Letra e mëposhtme është një prej letrave që Albert Einstein-i i ka shkruar të dashurës sëtij, Milevës, që më pas do të bëhej edhe gruaja e tij.
Prindërit e Albert Einstein-it nuk e mbështesnin marrëdhënien midis tyre.
Prindërit e mi janë shumë të shqetësuar për dashurinë që kam për ty. Mamaja qan shpesh dhe nuk gjej dot një çast qetësie këtu. Prindërit vajtojnë për mua sikur të isha i vdekur. Në pafundësi ma përsërisin se përkushtimi për ty është fatkeqësi.
Oh, Kukull , kaq mjafton për t’u çmendur!
Sikur të të njihnin ty! Por duket sikur dikush u ka bërë magji prindërve të mi dhe ata thonë të njëjtën gjë për mua.
Mund ta marr veten nga ky pushim ngadalë vetëm nëse jam në krahët e tu.
Paska gjëra më të këqija në jetë se provimet! Tani e di.
Argëtimi i vetëm për mua është studimi, të cilin e bëj me dyfish përpjekje dhe shpresa ime e vetme je ti, shpirti im i dashur dhe besnik.
Mendimi për ty më mban gjallë. Nuk do kisha jetuar gjatë mes kësaj bagëtie të mjerë njerëzore. Por, fakti që të kam ty në jetën time më bën krenar dhe dashuria jote më bën të lumtur dhe do të jem dyfish i lumtur kur të të shtrëngoj në zemrën time përsëri dhe të shoh ata sy që ndriçojnë vetëm për mua dhe ato buzë që dridhen nga lumturia vetëm për mua.
Të puth nga thellësia e zemrës sime
Albert