë do të përjashtohen edhe hotelet dhe resortet me 4 apo 5 yje, të cilët janë të klasifikuar me vendim qeverie me status special.