Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës rreth orës 22:00. Dyshohet se shqiptari ka qenë hajdut dhe tentoi të hynte në një banesë.
Shqiptari ka mbetur i plagosur rëndë pasi u qëllua me çifte nga pronari i një banese në Montebello të Italisë.
Pronari i shtëpisë që dëgjoi zhurma nga jashtë, doli në oborr dhe vuri re 26-vjeçarin. Ky i fundit tentoi të largohej, por u qëllua në bark me armë gjahu. Në vendngjarje shkoi me urgjencë ambulanca, e cila u njoftua nga vetë pronari 56-vjeçar i shtëpisë.
Shqiptari u dërgua në spital dhe iu nënshtrua një operacioni.
Dyshohet se me 26-vjeçarin mund të ketë qenë edhe një bashkëpunëtor, i cili arriti të largohej. Ndërkohë, policia italiane ka nisur hetimet në gjendje të lirë ndaj 56-vjeçarit që qëlloi me armë.
Grupi hetimor është duke rindërtuar dinamikën e ngjarjes. Identiteti i shqiptarit të plagosur nuk është bërë me dije.