Fshati Vuno është vendosur në një nga pjerrësitë e vargmalit të Çikës, në një truall të ashpër shkëmbor me shtrirje në formë harku.
Viti/koha e ndërtimit: Shek. XIII-XIV (Shumica e ndërtimeve aktuale janë ndërtuar në shek. XVIII-XIX).
Emri i këtij fshati shfaqet për herë të parë në defterin përmbledhës të regjistrimit osman, në vitin 1431-1432, si pjesë e nahijes së Himarës, ku figuron si një fshat i vogël me 22 shtëpi.
Ndërsa dy shekuj më vonë në vitin 1693 ai shfaqet si një ndër fshatrat më të mëdhenj të zonës së Bregut të Detit. Banorët e këtij fshati kanë qenë shumë aktiv në rezistencën antiosmane të krahinës së Himarës.
Është shpallur Qendër Historike me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 30, datë 20.01.2016.
Emri i Vunoit apo banorëve të tij shfaqet pothuajse në të gjitha letrat që zona u dërgonte kancelerive perëndimore për të lidhur aleancë kundër pushtuesve osman, duke nisur me letrën dërguar Papa Gregorit XIII në vitin 1577, e deri tek ajo drejtuar careshës ruse Elisabetës, në vitin 1759.
Duke qenë një nga qendrat më të zhvilluara të zonës së Bregut, me kontakte të vazhdueshme me botën perëndimore, banorët e këtij fshati ishin mjaft të emancipuar.
Për këtë arsye ata ishin ndër të parët që u përfshinë në lëvizjen kombëtare, kontribuan në shpalljen e pavarësisë së shtetit Shqiptar, morrën pjesë në Luftën e Vlorës dhe ishin pjesë e lëvizjes antifashiste në Luftën e Dytë Botërore. Shumë nga personalitetet e spikatur në fushën e artit dhe kulturës, si dramaturgu Spiro Çomorra, shkrimtari i letërsisë për fëmijë Odhise Grillo, regjizori Dhimitër Anagnosti e aktori Robert Ndrenika e shumë të tjerë, janë me origjinë nga ky fshat.
Elementi më i spikatur i Qendrës Historike të Vunoit është pikërisht arkitektura e tij. Arkitektura dhe pamja piktoreske e Vunoit i bëri mjaft përshtypje edhe peizazhistit e shkrimtarit të njohur Anglez Edward Lear, i cili nga vizita e tij në vitin 1848 shprehet: U habita nga madhësia, karakteri, rregulli dhe pastërtia e shtëpive në Vuno, të cilat ngjanin me Palazzi të qyteteve Italiane.
Nga pikpamja urbanistike Vunoi karakterizohet për kompaktësinë e ndërtimeve, harmonizimin e përsosur me truallin dhe vendosjen e shkallëzuar të banesave, të cilat shfaqen qartë, pa mbuluar njëra tjetrën, duke krijuar një ansambël piktoresk.
Ndërtimet shumë afër njëri tjetrit, kanë krijuar një rrjetë të dendur rrugor. Kjo ka bërë që në mjaft raste të ngrihen banesa edhe mbi rrugë duke siguruar kalimin nëpërmjet qemeresh cilindrike.
Për të lehtësuar kalimin në kthesat e forta, qoshet e ndërtimeve zbuten me thyerjen karakteristike. Tipologjia e banesave është mjaft e larmishme, duke nisur me ato më të thjeshtat me kat e gjysmëkat, banesat e fortifikuara e deri tek komplekset ndërtimore. Elementët arkitektonik të harqeve, qemerëve e qosheve të punuara janë përdorur mjaft dendur, duke u dhënë ndërtimeve pamje monumentale.
Bibliografia: E. Lear., Në Shqipëri (Ditar udhëtimesh 1848-1849), ShB Plejadë, Tiranë 2008, f. 181-182; E. Riza., Arkitektura e banesës popullore në zonën e Bregut të Detit, Monumentet 19, 1980, f. 3-51; F. Duka., Shekujt Osmanë në Hapsirën Shqiptare (Studime dhe dokumente), UET Press, 2009, f. 131-149; P. Thëngjilli., Aspekte të përpjekjeve të himarjotëve për liri (Shek. XVI-XVIII), Himara në Shekuj, ASHESH, Tiranë 2004, f. 124-150.
Qendra Historike e Fshatit Vuno ndodhet në territorin e Bashkisë Himarë, në rrugën nacionale Vlorë-Sarandë dhe drejt saj mund të shkoni me çdo mjet transporti.