Loading...

Koha e heronjve dhe kapedan Sali Vranishti

Kur gjendesh në një ceremoni të veçantë, ku nderohen figura të shquara të Kombit si ajo e shpalljes së tyre nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, vetvetiu të bëhet të kthesh kokën prapa për tu takuar me të kaluarën dhe heronjtë e saj. Kështu ndodhi edhe me mua në një nga këto ditët e fundit në Teatrin “Petro Marko” të Vlorës, kur midis të tjerëve dëgjova edhe emrin e Sali Murat Vranishtit.

Pamje nga filmi “Gunat mbi tela”  ( për Luftën e Vlorës ), me skenar të Duro Mustafait e  Muharrem Fejzo, regjisor, kino-operator Ilia Terpini.

Pamje nga filmi “Gunat mbi tela” ( për Luftën e Vlorës ), me skenar të Duro Mustafait e Muharrem Fejzo, regjisor, kino-operator Ilia Terpini.

Më kish marr malli për atë, kapedanin e shquar, që fshati i kish dhënë si mbiemër emrin e tij, e nga të gjithë ai do të quhej: “Sali Vranishti”. Desha ta takoja atë që qysh nga fëmijëria, vetëm në ëndrra e kisha takuar. E kisha parë në një film e në një libër shkruar për të. Isha përkulur me mirënjohje para bustit të tij në vendlindje, në Vranisht. Kisha lexuar disa artikuj e dëgjuar disa tregime nga shokët e tij, veteranë të luftës. Me një fjalë, kisha dëgjuar për disa nga bëmat e tij në luftë. Por kjo nuk mjaftonte. Se për atë më merrte malli e nuk e kisha takuar asnjëherë. Vetëm vonë, kur kisha kapërcyer shkallët e fëmijërisë, do të mësoja se atë idhullin e babait tim, që u bë edhe idhulli im, nuk kisha për ta takuar kurrë. Dhe, në fakt, s’mund ta takoja dot se ai kish vdekur përpara se të lindja unë. U nda nga jeta pas plagëve të rënda që mori në Luftën e Vlorës kundër pushtuesve,kur ishte i ri, vetëm 46 vjeç. Im atë më kish treguar, se predhat i kishin hapur barkun, atij, komandantit trim të Çetës së Vranishtit, e ai u thërriste shokëve: ”Mos më shikoni mua, se s’kam gjë, jam çjerrë pak në bark, po ju ndiqni dushmanin”. Dhe “sokëllinte sa tundej mali : “Përpara vëllezër, merrni kalanë e Kaninës”. Është interesant fakti,që edhe në çastet e vështira të jetës, heronjtë shikojnë të kapin lartësitë, duan ti pushtojnë ato, që të çlirojnë vëndin. Kështu kish ndodhur edhe me Selam Musanë. Po atje poshtë, në “këmbët e Kaninës” ku gjendeshin “rebelët”,ishte edhe ajo “thirrja e gjakut” që i drejtonte ata,te kalaja në kodër, ishte fryma e “ Babait të Pavarësisë” që printe luftëtarët. Në Kaninë ndodheshin trupi dhe eshtrat e Ismail Qemalit,varrosur me porosinë e tij një vit më parë (më 1919): ”Varrin ma bëni në Kaninë, të kem Vlorën përkashi”. Po aty dëgjohej edhe jehona e vargjeve lapidar të njërit prej luftëtarëve të shumtë vranishtiotë, Rrapo Metos, që këndonte me zërin e Ismail Qemalit: “Sazan e Karaburun janë vatanet e mia”. Dhe më në fund, edhe zëri i shpresës dhe i pavdekësisë: ”Unë jam Smail Qemali, prapa më vjen historia”. Dhe historia e “Burrit të madh të Kombit”, do të vinte edhe nëpërmjet atyre heronjëve që ditë më parë, me një ceremoni të posaçme emocionuese, në Vlorën e “Luftës së Vlorës”, Presidenti i Republikës, z. Nishani,do të shpallte “Nderi i Kombit”, (pas vdekjes), 7 prej heronjve të “Luftës së Vlorës”, e aty mu duk se e pashë të gjallë e do ta takoja edhe Kapedan Sali Vranishtin. E takova me zërin e Presidentit të Republikës, që do na e prezantonte heroin mbuluar me nderin dhe heroizmin e tij të luftës për liri e pavarësi. E dëgjova tek fliste me gojën edhe të aktorëve të njohur, vlonjatit Bujar Asqeriut dhe durrsakut nga Kosova Mirush Kabashi…

Një takim i bukur, një festë patriotizmi për të cilën kishim nevojë e na kish munguar. Këtë festë nderimi për ata që na kanë nderuar, përjetuam në teatrin e Petro Markos, autorit të “Ultimatumit” të fshatarëve “me sopatë e me hanxharë-dyfeqetë lidhur me gjalmë” për gjeneral Piaçentinin, komandantin e topave, vaporëve dhe avionëve që rrethonin Vlorën e pamposhtur… Dhe që Vlora do ta hidhte në det…
Gjyshër e nipër, së bashku

