Ivanov nuk nënshkruan ligjin për gjuhët, Xhaferi: Do shfrytëzoj çdo mënyrë kushtetuese
Edhe pse më 14 mars, ligji për përdorimin e gjuhës shqipe u votua për herë të dytë në parlamentin maqedonas, Presidenti i vendit, Gjorge Ivanov, u shpreh se ai nuk do t’a dekretojë këtë ligj.
Sipas Ivanov, dekretimi i ligjit të gjuhëve është jo kushtetues dhe bie ndesh me ndërgjegjen e tij personale si kryetar shteti.
Por kryeparlamentari shqiptar, Talat Xhaferi, edhe pse nuk jep detaje si do të veprojë, është i vendosur që ky ligj të hyjë në fuqi.
Nuk dihet ende nëse Xhaferi do të zgjedhë variantin e nënshkrimit të ligjit dhe dërgimin e tij në fletoren zyrtare pa firmën e Presidentit.
Xhaferi tha shkurt se formalisht, afati i Presidentit ka skaduar dhe se, që nga sot gjithçka varet nga kompetencat e tij si kryetar ligjvënësi.
Ligji për përdorimin e gjuhëve fillimisht u votua më 11 janar. 6 ditë më pas, Ivanov njoftoi mos dekretimin. Mbi konstatimet e tij, VMRO-DPMNE-ja e ish-kryeministrit Nikolla Gruevskit, parashtroi mbi 35 mijë amendamente, por asnjëri prej tyre nuk u shqyrtua në Kuvend.
Më 14 mars, ligji u votua për herë të dytë me 64 vota pro dhe 24 abstenim. Seanca u shoqërua me tensione, ku vetë Gruevski shkoi në tavolinën e Xhaferit për t’a penguar të drejtonte seancën.