Ai është orvatur rreth orës dy pas mesnate të çajë rrethimin dhe të largohet, kur agjentët e policisë vendosën të ndëryjnë në shtëpinë e Elton Halipajt. Bëhet fjalë për Efthymios Efthimiou, ish-speciali grek i arrestuar si i dyshuari kryesor për ekzekutimin e Devi Kasmit.
Halipaj nuk është kapur brenda banesën së tij, pasi qëndronte jashtë saj duke bërë shërbim roje brenda një makinë të tipit Benz me targë AA 622 KI, ku qëndronte së bashku me Malvin Dinellarin, dhe ky i arrestuar.
Sipas dosjes së prokurorisë të cilën “Shqiptarja.com” e disponon, policia e Tiranës kishte rënë në gjurmët e ekzekutorit të Devi Kasmit, duke gjurmuar fijet e shitjes së një furgoni tip “Benz Vito”, targat e të cilit ishin fiksuar nga një kamera në vendin e krimit, ku duket që Efthymios Efthimiou, braktis motorin tek një person tjetër, dhe largohen nga zona pikërisht me këtë furgon.
Policia kishte rënë në gjurmët e blerësit të këtij furgoni, i cili ka qënë Elton Halipaj, dhe se prej gati 48 orë ky shtetas dhe banesa e tij është mbajtur në vëzhgim të plotë. Me rënien e natës, rreth orës 02:00 policia ka vendosur të ndërhyjë duke kapur fillimisht brenda në makinë teksa bënin roje shtetasit Elton Halipaj dhe Malvin Dinellarin. Por teksa ata janë ndaluar nga policia, prezencën e kësaj të fundit e ka konstatuar dhe greku Efthymios Efthimiou, i cili ka tentuar të largohet nga banesa, duke shpresuar se do çante rrethimin policor. Por pas disa të shtëna me ajër nga policia, greku nuk bëri asnjë rezistencë.
Ndërkohë nga këqyrja e aparateve telefonikë celularë të personave në hetim Elton Halipaj dhe Malvin Dinellari, rezulton se të dy këta persona kanë komunikuar dhe kanë në listën e numrave të rezervuar në telefonat e tyre, të njëjtin numër telefoni 0699467XXX, ku personi nën hetim Elton Halipaj e ka shënuar me emrin “Thimi Gr”, dhe në seancë në apel deklaroi se i përket personit nën hetim Efthymious Efthymiou, ndërsa Malvin Dinellari e ka të regjistruar në telefon po këtë numër, me emrin “Filos”.