Loading...

“Karrierë” të pasur kriminale, kush është “i forti” që u arrestua në Tiranë

Një 42-vjeçar nga Sauku, me një “karrierë” të pasur kriminale, është vënë sërish në pranga nga Policia e Tiranës.

I arrestuari është Eduart Dushku, i njohur edhe me emrin Edison, i cili supozohej të mos dilte nga shtëpia, pasi kështu e kishte urdhëruar Gjykata e Tiranës, në shtator të vitit 2017, kur i ndryshoi masën nga “arrest me burg”, në “arrest shtëpie”, shkruan “Panorama”.

E megjithatë, “i forti” i Saukut, jo vetëm që ka thyer masën e arrestit, por lëvizte edhe me armë në brez. Në momentin e ndalimit, te Rruga e Elbasanit, gjatë operacionit të koduar “Përsëritësi”, 42-vjeçarit Dushku iu gjet një pistoletë “TT”, me një krehër me 8 fishekë.

Policia tha se u bë arrestimi i tij në flagrancë për veprat penale “prodhim dhe shitje e armëve luftarake” e “largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”. Eduart Dushku rezulton me precedentë penalë dhe i dënuar më parë për disa vepra penale, si: Dëmtime të tjera me dashje, shkatërrim i pronës, vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim, armëmbajtje pa leje, dhunë në familje, kallëzim i rremë, shkatërrim i pronës me zjarr, shkatërrim i pronës me eksploziv.

ARRESTIMI

Policia e Tiranës tha dje se ka finalizuar operacionin e koduar “Përsëritësi”, duke sekuestruar dy armë zjarri, fishekë, dy maska, kapsolla detonatore, etj..

“Strukturat e Policisë së Tiranës kanë finalizuar me sukses operacionin policor, ku është bërë i mundur arrestimi në flagrancë, për veprat penale të ‘Prodhimit dhe shitjes së armëve luftarake’ dhe ‘Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit’, të shtetasit Eduart (Edison) Dushku, 42 vjeç, lindur në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje, shkatërrim prone me eksploziv e armëmbajtje pa leje”, tha zyrtarisht Policia.

Burimet thanë se kapja në flagrancë e këtij shtetasi u bë në Rrugën e Elbasanit, ku gjatë kontrollit personal i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë e tipit “TT”, model 54 me kalibër 7.62 mm, me një krehër me 8 fishekë. Gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar, një “Kallashnikov”, 11 fishekë pistolete “Makarov”, 8 kapsolla detonatore, 2 maska dhe 3 celularë.

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin e datës 8 shtator 2017, kishte ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg”, për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës me zjarr’, duke e zëvendësuar me masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

maskat1

PRECEDENTET

Hera e fundit që Eduart Dushku ishte arrestuar nga Policia e Tiranës ka qenë më 5 shtator të vitit të kaluar, pasi hetimi provoi përfshirjen e tij në dy ngjarje të ndodhura gjatë vitit 2014 dhe 2015, për vendosje eksplozivi në një lokal dhe djegien e një makine. Dushku ishte arrestuar më herët edhe si i përfshirë në një vrasje të ndodhur me 22 gusht të vitit 2011, në afërsi të zonës së Sanatoriumit.

Për këtë ngjarje, ai u arrestua 7 muaj më vonë, më 29 mars të vitit 2012 dhe u lirua nga Gjykata pasi bëri vetëm 2 vite burg. Eduart Dushku njihet si pronar i një prej linjave të autobusëve urban që lidhin Tiranën me Lagjen e “Collakëve”, pranë Farkës.

Madje edhe vrasjen për të cilën ai u akuzua si autor bashkë me kushëririn, dyshohet se e ka kryer pas një konflikti për linjën e autobusëve, pasi pati një debat me djalin e viktimës për gërvishtjen e një makine.

Si u vra babai, për të shpëtuar të birin

Një konflikt për përplasjen e dy makinave është bërë shkak për vrasjen e një 49-vjeçari në Tiranë, pasditen e datës 22 gusht të vitit 2011. Viktima, Abdulla Vrapi, ka shmangur vrasjen e të birit 23-vjeçar dhe është qëlluar me 5 plumba pistolete.

Ai është futur në mes të autorit dhe djalit të tij, Albert Vrapit dhe ka mbetur vetë viktimë e ngjarjes. Ngjarja e rëndë ndodhi në vendin e njohur si “Depot e Ujit”, mes Qytetit Studenti dhe Sanatoriumit në Tiranë.

Pas një përleshjeje fizike ku janë përdorur shkopinj bejsbolli dhe zinxhirë, konflikti është mbyllur me armë zjarri, duke mbetur i vrarë 42-vjeçari Abdulla Vrapi. Policia arrestoi menjëherë pas ngjarjes shtetasin Indrit Tresa, kushëriri i Eduart Dushkut, si i dyshuar për ngjarjen. Por djali i viktimës, gjatë dëshmisë së tij, deklaroi se armën nuk e kishte shkrepur personi i arrestuar, por kushëriri i tij. Në këtë mënyrë, Policia identifikoi e shpalli në kërkim edhe Eduart Dushkun, i cili u arrestua 7 muaj më pas.

Gjatë deklarimeve, 23-vjeçari Vrapi, ka treguar zanafillën e konfliktit me të dyshuarin, që, sipas tij, ka nisur rreth 4 muaj para vrasjes, pas një përplasjeje makinash te Shkolla e Baletit. “Ata ishin gjashtë veta, mesa mbaj mend.

Por armën nuk e ka shkrepur Indriti, sepse po e shihja shumë mirë se çfarë kishte në dorë. Armën e shkrepi kushëriri i tij. Pastaj ia mori Indriti nga dora dhe u larguan, në kohën kur ne po i flisnim babait”, pati deklaruar djali i viktimës.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com