Komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatët ose UNHCR, z. Pablo Zapata në një intervistë për emisionin PASSPORT të gazetarit Arbër Hitaj, thotë se në vitin 2017 309 persona shumica nga Siria apo Afganistani kërkuar azil politik në Shqipëri.
Le të ndalemi pak te çështja e fluksit të emigrantëve të parregullt. Flukset e përziera migratore nga Shqipëria, përmes Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Cila është situata aktuale në kufi?
Siç e përmenda edhe më parë, ka ende njerëz që përpiqen të kalojnë transit jo vetëm përmes Shqipërisë, por edhe përmes vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt vendeve të Evropës Perëndimore, le të themi. Në rastin e Shqipërisë, nëse më lejoni ta shpjegoj në pak minuta, ka një sistem të mirë në kufi për të trajtuar këtë situatë. Në Shqipëri, në vitin 2017, u ndaluan mbi 1000 persona që po përpiqeshin të kalonin kufirin në mënyrë të parregullt, 1049 persona nga të cilët 349, më falni, 309, kërkuan azil në Shqipëri. Pra, këto shifra në muajt e fundit kanë pësuar rritje.
Këtë vit, në dy muajt e parë të vitit, janë ndaluar 550 persona, nga të cilët 196 kanë kërkuar azil. Ne shohim një rritje të vogël në pjesën e fundit të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, por në kuadrin e një situatë relativisht të qëndrueshme. Puna jonë këtu në Shqipëri i referohet, në këtë aspekt, ndihmës ndaj autoriteteve shqiptare që janë përgjegjëse për kontrollin e kufirit, Ministrisë së Brendshme, Policisë Kufitare dhe Migracionit, për të adresuar situatën e këtyre emigrantëve të parregullt, shumë prej të cilëve janë njerëz që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare apo refugjatë, siç i quajmë ndryshe, për t’iu përgjigjur nevojave të tyre sapo të ndalohen në Shqipëri.
Pra, Shqipëria ka një sërë detyrimesh ndërkombëtare në çështjet që lidhen me azilin. Veçanërisht, Shqipëria është nënshkruese e Konventës për Statusin e Refugjatëve dhe sipas saj dhe sipas Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, njerëzit kanë të drejtën të kërkojnë azil në Shqipëri. Dhe në mesin e atyre që janë ndaluar vitin e kaluar, ka një shifër prej 309 personash siç po thoja, që dëshironin të kërkonin azil në Shqipëri. Pastaj ekziston një procedurë për të përcaktuar nëse ata janë refugjatë apo jo.
Hapi i parë në kufi është më i rëndësishmi, respektimi i të drejtave të këtyre njerëzve, që në rastin e Shqipërisë është kryer dhe adresimi i asaj që ne e quajmë, referimi i personit të duhur në sistemin e duhur. Pra, Shqipëria krijoi shumë vite më parë, në vitet 2002, 2003, një sistem shumë novator, që u zbatua më pas edhe në shumë vende të tjera, i cili përfshin një procedurë të vetme për çdo person të ndaluar në kufi, në përpjekje për ta adresuar situatën e tyre në mënyrën e duhur.
Për shembull, personat që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, personat që vijnë për shembull nga Siria, referohen në sistemin e azilit. Personat që kanë motive ose arsye ekonomike për të lëvizur, referohen tek institucionet specifike përkatëse në Shqipëri ose mund të kthehen në vendin nga i cili hynë në Shqipëri.
Gjithashtu, ky sistem ka një komponent antitrafikim për shtetasit e vendeve të treta, në rast se ka persona që dyshohet se janë viktima të trafikimit. Pra, kemi tre profile njerëzish dhe tre sisteme. Ne duhet të punojmë me njërin dhe të vendosim për tjetrin, për ta adresuar situatën e tyre nga një pikë hyrjeje e vetme, e cila konsiston në një vlerësim të ftohtë dhe që zbatohet nga Policia Kufitare shqiptare.