Shteti do të falë kreditë për 1084 familje që përfshijnë vitin e largët 1995 e deri më 31 dhjetor të vitit 2015, kryesisht familje të prekura nga përmbytjet dhe që kanë përfituar banesa nëpërmjet Entit Shtetëror të Banesave.
Në projektligjin e depozituar në Parlament që është pjesë e punimeve për periudhën 26 shkurt- 6 prill 2018 dhe i depozituar në muajin dhjetor të vitit të shkuar, thuhet se pjesa më e madhe e familjeve janë të varfra dhe nuk mund të shlyejnë kreditë.
Lista e banorëve përfitues shtrihet në Has, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Shkodë dhe Fier dhe me një total prej rreth 609 milionë lekësh.
RELACIONI I PROJEKTLIGJIT
Për pikën ku përcaktohet falja e detyrimeve të mbetura të kredisë për familjet në Kukës, Has, Tropojë dhe Pukë, të shpërngulura nga ndërtimi i Hidrocentralit të Fierzës, sqarojmë se kredia është akorduar për mënjanimin e dëmeve të përmbytjes së dhjetorit 1995. Kredia iu kalua për t’u trajtuar nëpërmjet EKB-së. Në vitin 2006, me urdhrin nr.225, datë 19.9.2006, të Kryeministrit, është ngritur një grup ndërministror për verifikimin e listës së familjeve të përmbytura nga Hidrocentrali i Fierzës.
Nga sa është bërë e ditur nga puna e kryer nga ky grup lidhur me këtë problematikë, nuk është arritur një konkluzion apo zgjidhje përfundimtare. Për këtë proces nuk disponohet material. Nga familjet banuese në këto banesa është ngritur shqetësimi dhe pretendimi se e kanë të pamundur shlyerjen e detyrimeve (paradhënies apo paradhënies dhe një pjese të kredisë). Arsyet që paraqesin janë si më poshtë: – Paaftësia paguese. Pjesa më e madhe e familjeve kanë deklaruar se jetojnë në kushte të vështira dhe nuk kanë mundësi financiare për shlyerjen e kredisë; – Kërkohet falja e kredisë me arsyetimin se banesat e tyre dhe tokat e përmbytura në vendin e origjinës kanë një vlerë më të madhe se vlera e kredisë.
• Me fondin e vënë në dispozicion, me vlerë 150 000 lekë për frymë, nuk mund të përfundonin ndërtimin e banesës dhe se për këtë janë detyruar të përdorin fonde të tjera. Kjo ka ndikuar në pamundësinë e shlyerjes së vlerës së kredisë. Nga ana tjetër, Enti Kombëtar i Banesave ka hapur procese gjyqësore, duke kërkuar kthimin e vlerave të tërhequra nga këta qytetarë. Por, në këtë proces të ndjekur nga Enti kanë rezultuar shumë pengesa për arsyet e mëposhtme:
• Shpenzimet gjyqësore për hapjen e padive dhe pagimin e tatimit për vlerën e kërkuar nëpërmjet çdo padie të ngritur rëndojnë shumë shpenzimet e EKB-së.
• Largimi i këtyre qytetarëve (familjeve) në emigracion.
• Proceset gjyqësore janë mbyllur disa herë, pasi nuk gjenden adresat e sakta të këtyre qytetarëve, të cilësuar si “të paditur”, nisur nga fakti se ata nuk kanë ndërtuar banesën në vendin ku është planifikuar të ndërtohej, por janë larguar duke ndërtuar diku tjetër ose duke mos ndërtuar fare. Përfaqësuesit e EKB-së në disa qarqe kanë realizuar takime në bashkitë dhe ish-komunat përkatëse, por përgjigjja nga këto takime ka qenë se këta qytetarë janë larguar nga ajo komunë apo bashki. Njëkohësisht është kërkuar ndihmesë edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile për të bërë të mundur marrjen e adresave të reja për qytetarët që kanë ndërruar adresat.
• Për kreditë e lëvruara për përmbytjet, kontratat nuk janë lidhur pranë noterit. Duke gjykuar se këto të dhëna dhe argumente do të jenë të vlefshme në funksion të gjetjes së një rrugëzgjidhjeje për këtë problematikë, është propozuar përfshirja e kësaj pike në dispozitat transitore të projektligjit të ri të strehimit. Aktualisht, shuma e fondeve të dhëna nga buxheti i shtetit për përmbytjet konsiderohet e vështirë dhe problematike për t’u arkëtuar nga banorët, ndërsa heqja e këtyre detyrimeve nga bilanci nuk ka faturë financiare për buxhetin e shtetit apo për Entin Kombëtar të Banesave.