Mali më i lartë i Shqipërisë (2752 m), që shtrihet në kufirin lindor, në rrethin e Dibrës, në lindje të Drinit të Zi, midis dy degëve të djathta të tij, përroit të Gramës ne jug dhe atij të Veleshicës në veri. Bën pjesë në vargun lindor ose vargun e Korabit të Krahinës Malore Qëndrore. Në Korab gjënden tre majat më të larta të Shqipërisë mbi 2700 m; maja e Korabit (2751 m); maja Porta e Korabit (2725 m) dhe maja e Moravës (2716 m).
Korabi përbëhet kryesisht nga rreshpe dhe gëlqerore të paleozoit, me strukturë luspore e bllokore dhe nga gjipset permo-triasike tepër të shkatëruara nga tektonika. Relievi është shumë i thyer, në veçanti relievi i formuar nga gëlqerorët është mjaft i ashpër, me kreshta e maja të mprehta që përfundojnë në gremina, kurse në rreshpet është relativisht më i butë.
Korabi formon dy kreshta të mëdha në drejtimin veri lindje – jug perëndim, kreshtën e Korabit dhe atë të Portave të Korabit që ndahen midis tyre nga gropa e Staneve të Preshit. Ka shumë cirqe akullnajore që zbresin shkallë-shkallë në gropën e Panairit në verilindje dhe atë të staneve të Preshit në jugperëndim. Disa prej tyre janë kthyer në liqene të vogla akullnajore. Korabi në përgjithësi është i zhveshur nga bimësia pyjore, por dallohet për kullotat alpine shumë të pasura. Vazhdon me malin e Sharrit në Kosovë.
Loading...