Me ardhjen e pranverës, shtohet prodhimi i lëndëve narkotike dhe për këtë në Tiranë ka zbritur një delegacion i Policisë italiane. Shqipëria e cilësuar si Kolumbia e Europës, e për më tepër që tonelatat me kanabis kanë “trullosur” bregdetin italian, që në vendin të vijë policia kriminale dhe Guardia di Finanza.
Projekti “SANCAS” dhe Qendrës së Ekselencës “BENECON”, vjen në kuadër të mbështetjes për Policinë shqiptare, për monitorimin ajror të territorit, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Në mbledhjen e përbashkët, Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu theksoi se policia është e angazhuar që këtë vit ky fenomen të mos ekzistojë më. Ai nënvizoi se puna për parandalimin e këtij fenomeni ka më shumë se dy muaj që ka filluar. “Në eksperiencën e fituar në kontrollin e territorit dhe luftës ndaj kultivuesve dhe trafikuesve të kanabisit, gjatë vitit 2017; Në një analizë të plotë për të gjithë periudhën paraardhëse, mënyrat e kultivimit, rrugët e trafikimit të kanabisit dhe duke bashkëpunuar do të arrijmë në hartimin e një strategjie efikase policore por jo vetëm, si dhe në rritjen e orëve të fluturimeve për këtë vit, ku është llogaritur të jenë 30% më shumë se në vitin 2017”.
Duke shpjeguar masat e marra, Veliu shtoi se strategjia antikanabis funksionon vetëm atëherë kur krijohet një frymë bashkëpunimi dhe marrje përgjegjësish nga të gjithë aktorët dhe institucionet përgjegjëse. “Policia e Shtetit, në këtë vit që ne po flasim, hartoi një plan të detajuar për kontrollin e territorit, “Mbi masat që duhen marrë, për evidentimin dhe goditjen e fenomenit të sigurimit të farave, kultivimit të fidanëve dhe bimëve narkotike kanabis, në sera diellore, tunele të braktisura, ish-rezerva shtetërore dhe çdo ambient tjetër të mundshëm, për përdorim nga grupet kriminale”.
Drejtori i Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane, Gjeneral Brigate CC Paolo D’Ambolo, theksoi se ky projekt pritet të jape rezultate pozitive. “Përsa i përket rezultateve, siç e thamë ato ishin rezultate të shkëlqyera përsa i përket vitit 2017, në fushatën e vjetshme mori pjesë Guardia di Finanza me avionët e saj dhe e mbështetur nga teknologjia e Qendrës së Ekselencës “Benecon”. Ky projekt është i ndryshëm përsa i përket financimit të fushatave të kryera më përpara, për vetë faktin se financohet një pjesë nga Bashkimi Europian. BE-ja i ka dhënë përgjegjësinë e drejtimit të këtij projekti palës italiane, Departamentit për Sigurinë Publike dhe Shërbimit Ndërkombëtar të Policisë italiane”.
Komandanti i Repartit të Tretë të Guardia di Finanza, Gjeneral Brigade Giuseppe Arbore, ka falënderuar Veliun për këtë takim dhe i ka përcjellë atij përshëndetjet e Komandantit të Përgjithshëm të Guardia di Finanza-s, Gjeneral Giorgio Toschi. Arbore u shpreh se Gjeneral Toschi, do të vijë në muajt e ardhshëm për një vizitë në Shqipëri. “Jemi të bindur se informacionet tuaja janë të rëndësishme përsa i përket fluturimeve. Në fund të këtij projekti do të celebrojmë rezultate pozitive”, tha Arbore.