Loading...

Fshati Kuç nxori gjatë luftës 600 partizanë dhe …! (Histori)

Kuçi është një nga fshatrat më të njohur në Kurvelesh dhe në përgjithësi në rrethin e Vlorës. Para çlirimit ka pasur rreth 500 shtëpi me 3500-4000 banorë, ndërsa pas çlirimit numri i familjeve që jetojnë dhe punojnë në fshat ka ardhur duke u zvogëluar për shkak të emigrimit. Ky fshat ka pasur një potencial të madh fizik dhe mendor, duke ndikuar ndjeshëm në mbarëvajtjen e punës dhe jetës së banorëve, krahinës e më gjerë.
Kuçiotët, burra e gra, janë njerëz trima, të zgjuar, fisnikë, bujarë, guximtarë, të urtë, të qetë e të drejtë në zgjidhjen e problemeve shoqërore, por dallohen veçanërisht edhe si arsimdashës. Kuçi e ka pasur që herët shkollën fillore me arsimtarë nga bijtë e vetë. Të rinjtë, djem e vajza, mbaronin shkollën fillore dhe më pas një pjesë e tyre vazhdonin arsimin e mesëm e dhe të lartë brenda e jashtë vendit. Ky popull arsimdashës e liridashës në fortesën natyrore të maleve të Labërisë, në të gjitha luftërat e popullit shqiptar, u bë një pararojë e trimërisë dhe progresit shoqëror, si në luftërat e pandërprera kundër pushtuesve turq, shovinistëve grekë, italianëve më 1920 dhe fashisto-nazistëve në LANÇ.
Me traditat liridashëse i edukuan edhe fëmijët e tyre brez pas brezi. Nënat labe kuçiote në luftë qëndronin në ballë përkrah burrave e bijve të tyre dhe me këngët e vajet prekëse i bënë të pavdekshëm trimat dhe trimëreshat që dhanë jetën për lirinë brenda e jashtë vendit. Sa për humanizmin dhe bujarinë e popullit të Kuçit, mjafton të sjellim një shembull historik. Pavarësisht se mësynë barbarisht andartët grekë, duke vrarë, djegur dhe shkatërruan çdo gjë më 1913-1914, Kuçi me humanizimin e tij e ndihmoi popullin grek me çdo gjë kur kishte nevojë në kohën e urisë më 1940-1941. Kështu u veprua edhe me italianët në Kuç, ku populli mbajti, ushqeu dhe mbrojti rreth 200 ushtarë pas kapitullimit të ushtrisë fashiste.
Populli i Kuçit është i veçantë për trimëri dhe këtë veçanti ia kanë dhënë bijtë e tij prijës, kapedanë, komandantë dhe Heronj të Popullit që Kuçi i ka të shumtë. Ky popull nuk i ka pranuar asnjëherë pushtuesit dhe përherë i ka pritur me shpatë e pushkë. Edhe pushtuesit fashistë i priti me urrejtje të madhe. Burrat e Kuçit,kur mësuan për agresionin fashist të 7 Prillit 1939, u mblodhën para zyrave të komunës dhe kërkuan me këmbëngulje të organizoheshin për të luftuar. Por autoritetet e vendit u thanë se ata nuk dispononin armë.
Pleqësia fshatare e moshuar, pjesëmarrës të luftës kundër shovinistëve grekë më 1914 dhe kundër italianëve më 1920, i këshilluan bashkëfshatarët e tyre më të rinj që të mos u besonin mashtrimeve fashiste dhe bashkëpunëtorëve tradhtare, por t’i ruanin mirë armët dhe municionin që kishin dhe të ishin të gatshëm t’i përdornin për çlirimin e Atdheut. Me fillimin e rezistencës së armatosur popullore, u bë një protestë e madhe nga bijtë e Kuçit që studionin në shkollat e arsimit të mesëm, si Birçe Sinemati, Mitat e Ali Gjoliku, Fejzo, Veip e Qani Aliaj, Mitat, Nuri dhe Jashar Luçi, Lame Gjokuta, Polo Seferi etj. Ata bashkë me studentët e tjerë morën pjesë aktive në LANÇ. Në këtë luftë bijtë dhe bijat e Kuçit shkruan një faqe të lavdishme në historinë e këtij fshati. Populli i Kuçit dhe i gjithë krahinës së Kurveleshit pësoi dëmtime të mëdha njerëzore dhe materiale gjatë LANÇ.
