Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi sot se do të nisë operacionin e gjërë ndaj biznesve në prill dhe maj për të mbledhur borxhet e krijuara dhe verifikuar lëshimin e kuponit tatimor.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, zhvilloi ditën e mërkurë datë 21 mars 2018, mbledhjen e “Komitetit Operacional” nr.11 për “Miratimin e Planit Operacional për periudhën Prill – Maj 2018”, të Drejtorisë së Hetimit Tatimor. Ky plan është hartuar në funksion të parandalimit, zbulimit dhe ndëshkimit të evazionit fiskal dhe paligjshmërisë në fushën e tatimeve.
Zbatimi i tij do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit, duke pasur si objekt kryesor :
-Arkëtimin e borxheve të krijuara
-Tatimpaguesit aktive që kalojnë në status pasiv, si pasojë e ndryshimit të përgjegjësisë tatimore
-Verifikimin e subjekteve për lëshimin e kuponit tatimor në vlerën reale të produktit/shërbimit krahasuar me listën e afishuar të çmimeve.
Gjithashtu në fokus të punës së Drejtorisë së Hetimit Tatimor për këtë periudhë do të jenë edhe subjektet që janë të angazhuara në realizimin e punëve publike. Ndërsa në sektorin e ndërtimit kontrollet do të përqendrohen në verifikimin e gjendjes aktuale, si dhe në verifikimin e numrit të punonjësve.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mbetet e angazhuar për të nxitur të gjithë tatimpaguesit që të përmbushin në mënyrë vullnetare të gjitha detyrimet ligjore, por dhe të denoncojnë akte të abuzimit nga ana e administratës tatimore.