Kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku ka ndryshuar pesë nga shtatë punonjësit e Gardës që e shoqërojnë për çështje sigurie. Kërkesa e kryeprokurores ka mbërritur pranë Gardës së Republikës për zëvendësimin e gardistëve në fjalë, të cilët kanë qenë në trupën e shoqërimit të paraardhësit të saj, Adriatik Llalla.
Një kërkesë e tillë vjen në një kohë kur janë bërë shumë lëvizje në krye të prokurorive dhe ngritjes organeve të posaçme të akuzës.
Dhjetë ditë pasi mori detyrën, Kryeprokurorja Marku lëvizi kreun e Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fushën, duke e zëvendësuar atë me Dritan Rreshkën, shkarkoi ish-drejtoren e Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, Rovena Gashin. Ajo u zëvendësua nga Arqile Koça.
Marku nisi lëvizjet edhe në prokuroritë e rretheve, ku u shkarkua Dritan Gina, i cili ishte komanduar nga Llalla në krye të Prokurorisë së Elbasanit dhe u zëvendësua nga Ardjan Nezha. Në Fier, Pali Deçollit iu ndërpre komandimi në krye të prokurorisë së rrethit dhe ai u zëvendësua nga Fatmir Lushi. Edhe në Kukës, Artur Ismailukajt iu ndërpre komandimi në krye të prokurorisë përkatëse, duke u zëvendësuar nga Alketa Nushi. Ndërsa në Durrës, Agron Gjana, i cili ishte i emëruar u shkarkua nga detyra për t’u emëruar në krye të Prokurorisë së Pukës dhe vendin e tij e zuri Donika Prela.
Në janar, Marku vendosi që të ndërpresë të gjithë prokurorët e komanduar, duke i kthyer ata në prokuroritë e rretheve ku ishin emëruar. Po kështu, Marku firmosi edhe një marrëveshje me Ministrinë e Brendshme për ngritjen e strukturave të posaçme nëpër prokurori. Këto struktura, do të veprojnë deri në ngritjen e Prokurorisë së Posaçme. Ato do të hetojnë vetëm çështjet e referuara nga TaskForca Qendrore në Ministrinë e Brendshme.