Edi Rama njihet se ka një aftësi kamuflazhi dhe intrige në prapaskena politike, sa jo vetëm palosi Lulzim Bashën si një “sardele” duke e rrotulluar siç deshi vjet në maj, por fut në kurthin e ditës edhe ish-kryeministrin Berisha. Me presidentin Meta, për momentin, rri në distancë, herë duke e lëmuar, dhe disa herë duke i ngrënë “copa mishi” nga ish-partia e tij.
Edi Rama mori zgjedhjet, në mënyrat që tashmë dihen. Ka plot 74 deputetë puro rilindas-socialistë, mban edhe 4 vota “çamesh” e “socialdemokrat”; mori prokururorinë si institucion i pavarur, po gllabëron gjykatat me “komisione vettingu”, mediat i miklon me leje ndërtimi e pazare lekësh dhe i censuron me autocensurë, biznesmenët i shkojnë vetë pas dere. Edhe kur nuk don, ata vetë si biznesmenë të “qerasin”.
Ekonomia është copë-copë, taksat në rritje për ata që paguajnë. Mirëqënia në rënie, papunësia rritet në mënyrë gjeometrike, pensionet shtohen me një kafe në vit (!), dhe çuditërisht sondazhet e nxjerrin si njeriun më pozitiv!
Sa lekë paska qeveria, aqsa edhe sondazhet e “pavarura” me “albania” në fund e nxjerrin kryeministrin si personi më pozitiv në Shqipëri. Një kompani sondazhesh me financime qeveritare e nxjerr sot online si njeriun pa asnjë negativitet, aqsa mund të jetë një kandidat për çmimin “Nobel” për popullaritet në një vend me papunësi me tepër se gjysma e popullsisë.
Edi Rama e meriton “sondazhin” vetëm nëse në qershor Shqipëria merr statusin e kandidatit për në BE.