Loading...

Dëshmitë e reja të sjella dje nga PD për trafikun e drogës në …

Zbardhen përgjimet e drejtuesve të policisë në Vlorë: “Kemi leje nga lart”. Si funksiononte skema e trafikut të drogës dhe përdorja e emri i ish-ministrit si garanci nga kushërinjtë. Një pjesë e parave të drogës vinin “lart” në Tiranë.

Hetimet e prokurorisë për aktivitetin e bandës së “Habilajve” të arrestuar në Itali kanë nxjerrë detaje të reja për mënyrën sesi funksiononte skema e trafikut të drogës. Dosja dhe përgjimet e publikuara dje nga Partia Demokratike tregojnë se anëtarët e bandës “Habilaj” kishin mbrojtjen e Policisë së Shtetit në Vlorë dhe direkt të drejtuesve të Ministrisë së Brendshme dhe njerëzve afër ish-ministrit Saimir Tahiri. Këtë thotë PD-ja me faktet që nxjerrin nga dosja e përgjimëve. Ato tregojnë se Artan Habilaj dhe Florian Habilaj, dy nga drejtuesit e bandës që po gjykohet në Itali, komunikonin rregullisht me tre policisë në rangje drejtuese në Qarkun e Vlorës. Konkretisht me drejtorin e Policisë së Vlorë, Jaeld Çela dhe shefin e antidrogës në Vlorë, Gjergj Kohila. Të dy këta efektivë, pas arrestimit të anëtarëve të bandës në Itali dhe në Shqipëri për llogari të drejtësisë italiane janë larguar nga vendi dhe janë në kërkim policor. Edhe vetë fakti që kanë ikur nga arrestimi flet se kanë qenë të implikuar në këtë trafik, pasi një njeri normal nëse akuzohet, fjala vjen kot, shkon para drejtësisë dhe mbrohet.

Sipas dosjes së prokurorisë, drejtuesit e bandës deklarojnë në komunikimet e zbardhura telefonike dhe mesazhe se kishin garanci nga strukturat e policisë për të kultivuar drogë në Vlorë, konkretisht në zonën e Kuçit. Në biseda del dhe një fakt i papërmendur më parë, ku një nga anëtarët e bandës deklaron se policia i kërkonte 30 përqind të vlerës së drogës që do të mbillej.

Hetimet dhe dosja e prokurorisë e publikuar dje nga PD nxjerr lidhjen direkte mes shefit të policisë së Vlorës dhe ish-ministrit Saimir Tahiri. Sipas dosjes Jaeld Çela rezulton se komunikonte rregullisht me shoferin e Saimir Tahirit, Gentjan Ceka. Gjithashtu, komunikimet e zbardhura nga pala italiane tregojnë se në disa raste shefi i policisë së Vlorës kur fliste për Habilajt tregonte se ata ishin “kushërinjtë e ministrit”. “Bisedat mes drejtuesve të bandës së Habiljave dhe drejtuesve të policisë së Vlorës, provojnë se Policia e Shtetit, jo vetëm ishte kthyer në roje të transportit të kanabisit drejt Italisë, por Jaeld Çela ka dekonsipruar operacionet e Shërbimit Informativ Shtetëror për llogari të Habilajve, që vetë trafikantët në përgjime i quajnë “kusho të ministrit” dhe që “siguronin garanci për kanabisin”,- tha dje deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj.

Dëshmitë e reja të sjella dje nga PD për trafikun e drogës në Vlorë tregojnë shkallën e implikimit të zyrtarëve të Policisë së Shtetit si dhe përdorjen e emrit të ish-ministrit nga ata që njiheshin si kushërinj të tij në Vlorë. Detajet tregojnë se raportet mes ish-ministrit dhe personave të akuzuar për trafik droge nuk kanë qenë thjesht te shitja e makinës së famshme, por shkojnë deri në mbrojtje për aktivitetin e tyre në Vlorë. Tashmë nuk flitet për hipoteza, por për dokumente hetimore të cilat i ka Prokuroria shqiptare. Veç akuzave për ish-ministrin, për herë të parë provohet se skema e trafikut drogës ka pasur mbrojtjen e segmenteve të Policisë së Shetit. Agjentë që duhet të luftonin mbjelljen e drogës tani rezultojnë se informonin trafikantët për hetimet dhe u sugjeronin zonat se ku mund të mbillnin hashash pa i ngacmuar njëri. Në këmbim të garancisë, efektivët e policisë kanë marrë, siç tregojnë përgjimet, 30 përqind të vlerës së drogës. Në këtë mënyrë, vetë segmente të Policisë janë kthyer në trafikantë.

Këto dëshmi rrëzojnë dhe gjithë propagandën e qeverisë “Rama” lidhur me fenomenin masiv të hashashit në vitet 2013-2016. Droga jo vetëm që nuk u luftua, por u tolerua me vetëdije deri në nivelet me të larta. Më e rëndë në këtë situatë është se sot jo vetëm gjithë trafikantët kryesorë nuk janë para drejtësisë, por as policët që faktohen si bashkëpronarë të drogës.

Ajo periudhë e policisë është periudha më e zezë e policisë së shtetit dhe si pasojë duhet pastruar Policia nga ky imazh negative. Pastrimi vjen duke arrestuar të gjithë kupolën e cila del e lidhur me fijet e krimit të drogës.

Ministri Fatmir Xhafaj ishte në SHBA dhe takoi në FBI e DEA drejtues të tyre. Nuk dihet saktësisht se çka biseduar, pasi ai i mban sekret, por burime thonë se ministri Xhafaj ka ardhur me dosje për personazhe VIP nga politika të cilët kanë lidhje me krimin.

Q.Xhani.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com