Vijojnë deklaratat lidhur me ngarkesën e madhe me drogë të kapur pak ditë më parë në Maminas.
Ish-kryeministri Sali Berisha ngre akuza të rënda në lidhje me 613 kg kokainë të kapur në 28 shkurt në një kontejner bananesh.
Berisha madje akuzon kryeministrin Edi Rama, ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, policinë dhe doganën se tentuan të fshihnin ngarkesën e drogës dhe se ajo u zbulua vetëm falë një punonjësi të skanerit.
Berisha thotë se punonjës dixhitalë të doganave dhe antidrogës informuan që në datën 27 shkurt se ngarkesën prej 613 kg kokainë në kontejnerin e bananeve e zbuloi mëngjesin e asaj date, vetëm dhe vetëm ky njeri, i cili sipas tij meriton falënderim.
“Të dashur miq, zbulohet skandali që dëshmon përfundimisht përpjekjen e Ramës, Xhafës, policisë dhe doganës për fshehjen e ngarkesës së 613 kg kokainë. Punonjës dixhitalë të doganave dhe antidrogës informuan që në datën 27 shkurt se ngarkesën prej 613 kg kokainë në kontejnerin e bananeve e zbuloi mëngjesin e kësaj date, vetëm dhe vetëm një njeri, punonjësi i turnit të skanerit tek kryente procedurën e skanimit. Ky punonjës, pa pasur asnjë njoftim paraprak nga hetimi doganor, antidroga apo policia e shtetit zbuloi gjatë skanimit se në dyshemenë e kontejnerit kishte blloqe droge të ndara. Po këto burime informuan se në kohën e skanimit të kontejnerit me 613 kg kokainë, nuk kishte në doganë apo terren aty pari, asnjë polic apo hetues doganor. Punonjësi i skanerit pasi zbuloi drogën menjëherë dërgoi ndihmësin e tij për të zgjuar nga gjumi drejtorin e doganës së Durrësit. Pra drogën në kontejner nuk e zbuloi asnjë polici rendi apo i antidrogës as dhe doganier apo hetues dogane. Pas fshehjes së informacioneve nga partnerët, ky është skandal i dytë më i madh, mashtrimi më i pafytyrë i Ramës dhe Xhafës ndaj shqiptarëve, duke mohuar totalisht rolin kryesor dhe të vetëm të skanerit në zbulimin e drogës për dy javë me radhë. Ky mohim i tyre detyroi së fundi kompaninë Rapiskan t’u thotë shqiptarëve të vërtetën me një komunikatë të publikuar dje mbi rolin e degës së saj në Shqipëri në zbulimin e 613 kg drogë në portin e Durrësit.” – shkruan Berisha.