Plot 155 të punësuar në mënyrë të paligjshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Provës do të lëshojnë karriget.
Nga raporti i Departamentit të Administratës Publike është konstatuar se në periudhën janar 2014-gusht 2017 figurojnë të paguar si nëpunës 92 punonjës në kundërshtim me ligjin. Shërbimi i Provës ka nisur menjëherë procedurën e dëgjesave për 63 punonjës të emëruar në mënyrë të paligjshme, të cilët janë njohur me përfundimet e raportit, shkaqet ligjore të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, si dhe janë dëgjuar për pretendimet që ata kanë.
Pjesa tjetër prej 29 punonjësish të emëruar me këtë formë janë larguar më parë, për arsye të ndryshme.
Njoftimi i plotë i DAP:
Në kuadër të verifikimit ligjor të dokumentacionit lidhur me rekrutimin dhe detyrimet kontraktuale të personelit, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës (DPSHP) në muajin shtator 2017 ka kërkuar me anë të një shkrese zyrtare kryerjen e një auditi nga ana e Departamentit të Administratës Publike.
Në bazë të ligjit “Për Nëpunësin Civil”, DAP është njësia përgjegjëse për Shërbimin Civil në organet shtetërore. DPSHP kanë organikë 148 punonjës dhe aktualisht drejtohet nga z. Ëngjëll Hysi i emëruar në këtë detyrë nga ish-ministri i Drejtësisë, z. Gazmend Bardhi.
Në raportin përfundimtar të DAP, është konstatuar se në periudhën janar 2014-gusht 2017, kohë në të cilën institucioni drejtohej nga z. Ilir Qafa, figurojnë të paguar si nëpunës të Shërbimit Civil 92 punonjës, të cilët nuk janë rekrutuar sipas procedurave të konkurrimit të organizuara nga DAP.
Në rekomandimet e bëra nga DAP është kërkuar:
- Shpalljen të pavlefshme të aktit të emërimit, apo komandimit të këtyre punonjësve, të emëruar në kundërshtim me ligjin.
Ndërprerje e menjëhershme të marrëdhënieve të punës për punonjësit që vazhdojnë të jenë në detyrë të emëruar në kundërshtim me ligjin.
Vendet vakante, të plotësohen sipas ligjit “Për nëpunësin civil”.
Në zbatim të rekomandimeve të DAP, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës ka filluar procedurën e dëgjesave, për 63 punonjës të emëruar në mënyrë të paligjshme, të cilët janë njohur me përfundimet e raportit, shkaqet ligjore të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, si dhe janë dëgjuar për pretendimet që ata kanë. Pjesa tjetër prej 29 punonjësish të emëruar me këtë formë janë larguar më parë, për arsye të ndryshme.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës po merr të gjitha masat për të rivendosur ligjshmërinë në ushtrimin e funksionit të këtij institucioni duke respektuar gjithashtu të drejtat e punonjësve të punësuar në kushtet e shkeljes së ligjit mbi nëpunësin civil.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës siguron punonjësit dhe publikun se në asnjë rast nuk ka ushtruar asnjë lloj presion ndaj punonjësve për dhënie dorëheqje, e drejtë kjo që ushtrohet me vullnetin e vet punonjësit. Për më tepër që DPSHP ka filluar tashmë procedurat ligjore të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës dhe nuk ka më vend për të kërkuar dorëheqje.