Po gjëja më e bukur dhe e paharruar e asaj ceremonie prekëse ishte që të gjithë heronjtë që u nderuan ishin përfaqësues të të gjitha shtresave të popullsisë të atyre viteve, po të gjithë luftuan të bashkuar në idenë e shpëtimit të Kombit.. Edhe pasardhësit e tyre erdhën për të përjetuar sëbashku nderin që u bëhej gjyshërve të tyre…

Në krye do të nderohej, kryetari i Komitetit të Shpëtimit Kombëtar Osman Haxhia, për të cilin populli kish kënduor: “Osmëni i hipi kalit,/dhe i foli gjeneralit (Piaçentinit), dil steresë e jo limanit,/të shosh djemtë e vatanit,/bijtë e Ismail Qemalit… ”.. Pastaj do të na paraqitej Selam Musaj i Agim Shehut me ” sharkun hedhur krahëve”, dhe “topin kapur nga gryka”. E, pranë tij Sali Murat Vranishti, që “sa rroi i punoi gjishti”, Ahmet Lepenicë “komandant trimi-dragua”, Sado Koshena, që kish udhëhequr në luftë edhe burrat,Zigur Lelo,”sojë-trimi,dhe Kanan Maze me nofullën e dërmuar nga predha armike e me fjalët e fundit: “Kanan të iku bukuria,- Le të rrojë Shqipëria!”.. Për Shqipërinë luftuan e dhanë jetën ata, heronjtë e një kohe heroike. Luftuan “me një mbret 4O milionë,/ Po me se luftuan vallë ?,/ Me dyfekë e me hanxharë… ” Ishte një luftë e pa barabartë, po ky ka qënë raporti ynë me armiqtë në të gjitha luftrat. Dhe fitoret ishin pjellë heroizmi e të gjithë popullit, që në çdo luftë nxori heronjtë e vet, që nuk luftuan vetëm e të vetmuar..
Studiuesi, shkrimtari e publicisti Albert Habazaj na ka dhënë një pasqyrë me vargje të popullit të drejtuesve të komiteteve fshatare në atë luftë që u quajt “Lufta e Vlorës”, luftë, e atyre njerëzve që ishin sa të thjeshtë edhe madhështorë.
“Fshat më fshat kartat u ndanë,/ Vunë çet’e kumandarë:/ Salari Selam Musanë,/ Në Vranisht Sali Muranë,/ Në Tërbaç vunë Selmanë,/ Në Brataj-ë Memo Plaknë,/ Lepenicë’ Ahmet Islamnë/ Dhe në Gjorm Selam Hasanë;/ Lapardha Alem Aganë. / Radhimë Bilbil Sinanë,/ Tragjas Zenel Ramadanë,/ Në Dukat Zykë Matanë!”. Një tjetër këngë e vjetër na njeh: “Në Velçë kush qe i pari;/ Hasan Hyso faqebardhi”. Nga ky enumeracion krerësh, pjesëmarrës në drejtimin e Luftës së Vlorës, jepen jo vetëm përmasat reale të shtrirjes së luftës, bashkimi dhe uniteti ndërkrahinor, por dhe pa dalluar të krishterin nga myslimani. “Alush Taka me një çetë/ Me treqind e disa vetë” nuk ndahej nga “Çeta jon’ e Kurveleshit,/ Stefani nga Bregu Detit…/Pa hedhur hasmin në detë”. Stefan Thomagjini ishte pjesëmarrës i çetës së Bregut.

Populli ynë është ndoshta nga të rrallët në Evropë që i adhuron luftëtarët trima dhe heronjtë e vet që i kujton e nderon me libra, këngë e monumente. Dhe,pasardhësit frymëzohen prej tyre edhe në punën e përditshme. Se ata dhanë jetën që të jetojë Shqipëria. Pas ceremonisë patëm rastin të bisedonim me ish deputetin e Vlorës, ish-ministër e tani kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj. Ai, biri i Vlorës, është i pranishëm përherë në këto veprimtari me karakter edukativ atdhetar. Dhe dëgjuam prej tij një konstatim interesant. -”E vutë re? – na tha. Të gjithë ata që u nderuan sot për kontributin e shquar në Luftën e Vlorës ishin pjesëmarrës e përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore e politike në ato vite. Kishte të pasur e të varfër, myslimanë e të krishterë, por të gjithë ishin të bashkuar me idenë e lirisë e pavarësisë, të gjithë të gatshëm për tu flijuar për interesat e Kombit, siç edhe ndodhi në të vërtetë.” Por edhe pasardhësit e këtyre heronjve, (ndonëse me bindje të ndryshme politike), kishin ardhur të gjithë të bashkuar e në krahë të njeri tjetrit, për të përjetuar sëbashku nderin që u bëhej gjyshërve të tyre. Këtë “larmi ngjyrash” politike do ta gjeje edhe në sallë tek pjesëmarrësit, që as u shkonte në mëndje se të kujt partie ishin e kë parti përfaqësonin. Dhe politika më e madhe për ta ishte atdhetarizmi e shqiptarizmi. E kjo ndjenjë atdhedashurie do të shprehej, ndonëse me pak fjalë, të nipërve të heronjve, që u jepej tani rasti të takonin të ringjallur edhe njëherë gjyshërit e tyre, të bisedonin e ti nderonin ata. duke u rreshtuar në krahë të njëri tjetrit, siç kishin bërë edhe paraardhësit e tyre në Luftën e Vlorës.. A nuk ishte ky një mësim i nevojshëm për politikanët e sotëm, që shpesh përparësi nuk kanë bashkimin e vëllazërimin, por interesat e veçanta të tyre, që shprehen përditë me konfliktet e përçarjet bezdisëse, deri në neveri?. Dhe si për të ilustruar të vërtetat e kësaj ideje edhe për ditët tona,njëri nga pasardhësit e një Heroit të Luftës së Vlorës, me pak fjalë do të tërhiqte vëmendjen e të gjithëve. Në çastin e marrjes së dekoratës dhënë Sali Muratit, nipi i tij Arben Saliu u shpreh: “Duke marrë këtë dekoratë, më lejoni të perifrazoj fjalët e mendjendriturit Ismet Toto se: ‘Në histori futen ata që e kërkojnë lirinë duke u hedhur në zjarr dhe jo ata që e presin lirinë duke u ngrohur në zjarr’. Me këtë vlerësim që ju bë sot këtyre figurave nga Presidenti i Republikës, dëshmohet qartë se ata janë pjesë e historisë sonë kombëtare. Faleminderit zoti President”.

