E lehtë dhe shumë e shëndetshme. Supa me lulelakër është receta më e mirë për të mbajtur trupin në formë dhe mendjen e mprehtë.
Kjo supë është një alternativë shumë e mirë për të ngrohur organizmin dhe për të mposhtur virozat e stinës.
Më poshtë receta e shijshme e supës me mish pule dhe lulelakër, e cila përgatitet krejt lehtë në shtëpi dhe është ideale për vaktin e drekës por edhe të darkës.
Përgatitja e Supës me Pulë dhe Lulelakër
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
Një pulë e vogël ose 4-5 copa mish pule
300 gr lulelakër
1 patate mesatare
1 karrotë (sipas preferencës)
Një lugë çaji me gjalpë të freskët
2-3 lugë gjelle vaj ulliri
Kripë
Piper
Majdanoz i freskët
Përgatitja
Pastrojmë mishin e pulës me ujë të rrjedhshëm.
Pastrojmë me ujë të rrjedhshëm lulelakrën, të cilat i ndajmë në degëza ndërsa patatet i presim në kubikë shumë të vegjël. Nëse dëshironi të shtoni edhe karrota prijini ato në kubikë shumë të vegjël gjithashtu.
Vendosim një tenxhere në zjarr dhe hedhim vajin e ullirit dhe pak gjalpë të freskët, shtojmë patatet, i kaurdisim për disa minuta dhe më pas shtojmë lulelakrat, i kaurdisim pak dhe i heqim dhe i vendosim në një enë mënjanë.
Ndërkohë në tenxheren me yndyrën e mbetur shtojmë copat e mishit të pulës i kaurdisim, shtojmë kripën dhe më pas shtojmë ujë derisa të mbulohen mirë dhe e lëmë që të ziejë.
Pasi mishi i pulës të ketë zierë, shtojmë lulelakrat dhe patatet dhe i lëmë të ziejnë për maskimumi 5-7 minuta.
Vlerat Ushqyese të Lulelakrës
Lulelakra është e pasur me vitaminë C, K, B-6 dhe acid folik. Ajo përmban gjithashtu kalcium, hekur, magnez, fosfor dhe një sërë vitaminash të tjera të dobishme për organizmin.
Lulelakra përmban antioksidantë që parandalojnë mutacionet e qelizave dhe ulin stresin që formohet nga radikalet e lira.
Lulelakra është e pasur në fibra dhe ujë. Për këtë arsye ajo lufton sëmundjet e lidhura me aparatin tretës.
Ajo ndihmon dhe në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe obezitetit.
Një tjetër përbërës i lulelakrës, kolina, ndihmon në forcimin e memorjes, të muskujve, si dhe ndihmon me problemet e gjumit.