Rregulli numër 1: Mos nënvlerësoni veten
Askush nuk ka lindur i ditur, por është eksperienca ajo që të mëson dhe aftëson. Pavarësisht pasigurive që keni, mos i lejoni ato t’ju mposhtin. Në asnjë mënyrë mos hiqni dorë nga një mundësi e re vetëm nga frika se nuk jeni mjaftueshëm të mirë. Silluni gjithë vetëbesim, për t’i thënë kështu shefit dhe vetes suaj se “Po” ju mundeni. Forca, besoni më shumë te potenciali juaj dhe tregojuni të tjerëve se ç’kokë gjeniale jeni.
Rregulli numër 2: Një gjë që e bëni mirë, mos e bëni falas
Thatë gjë “jam e gatshme të punoj dhe pa lekë”? Jo dhe jo! Kjo tregon mungesë profesionalizmi. Shiteni veten tuaj shtrenjtë. Fundja nuk ka pse koha, njohuritë dhe talenti juaj t’jua lënë xhepat bosh.
Rregulli numër 3: Kërkoni ngritje në detyrë
Në momenti që ju arsyetoni se meritoni më shumë para, kjo për shkak të punës që keni perfeksionuar dhe të një page që tanimë s’u përgjigjet kërkesave tuaja është koha të flisni me shefin. Mos kini frikë ta bëni diçka të tillë. Me kokën lart thuajini se për këto këto arsye ju meritoni më shumë para. Është ora të merrni atë që meritoni.
Rregulli numër 4: Mos qëndroni vonë në punë
Disa prej nesh kanë tendencën për të qëndruar më shumë në punë, si një mënyrë kjo për të treguar se ç’punonjës të shkëlqyer janë. Futeni në kokë: askush nuk do t’ju kurorëzojë me një çmim. Kujtohuni se koha është para, mos e shpërdoroni kot. Vetëm në rast se keni një projekt madhor që ia vlen të qëndrosh ca orë më shumë shtesë, atëherë po. Përndryshe nëse ju vetëshfrytëzoheni, për të tjerët aq më mirë.
Rregulli numër 5: Zgjeroni horizontin
Në vend që të mendoni vetëm për detyrat që keni në punë dhe ta ndrydhni mendjen tuaj mes 4 mureve të zyrës mundohuni të jeni koherentë. Shikoni ç’bëhet vërdallë, informohuni, lexoni dhe edukoni veten. Vetëm kështu mund të bëni para.
Rregulli numër 6: Pyeni veten
Mos harroni t’i bëni vetes pyetjen: A jam e kënaqur me këtë që po bëj? Pyeteni veten tani dhe më thoni. Hë, jeni të kënaqura? Nëse jo uluni dhe kuptoni se çfarë dini të bëni dhe se çfarë ju pëlqen. Mendoni pak më gjatë, jo vetëm për 8 orarëshin që punoni. Nuk është jeta juaj vetëm ajo.
Rregulli numër 7: Kujdesuni për veten
E dimë mirë të gjithë se aparenca është një armë e fuqishme. Prezenca që keni diku ju hap shumë dyer. Kujdesuni për veten, fundja për çfarë po punoni? /Anabel/