Pastaj një e veçantë tjetër e gëzuar. Titulli “Nderi i Kombit” iu dha 8551edhe një gruaje, Sado Koshenës. Kam dëgjuar që një turist i huaj kur pa bustin e Sado Koshenës në fshatin e lindjes së saj, në Dukat, kish pyetur: “Po kjo grua çfarë ka bërë, që e keni ngritur kaq lart?” I thanë se në luftën kundër pushtuesve osmanë, disa burra, bashkëfshatarë të saj, ishin trembur e tërhequr nga lufta. Por gruaja trime, e armatosur, u doli përpara: “Po ju, ku do të shkoni, në shtëpi, që të fshiheni në çitjanet e grave?” Të fshihesh në çitjanet e grave është ofendimi më i madh për burrat shqiptarë. Dhe ata shkuan në luftë të prirë nga trimëresha. Kështu, sëbashku me burrat, luftoi ajo edhe kundër shovinistëve grekë më 1914-n dhe kundër pushtuesve italianë në Luftën e Vlorës më 1920-tën. Prandaj populli i ngriti përmendore. Dhe atë ditë, ajo “Heroina e Popullit” do të shpallej edhe “Nderi i kombit”. Po se mos vetëm ajo. Më tej fshatit të saj është Tragjasi. Edhe aty gjendet busti i Heroinës së Luftës Antifashiste, Zonja Çures, ndërsa në fshatin Qeparo, buzë detit, një tjetër Heroinë ka shtatin e saj të pa përkulur, ajo është Persefoni Kokëdhima.. Në 6 mijë vajza partizane, pjesëmarrëse në luftën antifashiste, me dhjetëra janë dëshmore e 26 prej tyre janë shpallur “Heroina të Popullit”. Nuk është fakt i rrallë që vetëm në Brigadën e V-të sulmuese kishte 42 vajza partizane 17-2O vjeçare.. Ato, si mijëra vajza e gra të tjera kapërxyen shpellat e fanatizmit e luftuan, bashkë me burrat kundër fashizmit, duke dhënë shëmbuj të shumtë heroizmi e vetëflijimi. Ishte vazhdimësi e heroizmit që lanë prapa kapedanër e Luftërave për liri e pavarësi, që do të ndihej edhe në Luftën e Kosovës..

Tani në “shkretëtirën e historisë”, dëgjohen edhe mendime politikanësh kalemxhinjtë se “koha e heronjve ka ikur”. Ajo i përket të së kaluarës. ( Pa çka se një popull që mohon të kaluarën nuk ka të ardhme). Se tani “jetojmë kohën moderne”, e se edhe ” heroizmi në luftë, tani që jetojmë paqen është nocion arkaik”. (Pa çka se heroizmi edhe në ditët tona na duhet, i duhet policisë në luftën kundër krimit, zjarrfikësve, kur na digjen shtëpitë, kundër vrasësve e keqdashësve që nuk mungojnë. I duhej edhe atij aktorit të Teatrit, që humbi jetën në Liqenin artificial të Tiranës për të shpëtuar jetën e një të riut e na duhet edhe ne si një shembull frymëzimi në punën e përditshme për përparimin e atdheut. Lufta e Vlorës është një nga kapitujt më të shquar të heroizmit shqiptar përjetimin e nderimi edhe i heronjve të saj, jo vetëm me simbole por edhe në zemrat tona, është shërbimi më i mirë që i bëjmë Shqipërisë sonë. Çdo popull, në çdo kohë të historisë së vet ka nevojë të nderojë ata që e kanë nderuar. Titulli “Nderi i Kombit”, me të cilin u vlerësuan disa nga heronjtë e Luftës së Vlorës, ishte një shembull i bukur se atdhetarizmi rron e do të rrojë midis nesh.D.M

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com