Autorët që tentuan të vidhnin me armë banesën e Minella Muçit në orët e para të mëngjesit të 23 marsit në Fier, dyshohet se janë autorë të një sërë grabitjesh në territorin e Shqipërisë. Xhuljan Sollaku, 20 vjeç, i cili mbeti i vdekur gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, Arben Muça, 33 vjeç, i plagosur dhe dy të arratisurit, Ardi Muça dhe kunati i tij, dyshohet se kanë kryer një numër të madh grabitjesh.
Nga grupi hetimor që po punon për zbardhjen e tentativë për grabitjen e çiftit Minella dhe Elsa Muçi në lagjen “29 Nëntori” në Fier, mësohet se grupi i të rinjve kryente grabitje pasi më parë siguronte informacion për familje që mbanin shuma të konsiderueshme parash në banesës
Për familjen Muçi, këta të fundit dyshohet se kanë pasur një bashkëpunëtor nga qyteti i Fierit, që i ka dhënë detaje se djali i tyre emigrant në Meksikë ka kryer kohët e fundit transfertë parash për në Shqipëri dhe se bëhej fjalë për shumë të konsiderueshme.
Për rastin e grabitjes së banesës të familjes Muçi, dyshohet se një nga bashkëpunëtorët është nga Fieri dhe i ka dhënë informacion grupit se në këtë banesë mund të ketë vlera të konsiderueshme të hollash”, kanë sqaruar burime nga Policia e Fierit, duke shtuar se prej kohësh autorët e tentativë për grabitje kanë mbajtur në vëzhgim familjen në fjalë. Por, nga verifikimet ka rezultuar se në banesë nuk ka pasur sende me vlerë apo shuma të mëdha parash, pasi Minella Muçi jetonte vetëm me paratë që punonte si shofer.
Nisur nga kjo, nisën plani për grabitjen e çiftit të të moshuarve. Sipas hetuesve, 33-vjeçari i plagosur me origjinë nga Puka dhe banim në Durrës, ishte organizatori që planifikonte gjithçka. Ndërsa, viktima Xhuljan Sollaku, nga Elbasani, ishte eksperti që kryente hapjen e dyerve. “Grupi hetimor ka dyshime se ata bashkëpunonin me banorë të qyteteve ku kryenin vjedhjen.
Nga verifikimi i së kaluarës së dy prej grabitësve, Xhuljano Sollaku, që mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë dhe Arben Muça, i cili u plagos, është konstatuar se ata kanë bashkëpunuar prej vitesh në aktivitete të dyshimta. Policia e Fierit po bashkëpunon më atë të Durrësit dhe të Elbasanit për të gjetur të tjera raste që autorët mund të kenë kryer.
Një prej sendeve të sekuestruara në vendin e ngjarjes është telefoni i të plagosurit Arben Muça.
Gjithashtu me anë të telefonit, grupi hetimor bën të ditur se ka rënë në gjurmë të një personi, nga i cili grupi merrte informacion mbi familjet që kanë fëmijë në emigracion apo që mbajnë shuma të konsiderueshme parash në banesë.
Dyshohet se ky informacion ka dalë nëpërmjet mesazheve të gjetura mes të plagosurit dhe anëtarëve të tjerë të grupit. Ndërkohë, vetë 33- vjeçari me banim në Durrës dhe origjinë nga Puka, nuk ka pranuar që të bashkëpunojë me Policinë në përpjekjen e parë të oficerëve për ta marrë në pyetje.
Babai i tre fëmijëve mbeti i plagosur rëndë nga shkëmbimi i zjarrit me Policinë dhe pasi u dërgua në Spitalin Rajonal të Fierit, i është nënshtruar një operacioni kirurgjik. Nga mjekët mësohet se një plumb e ka prekur në organet jetë- sore, çka pritet që në ditët në vijim mjekët të japin një përgjigje rreth gjendjes së tij shëndetësore.