Loading...

Kotesi e ligesise !

Nga Artan Lame

Miq, si sot dy vjet të shkuara u nisa në tjetër udhë, po s’di për ç’plan të sajin, Perëndia më ktheu sërisht. Fola e shkrojta aso kohe përjetimet e mia dhe mësimet që më dha kjo e ngjarë. S’besoja se do ndreqja botën, por sot gëzimi i mundësisë për të folur sërisht, më përzjehet me trishtimin e të kuptuarit se sa energji të liga zbrazin njerëzia m’kot mbi njëri-tjetrin!
Ndaj në këtë ditë, me drojen se mos më merrni për predikonjës a moralshitës, dua t’u kujtoj kotësinë e ligësisë.

Zor të ketë mes jush ndonjë që e njeh Evgjeni M., alias Eva S. Ka qenë punonjëse e Aluiznit që prej vitit të largët 2012. Kur u ndërruan qeveritë ca ikën vetë se e dinin zullumin që kishin bërë, e ca të tjerë i hoqëm vetë. Javash-javash u përpoqëm të heqim veç ata që ishin të ngjyer. Evgjenia ishte e divorcuar, ndaj na ndërhyri për hallet që kish mbi kokë dhe e mbajtëm në punë.
Ajo pastaj vazhdoi vit pas viti të punonte në një prej drejtorive të ALUIZNI-t, derisa në janar 2017 kërkoi të shkëputej nga puna. I bënë letrat e shkëputjes, por drejtoria përkatëse i kërkoi që të dorëzonte me procesverbal dosjet që kishte në ngarkim. I jap rëndësi kësaj gjëje, pasi na ndodh shpesh që humbin dokumenta nga dosjet, me apo pa qëllim, duke na shkaktuar mjaft kokëcarje me qytetarët. Me vijnë e më thonë që Evgjenia s’pranon t’i shtrohet rregullit dhe drejtorja e vet i paskesh dhënë edhe vërejtje për këtë punë. Ndërhyj dhe e thërras vetë. Më vjen në zyrë dhe bëjmë “pazar”, unë do t’i hiqja vërejtjen, ajo do mbyllte dorëzimin me procesverbal. Iku dhe se pashë më.
Kaloi ndonjë muaj kur s’ka ca ditë punonjësja e shtypit më sjell… postimet e Evgjenisë në “fb”. Pupupu ç’tu tregoj e ç’tu them, vrer e zi, e të qëna e të paqëna. Pa asnjë arsye, thjesht siç thonë italianët “inutile cativeria”. Shan, nxin, derdh fjalë plot ligësi jeshile…
Evgjenia kaloi gati 6 vjet në këtë vend pune. Ushqeu veten dhe familjen me këtë rrogë. Gëzoi, u mërzit, bëri shokë e miq, kaloi të mira e të liga, bëri punën e shtetit por bëri edhe ndere, mori falenderime dhe mirënjohje. Po ç’dreqin ke që pasi ikën, derdh vrer të zi mbi punën që të dha bukën, moj Evgjeni?!

Kjo është ajo që unë them që duhet të ndërrojmë ne shqipot. Hasetin, a inatin, a keqdashjen, a quajeni si të doni. Eshtë e paimagjinueshme se sa prodhimtare i paskëshim patur gjëndrat e vrerit ne ballkanasit, e ca më veçan ne arbërorët.
Evgjenia e do mbeskën e saj, të cilës i poston edhe foto në “fb”. Po s’mjafton të duash familjen, se pjellën e vet e do edhe majmuni e dhia. Puna është të duash njerëzit. Eshtë ky mësimi i madh që nxora unë nga ajo që më ndodhi dy vjet të shkuara.
O njerëz, mos derdhni vrer kot. Më të shumtët e atyre që po i lexojnë këto rradhë, janë në të dyzetat, kështu që i bie ta kanë ngrënë gjysmën e luadhit të jetës. Edhe gjysma e luadhit ju ka mbetur. Mos e harxhoni atë duke urryer m’kot.

Nuk mjaftojnë ligjet e rregullat për të krijuar shoqërinë. Përkundër, ato shërbejnë vetëm për të mbajtur drejt ata që duan t’u shmangen rregullave.
Evgjeninë s’do ta bëjë “njeri” fakti që institucioni do t’i bëjë denoncim për braktisje të vendit të punës dhe do ta ndjekë gjithandej. Denoncimi do shërbejë veç që shoqëria të marrë mbrapsht të drejtat e saj. Evgjeninë do të mund ta bënte njeri veç njerzillëku.

O arnautët e mij, shoqërinë e mban më këmbë bashkë njerzillëku dhe dashuria, ndaj krishtërimi arriti edhe atje ku nuk arrinte dot as shpata. Secili prej nesh nuk i ka asfare të tijat ato ç’ka ngrumbullon me thonj e me sherr e me luftë. Toka, prona, firma, makina, aksione, shtëpi, investime, valutë, pishina, vila. Nuk i ka, sepse kur të vdesë, prapë vetëm dy metro dhè do të marrë. Madje edhe ato do ja japë njerzillëku i të gjallëve të mbetur, se po s’ja dhanë mbetet zbuluar dhe e hanë orlat e korbat.

Secili prej nesh ka vetëm atë që ka dhuruar. Ajo që kemi dhuruar do të vazhdojë të jetojë edhe pas nesh. E mes atyre që mund të dhurojmë më lehtësisht është mirësia.
Atëhere mos derdhni më kot vrer në jetë, se sa më shumë të derdhni aq më shumë mekanizmi i tij do të prodhojë tjetër vrer brenda jush. Vreri ndaj botës është si një drogë e zezë që, sa më shumë ta konsumosh, aq më shumë të kërkon trupi.

Që shqipot nuk e kanë të ri këtë hall e mërzi, është e lehtë të dëshmohet. “O udhëtar, mos kalo nga fshati ku ke bërë nder” – thonin të moçmit. E kanë vuajtur pa e kanë thënë.
“-Nastradin efendi, mos shko asaj udhe se do gjesh qeder – i thanë një herë. -Po unë s’kam bërë ndonjë nder që të më gjejë ndonjë qeder – u përgjegj qetë qetë efendiu i përjetshëm. “Ka ngjarë pa tregohet”, thosh ime gjyshe.
Bota s’i ka të reja këto halle, ndaj ndonjëherë duket e kotë ç’do përpjekje për ta ndrequr. E megjithatë s’do humbur shpresa tek e mira, qoftë ajo edhe veç një ëndërr e bukur. Qoftë edhe duke ju bërë të lexoni këto rradhë, të paktën ju pengova një gjysmë ore nga të bërët keq tjetrit, a nga të shkrojturit a të postuarit nëpër rrjete keq për tjetrin.
E shihni që për të mirën ja vlen të luftohet!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com