Gjermania dhe Spanja kanë dhuruar spektakël në miqësoren e luksit të zhvilluar në “ESPRIT Arena” në Duseldorf, por në fund nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 1-1. Dueli mes dy nga kombëtareve më të mira në botë, ishte një spektakël më vete. Spanjollët kaluan në avantazh që në minutën e 6-të me Rodrigo Morenon, i cili kthehu në gol një pasim magjik të Iniestës. Skuadra e Lopeteguit dominoi në lojë, duke qenë superiore në 30 minutat e para, ndërkohë që më pas frenat e lojës i marrin gjermanët.
“Pancerat” barazuan rezultatin në minutën e 35-të me një super gol të shënuar nga Tomas Myler, i cili mposhti me një goditje spektakolare De Gean. Ky është goli i 38-të në karrierë me Gjermaninë për yllin e Bajernit në 90 ndeshje. Në pjesën e dytë Gjermania është më dominuese në lojë, por De Gea bën disa ndërhyrje shpëtimtare, teksa spikat ajo ndaj Draksler. Spanja ndërkohë rrezikoi në disa raste portët e gjermanëve me kundërsulm, por pa mundur që të shënojnë.
https://streamable.com/yybtj