Ai u dogj dhe u shkatërrua disa herë nga operacionet ndëshkimore armike, por qëndroi i patundur dhe i vendosur deri në fund, duke pasur besim të plotë te fitorja dhe ishte i sigurt që Atdheu ynë do të çlirohej nga të gjithë armiqtë e tij. Ai dërgoi që në fillim të kësaj lufte djemtë dhe vajzat në vijën e parë të luftës për të arritur me çdo kusht fitoren mbi fashizmin dhe tradhtarët e vendit. Në zjarrin e kësaj lufte ata u dalluan jo vetëm si luftëtarë trima e të guximshëm, por edhe për aftësitë e tyre drejtuese, komanduese dhe luftarake. Në LANÇ kundër pushtuesve fashistë, në repartet e rregullta partizane dhe në forcat territoriale ishin pjesëtarë më shumë se 600 partizanë, djem e vajza kuçiote që luftuan me trimëri në çdo skaj të Atdheut. Pjesa tjetër e këtij populli, burra e gra luftuan në prapavijat e armikut ose strehuan e furnizuan repartet partizane me ushqime e veshmbathje. Kontributin më të madh në këtë luftë dhe sakrificën më madhore e bënë mbi 115 djem e vajza kuçiote, më të mirët e këtij fshati, rënë dëshmorë të LANÇ si partizanë të thjeshtë apo kuadro drejtuese, duke dhënë gjakun e tyre brenda e jashtë kufijve të Atdheut. Populli i Kuçit i kujton me respekt dëshmorët e tij në varrezat e reja ku ata prehen të qetë. Nga luftëtarë kuçiotë vetëm në LANÇ u ngritën në funksione rreth 100 kuadro në rang brigade, batalioni, organe pushteti dhe në funksione të rëndësishme të kohës partizane.
Në rang brigade u shquan Jaho Gjoliku, Sefedin Meçe, Qazim Kondi, Birçe Sinemati, Veledin Zeneli, Abaz Laze, Mitat Luçi dhe Bame Mersini. Me funksione të rëndësishme partie dhe pushteti përmendim Memo Meto, Selman Lame dhe Ibrahim Ismaili. Në rang batalioni Ali Lalaj, Avdul Hakiu, Mitat Gjoliku, Malo Arifi, Bedri Kondi, Veis Levendi, Shaban Idrizi, Bajram Korvafa, Sulo Veizi, Balil Peçi, Bejo Hasimi, Hetem Nani, Xhelo Idrizi, Xhafer Peçi, Feim Kondi, Servet Sita, Ilo Bushi, Halit B. Lalaj, Laze Sulaj, Harshi Saraçi dhe Bedin Miftari. Batalioni “Ismail Haki Kuçi” i Kurveleshit të Poshtëm komandohej nga këta shokë: komandant Jaho Gjoliku, komisar Memo Meto, zv/komandant Shate Jaho nga Bolena, intendent Bame Mersini. Pas kapitullimit të Italisë fashiste, erdhën pushtuesit më të egër, nazistët gjermanë, me të cilët u bashkuan dhe tradhtarët e vendit.
