Edhe njëherë FMN i tërheq ‘veshin’ qeverisë për koncensionet. Në deklaratën e fundit pas vizitës 2 javore në Shqipëri të misionit, FMN tregohet skeptike me projektet e Partneritetit Publik Privatë pasi mbartin shumë risqe fiskale në kurriz të publikut ndaj edhe i kërkon qeverisë që të bëj një ndarje më të saktë mes shtetit dhe privatit.
“Sa u takon PPP-ve, një prioritet kyç është pakësimi i vendimmarrjeve të fragmentuara dhe fuqizimi i proceseve të vlerësimit të riskut brenda Ministrisë së Financave. Këto procese janë me rëndësi kritike, po të kemi parasysh detyrimet e mëdha të kushtëzuara që shpesh janë pjesë e kontratave të PPP-ve me një horizont kohor afatgjatë. Praktika aktuale e propozimeve të pakërkuara duhet të eliminohet. Plani i qeverisë për krijimin e një banke zhvillimi për të financuar investimet publike është mirë të marrë parasysh përvojën ndërkombëtare sa u takon risqeve që shoqërojnë subjekte të tilla, përfshirë risqet fiskale, financiare dhe të drejtimit të brendshëm”, shkruhet në raport.
Sipas FMN rënia e investimeve në infrastrukturë, energji si dhe borxhi mjaft I lartë publik do të ngadalësojnë rritjen ekonomike.
“Rënia graduale e investimeve të mëdha në infrastrukturën e sektorit energjetik pritet ta ngadalësojë ritmin e rritjes. Me një nivel borxhi publik mjaft të lartë krahasuar me vendet e rajonit dhe detyrimet të kushtëzuara në rritje, mosrealizimet fiskale mund ta ulnin besimin, t’i rrisnin primet e riskut të huamarrjes dhe t’i pakësonin investimet private. Progresi i pamjaftueshëm në zbatimin e reformës strukturore në fusha të tilla si energjetika, menaxhimi financiar publik dhe reformat në gjyqësor mund ta cenonin besimin e investitorëve, duke i zvogëluar ndjeshëm flukset hyrëse nga donatorët dhe flukset e kapitalit dhe duke e ulur rritjen”, thuhet më tej.
Si stres për ekonominë shqiptare FMN shikon edhe sektorin financiarë. Sipas FMN banka qendrore duhet të tregohet e kujdesshme me blerësit e rinj të bankave dhe të monitorojë të gjithë tregun bankarë.
“Konsolidimi i tanishëm i bankave, me shitjen e aktiveve nga bankat me pronësi evropiane, sjell risqe sa i takon drejtimit të brendshëm të tyre. Do të jetë me rëndësi kritike të sigurohet se pjesëmarrësit e rinj në treg kanë përvojë solide bankare dhe se i përmbushin kriteret e duhura për përshtatshmëri dhe aftësi për të ushtruar aktivitet në tregun bankar shqiptar. Monitorimi strikt i bankave me rëndësi sistemike do të duhet të fuqizohet më tej, për ta kufizuar riskun e huamarrësve të mëdhenj dhe për ta zbutur riskun e huadhënies mes palëve të lidhura”, thuhet në raport.
Në lidhje me përfshirjen ne TVSH të bizneseve me xhiro mbi 2 milionë lekë FMN këshillon se “administrata do shpërqendrohet, në vend të fokusohet të ndërmarrjet e mëdha dhe ka rrezik të ulen të ardhurat, ndaj nuk ishim dakord që në fillim”.