Vepra e parë madhore e kësaj periudhe do të jetë poema Këngët e Milosaos, e poetit arbëresh Jeronim de Rada, botuar në vitin 1836. Gjithë veprat që do të botohen më pas deri në 1912, do ti takojnë një periudhe letrare që njihet nën emrin letërsia e Rilindjes. Kjo, është një letërsi kryesisht patriotike, me nota luftarake dhe frymëmarrje romantike. Kësaj letërsie, do ti prijë poeti Naim Frashëri, i cili me poezinë e vet lirike dhe epike u bë poeti kombëtar i popullit shqiptar.
Në kuadrin e letërsisë së Rilindjes do të krijojnë shkrimtarë si Andon Zako Çajupi, Faik Konica, Asdreni, Filip Shiroka, Gavril Dara, Zef Serembeetj. Letërsia e kësaj periudhe ishte kryesisht letërsi poetike.
Proza sapo do të bënte hapat e parë si prozë publicistike, historike dhe më pak si prozë letrare. Po kështu dhe dramaturgjia do të japë veprat e para pioniere. Letërsia e re kombëtare nis afër mesit të shek. XIX lidhur me lëvizjen e gjerë për çlirimin nga sundimi I huaj dhe prandaj quhet letërsia e Rilindjes Kombëtare. Ajo pati një drejtim iluminist e në periudhën e fundit edhe vepra realiste, por në të mbisundoi romantizmi, bashkëkohës me romantizmin evropian. U lëvrua sidomos poezia. Kjo ishte një letërsi me frymë demokratike e popullore, tema themelore ishte dashuria për atdheun, evokimi i të kaluarës heroike dhe lufta për çlirim kombëtar e shoqëror. Te shqiptarët e Italisë (arbëreshët) u shquan Jeronim de Rada me poemën Këngët e Milosaos (1836) e një varg veprash të mëdha poetike, Gavril Dara i Riu me poemën Kënga e Sprasme e Balës, Zef Skiroi me shumë poemë, si Flamuri i Arbërit (1885), Mili e Hajdhia (1890), “Te dheu i huaj” (1891), dhe poezi, këngë tradicionale dhe përmbledhje folklorike, Françesk Anton Santori, Zef Serembe etj.
Poeti i madh kombëtar i kësaj periudhe është Naim Frashëri, autor i poemës Bagëti e Bujqësi (1886), i Historisë së Skënderbeut në vargje dhe i shumë veprave të tjera patriotike, lirike e filozofike. Figura të tjera të shquara janë poeti lirik e satirik Andon Zako Çajupi (“Baba Tomori”, 1902), poetët Ndre Mjeda, Aleks Stavre Drenova (Asdreni), novelisti Mihal Grameno etj.