-Kryeministri Rama shikonte dje në sallën e parlamentit kur fliste ministri Majko dhe thoshte se “Ç’mu desh mua që e bëra ministër…!”.
-Ministri për Diasporën del kundër linjës zyrtare të partisë: “Po e teprojmë me akuzat ndaj Bashës. Për marrëdhëniet me Kremlinin na pyesni ne të PS, i njohim më mirë”.
Prej 10 ditësh Partia Socialiste ka ngritur një kauzë publike, ndër më të mëdhatë e viteve të fundit, për financimin e Partisë Demokratike nga Rusia. Gjithë drejtuesit e PS-së po sulmojnë Lulzim Bashën për disa kontrata lobimi, sipas mediave amerikane, janë paguar nga qytetarë të dyshimtë rusë. Kryeministri Edi Rama ka lënë problemet e qeverisjes dhe po merret personalisht me denoncimin e rrezikut që i kanoset vendit nga financat që vijnë nga një shtet që cilësohet jo partner strategjik i Shqipërisë. Seria e akuzave të PS e ka vendosur në pozitë të vështirë PD-në dhe Lulzim Bashën, që realisht veç debatit nëse ishin apo jo kompani ruse ato që paguan, nuk justifikon dot paratë e harxhuara në SHBA. Aq me tepër se nuk janë deklaruar në KQZ. Por taktika e kryeministrit Rama deri dje ishte përfekte në sulmin ndaj Lulzim Bashës.
Në këtë klimë sulmi që synon të eliminojë politikisht Bashën dhe PD, duke i nxjerrë si parti anti-europiane, ministri socialist për Diasporën, dikur kryeministër i PS-së, deputeti Pandeli Majko ka përmbysur dje gjithçka. Pra me një fjalim të pamatur politikish ai rrëzoi kauzën e Edi Ramës ndaj Lulzim Bashës për financimin rus. Me fjalimin e mbajtur dje në Parlament ish-kryeministri ka hedhur në herë gjithë kauzën e ngritur nga Edi Rama dhe gjithë partia e tij. Pak minuta pasi Edi Rama, Taulant Balla dhe deputetë të tjerë të PS akuzuan edhe një herë Bashën në Kuvend për financime nga vende jo dashamirëse, Majko u rrëzoi skenarin.
E bëri pa dashje. Eshtë i çiltër, dreqi!
Së pari, me sinqeritetin politik që e karakterizon, Pandeli Majko tha se lidhjet më të forta janë të PS-së me Rusinë. “Edhe ne ndonjëherë e teprojmë me këtë punën e ndihmave ruse apo sponsorizimit rus për Partinë Demokratike, të jemi të sinqertë. Nuk jam dakord me kolegun Balla në disa drejtime. Ne si partia jonë nga viti 1949 deri në 1961 e kemi pasur… partia e vjetër është fjala, patëm një afeksion, por e pati afeksionin për ideologji, jo për para. Me thënë të drejtën na duket shumë interesant ky eksperimenti që merrni para nga rusët për të bërë lobizëm në Amerikë, shumë interesante është”,- tha Pandali Majko. Dhe shtoi si pa të keq se nëse është fjala për Rusinë, PS-ja kuptohet më mirë me Rusinë.
Në këtë mënyrë, ministri i Ramës ka shënuar autogolin e parë në portën e PS. Në mënyrë direkte ai thotë se akuzat e partisë së tij kundër Bashës janë të tepruara. Me këto fjalë ministri Majko ka nxjerrë bllof gjithë kolegët e tij në parti që e kishin marrë seriozisht punën e armikut të jashtëm dhe kundër sigurisë kombëtare të Lulzim Bashës. Nëse vëreje me kujdes kur fliste ministri Majko të gjithë deputetët e PD-së qeshnin dhe duartrokisnin Majkon, kurse kamera kapte fytyrën e mërzitur të kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Majko tha një të vërtetë të sikletshme për historinë e së majtës dhe bashkëpunimin e saj me komunistët rusë. Kjo është një histori që PS është munduar ta riparojë gjatë viteve duke u distancuar nga komunizmi. Edhe vetë Rilindja e ideuar nga Rama synonte një shkëputje totale të Partisë Socialiste, si pasardhëse e komunistëve. Por Majko, si socialist i vjetër, nuk e ka ketë kompleks dhe kur flet për PS nënkupton se është pasardhëse direkte e komunizmit. Foli sinqerisht ministri, por golin ua vuri te pika e penalltisë PD-së që t’ia gjuajën portës së PS-së.
Dëmi më i madh që ministri i Edi Ramës i bëri kauzës së PS këto ditë është shprehja se Lulzim Basha dhe PD duhet të konsultohet me PS dhe njerëzit e saj për lidhjet me Rusinë. “Kur vjen puna te rusët duhet të konsultoheni me ne, se ne kemi eksperiencë në këtë punë. Ne e mbyllëm këtë punë në 60’ dhe bëmë edhe një film “Ballë për Ballë, por ju do e mbyllni me ndonjë këngë të tipit “Lule ti e lule unë, dil këtej se kam pak punë”,- tha Majko.
Këto deklarata u morën me humor në sallën e Kuvendit, por efektin e asaj që tha Majko më shumë se të gjithë po e ndjente Taulant Balla, kur kolegu i tij me një fjali ia rrëzoi gjithë deklaratat e ditëve të fundit.
Fjalimi i ministrit Majko duhet t’i ketë sjellë thartirë kryeministrit Rama. Mjafton të shikoje kryeministrin Rama se si shikonte Pandeli Majkon, duke menduar e thënë me vete: Ç’mu desh mua që e bëra ministër!