Më 15 shtator 1943 rreth 150 ushtarë gjermanë të ardhur nga Korfuzi, bënë një tentativë zbarkimi për të pushtuar Sarandën. Forcat që zbritën në port u zbuluan dhe u pritën ashtu siç e meritonin nga një grup partizanësh të udhëhequr nga Jaho Gjoliku. Nga zjarri i fortë i partizanëve 5 gjermanë u vranë, 20 u zunë robër. Të tjerët u kthyen me shpejtësi prapa nga erdhën. Kjo rezistencë e fortë e detyroi komandën gjermane që të mos bënte tentativa të tjera për të zbarkuar në Sarandë. Lufta me pushtuesit gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre bëhej gjithmonë dhe më e ashpër. Ditët e fundit të marsit dhe fillimit të prillit 1944 kanë lënë gjurmë të hidhura në kujtesën e popullit të Kuçit dhe të Kurveleshit. Bijtë e tij do të kujtohen dhe në brezat e ardhshëm për trimërinë e sakrificën që ata bënë duke dhënë dhe jetën për lirinë e popullit.
Në ato momente tragjike nënat kuçiote u karakterizuan nga një qëndrim heroik. Shaho Luçi dhe Hava Gjoliku i dhanë lirisë së popullit nga dy djem dëshmorë. Kështu edhe nënat e tjera Kafaze Bishaj, Pestrov Hitaj, Hava Goxhaj, Haxhikë Luçaj, Ilmo Xhemalaj dhe Xhevo Lalaj. Disa dhe bija kuçiote ranë heroikisht në veprimet luftarake për çlirimin e popujve të Jugosllavisë. Nga qëndrimi heroik i nënave kuçiote kjo periudhë e vështirë u karakterizua nga një zgjerim më i madh i LANÇ dhe nga një betim i shenjtë i luftëtarëve kuçiotë për të vazhduar luftën deri në fitoren përfundimtare mbi armikun pushtues dhe marrë hak për vëllezërit e motrat e tyre.
Po kështu pranvera 1944 u karakterizua nga një zgjerim i LANÇ dhe kudo armikut iu dhanë goditje të rrufeshme dhe vdekjeprurëse. Për këtë arsye fashistët, duke shfrytëzuar dhe bashkëpunëtorët e tyre, vendosën të kryenin operacione të përgjithshme dhe lokale. Forcat gjermane dhe ato balliste u nisën nga Vlora, Qeparoi e Borshi dhe tentuan të bënin një operacion ndëshkimi në të gjithë luginën e Shushicës, që nga Gjormi, Smokthina e deri në Borsh. Më datën 11 prill 1944 një forcë bashibozuke e Ballit Kombëtar e komanduar nga tradhtari Idriz Jazo, si pararojë e okupatorit gjerman, hyri në Kuç. Këto forca armike në vendin e quajtur Bregu i Goricave, u goditën në befasi nga partizanët e Brigadës V Sulmuese duke i shpartalluar plotësisht. Në këtë përpjekje ngeli i vrarë tradhtari Arap Lilo, i cili pak ditë më parë kishte vrarë tradhtisht dhe pas krahëve luftëtarin e penës e të pushkës, bilbilin e Labërisë, një nga drejtuesit më të njohur të LANÇ në krahinën e Kurveleshit, Memo Meto, Hero i Popullit. Më 12 prill një forcë gjermano-balliste hyri në Kuç dhe filluan djegien e atyre shtëpive që kishte mundur t’i rindërtonte populli. Në këtë situatë kritike për Kuçin, një kompani partizane e Brigadës VI Sulmuese dhe një kompani e Brigadës V Sulmuese të komanduara nga Jaho Gjoliku dhe Dervish Hekali, së bashku me forcat e batalionit “Ismail Haki”, sulmuan armikun nga të gjitha drejtimet.
Në përpjekjet e përgjakshme që u bënë, forcat armike u shpartalluan plotësisht, humbën drejtimin, lanë 40 e më shumë të vrarë dhe ata që tentuan të largoheshin, duke u ndihmuar nga ballistët, u zunë prita fshatarët dhe u vranë. Kështu u realizua edhe betimi i shenjtë që partizanët u kishin dhënë nënave kuçiote duke u hakmarrë për bijtë dhe bijat e vrarë prej armiqve pushtues dhe bashkëpunëtorët e tyre ballisto-zogistë. Kuçi me heroizmin që tregoi dhe gjakun e bijve që derdhi për liri, u bë pjesë e lavdisë së madhe të LANÇ.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com