Ylli Manjani, ish-ministër i drejtësisë, në studion e “Opinion” te Blendi Fevziu, tha për kanabizimin e vendit se prokuroria shqiptare e ajo italiane kanë nën hetim penal grupin Habilaj si dhe lidhjet me ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri, ndaj duhet që drejtësia shqiptare t’i jap garanci ish-ministrit të Ramës. Garanci në sensin e statusit të të penduarit, por që të flas për kryeministrin Rama se si e ktheu Shqipërinë në një masivitet të kanabisit. Ylli Manjani shtoi se kultivimi i kanabisit ishte vendim politik i kryeministrit Rama dhe një strategji për ta kthyer vendin në një shtet kryesor për kultivim dhe transportim të drogës drejt Europës. Asgjë nuk mund të jetë bërë, shtoi Manjani, pa lejen e kryeministrit.
Ish-ministri i drejtësisë Manjani insistoi se duhet patjetër që Saimir Tahirit ti krijohet garanci ligjore ku të flasë me emra. Ato grupe kriminale që u morën me kanabisin tani po trafikojnë kokainën, ndaj vetëm Saimir Tahiri i di lidhjet e këtyre grupeve, pohoi Ylli Manjani.
Pas përgjimeve të reja të publikuara në media që implikojnë Habilajt në trafikimin e drogës më shumë detaje për hetimin e tyre ka dhënë gazetari italian Dario de Luca. Ai ka folur duke dhënë disa fakte. De Luca, i cili ka zbuluar përgjigjet e Moisi Habilajt për hetuesit italianë, kur është pyetur për lidhjen e grupit kriminal me ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri tha se po hetohet krejt zinxhiri Habilaj-Tahiri. Sipas tij, Habilaj ka pranuar lidhjen farefisnore me Taihrin, por ka theksuar se është shumë e largët. Gjithashtu ai është pyetur edhe për Audin e famshëm të cilin e kishte blerë nga Saimir Tahiri.
Ndërsa për sa i përket Nazer Seitit të cilësuar si financieri i Habilajve, gazetari tha: Nga Italia ne e dimë se është kryer ekstradimi, por nuk kemi arritur në këtë javë të kuptojmë se kush është avokati i tij. Ajo që dimë është se ai ka vendosur t’i nënshtrohet marrjeve në pyetje. Por Nazer Seiti nuk është përfshirë në dosjen e Habilajve, ku janë vetëm tre shqiptarë. Kjo do të thotë që Nazer Seiti mund të jetë pjesë e një tjetër hetimi. Nëse ky hetim do shkojë në nivel më të lartë, nuk e dimë. Por varet se çfarë do thotë Sebastiano Sardo nga Siçilia që bashkëpunonte me bandën e Habilajve. Ai tha gjithashtu se nuk ka informacione nëse do të përjashtohet nga hetimi Tahiri dhe për këtë arsye nuk mund të përgjigjet për momentin, pasi kjo mbetet sekret i madh hetimor.
Lëvizjet e prokurorëve të krimeve të rënda nga Shqipëria drejt Italisë si dhe ardhja e prokurorëve italianë në Tiranë mendohet se po hetojnë një “peshk të madh” shqiptar.