Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, te studio e Eni Vasilit në news24 i pyetur ndër të tjera se pse ishte natën te spitali amerikan, pra për të takuar Saimir Tahirin apo prej overdozës, akuzuar nga ish-kryeministri Berisha, ai tha: Sali Berisha është kokrra e budallait!
Ishte ish-kryeministri Sali Berisha ai që publikoi foton e famshme të eskortës së kryeministrit Rama në spital duke aluduar se shkak ishte bërë një “overdozë”. I pyetur për këtë çështje, kryeministri Rama lëshoi një sërë akuzash fyese ndaj Berishës, por pranoi se kishte qenë vërtet në spital javën e kaluar.
“Kjo e spitalit është një tjetër arsye për të thënë se ku jemi katandisur. Ju thoni “Sali Berisha publikoi…” jam unë ai që duhet të përgjigjet për këtë? Ju pse nuk e verifikoni. Sali Berisha publikon çdo ditë lloj lloj maskarallëqesh” – tha Rama duke sqaruar edhe arsyet e vizitës në spital.
Pas pohimit të ashpër për ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e PD-së, Berisha, gazetarja Eni Vasili e pyeti edhe njëherë nëse i qëndron pohimit të mësipërm, duke shtuar se këtë akuzë të Berishës e ka theksuar edhe Lulzim Basha, ai përsëri insistoi në atë çka tha se:”Sali Berisha është kokrra e budallait!”. Por shtoi se edhe Lulzim Basha ka vrapuar për të gjetur një gur te hedhur në lumë nga një budalla…
Ndërsa kur gazetarja Eni Vasili nxori foton e Sali Berishës dhe shtoi se kur vjen Berisha në studio ka të njëjtën shikueshmeri si ju, kryeministri Rama tha me sarkazëm se “Edhe në një kopësht zoologjik njerëzit kanë shumë kureshtje për…”, duke aluduar keqas për ish-kryeministrin e vendit.
Kjo është e rëndë, pasi ish-kryeministrit Berisha mund ti thuash gjithçka si kundërshtar politik, porse “budalla” nuk mund ti thuash.
Gjithsesi kryeministri duhet ta ketë menduar edhe përgjigjen e pritshme të ish-kryeministrit Berisha.