Deklarimi i të ardhurave bën me dhimbje kokë shumë prej politikanëve shqiptarë, pasi askush prej tyre nuk dëshiron të zbulojë shumat marramendëse që thuhet se kanë fituar në sajë të korrupsionit.
Vetëm pak kohë më parë, portali “Tpz” raportoi një skandal me deklarimin e të ardhurave të familjes së Damian Gjiknurit.
Gjithçka erdhi pasi Ministri i Energjisë, Industrisë dhe Transporteve, Damian Gjiknuri, ka rritur ndjeshëm të ardhurat dhe shpenzimet gjatë dy viteve të fundit, 2016-2017.
Ministri e ka nisur karrierën e tij politike, me të ardhura modeste, ku përfitonte pagën si deputet dhe rrogën që merrte bashkëshortja e tij në një televizion.
Madje përpara se sa të rekrutohej nga Rama, thuhet se Gjiknuri, si ish punonjës i Shik, ka pasur aty, një karrierë të “shkëlqyer”.
Por sipas këtij portali, ministri dhe familja e tij njihen për pasionin familjar të udhëtimeve të shtrenjta, në vende egzotike, duke filluar nga Santa Quaranta e deri në Ishujt Mauritius, ku më e pakta shpenzohet 1.000 euro nata, pa llogaritur udhëtimin dhe harxhimet extra.
Nga deklaratat e pasurisë, familja Gjiknuri, nuk i kalonin 40 milionë lekë (të vjetra) të ardhura në një vit.
Megjithatë, në vitin 2016-2017, familja e ministrit ka blerë me kredi një makinë 44 000 euro, një apartament me vlerë tepër të lartë, 271 450 euro.
Por pavarësisht rritjes të së ardhurave, kurrsesi nuk mund të justifikohen blerja me kredi e një apartamenti super të shtrenjtë si dhe një makine luksoze. Po t’i shtosh këtu edhe kredinë e pashlyer të banesës së parë (rreth 26 milion lekë të vjetra), rezulton se familja Gjiknuri është e zhytur në luks dhe borxhe.
Megjithatë, këto manovra me kredi për të mos blerë me para kesh në dorë, janë të njohura nga politikanët shqiptarë. Nëse do të ishte një qytetar me të njëjtat të ardhura si familja Gjiknuri, kurrsesi nuk mund të ketë këto asete, dhe asnjë lehtësi nga bankat e nivelit të dytë për të marrë 3 kredi të majme.