Loading...

Çfarë fsheh Gjiri i Vlorës? Prapatoka në epokën e gurit të vjetër

Gjatë muajit qershor të kësaj vere pata një kënaqësi të veçantë; së bashku me kolegun e vjetër, mjeshtrin e monumenteve Novrus Bajrami, vizituam disa stacione paleolitike të reja dhe u njohëm me gjetjet, veglat e strallit, të zbuluara në këto site.
UJI I FTOHTË
Vizitën e parë, në të cilën na u bashkua edhe prof. Aleks Trushaj, njohësi e studiuesi i vlerave historiko-arkeologjike të Kaonisë, e bëmë në zonën e Ujit të Ftohtë, pikërisht në gjirin e vogël e të bukur që gjendet menjëherë pas tunelit, ku shumë vite më parë kisha zbuluar rastësisht disa vegla stralli të periudhës së paleolitit të mesëm

. Duke vazhduar gjurmimin rreth 200-300 m në jug, në një xhep të vogël, që formon përsëri deti, e ku sot punohet për ngritjen e një resorti të ri, në shtresën e dheut me ngjyrë të kuqe (Terra rosa), u gjet një nukleus (bërthamë) stralli me ngjyrë gri me gjurmë të qarta përdorimi, i cili tipologjikisht i takon epokës së gurit të vjetër.

Kjo gjetje, së bashku me një vegël tjetër të përgatitur nga strall ngjyrë mjalti, me retush anësor, me gjurmë përdorimi, e cilësisë shumë të mirë, janë vegël tipike për kohën e paleolitit të mesëm.

Këto vegla stralli, ndonëse të pakta në numër, por tipologjikisht të përcaktuara qartë, d.m.th. të bëra e të përdorura rreth 30.000-40.000 vjet më parë e të depozituara në një shtresë gjeologjike të përcaktuar kohësisht, provojnë se në këtë buzë deti, me kushte të shkëlqyera gjeoklimatike, ka ekzistuar një stacion paleolitik i rëndësishëm për kohën e gurit të vjetër, e që ruan vlera parësore për të gjitha kohët.
GJORM
Në fshatin Gjorm, në vendin e quajtur Fusha e Frengut, e cila ndodhet rreth 3 km larg qendrës së fshatit, në krahun e majtë të lumit të Shushicës, në një sipërfaqe rreth 400 m2, gjurmimi i kujdesshëm i “gjuetarit të strallave” (N.Bajrami), zbuloi gjurmët e një siti paleolitik të dëshmuar nga gjetja këtu e 10-12 veglave të dallueshme tipologjikisht.

Stralli i përdorur për bërjen e veglave është ngjyrë gri, mjalti, krem etj., i cilësisë së mirë. Veçohen për cilësinë e punimit një ashkël tipike e teknikës musteriane, një majë mprehte me retush të thellë anësor, një kruese me retush të thellë e gjurmë të shumta përdorimi.

Të gjitha veglat e gjetura në Gjorm i takojnë tipologjikisht periudhës musteriane (paleolitit të mesëm). Me interes të veçantë janë gjithashtu edhe dy vegla stralli që kanë karakteristika të kulturës salutre, kulturë e cila kohësisht i takon paleolitit të lartë.
VAJZË
Në fshatin Vajzë, në vendin e quajtur Brus, rreth 700-800 m larg vendit ku në vitin 1954-1956 janë zbuluar tumat e Vajzës, janë gjetur disa dhjetëra vegla stralli të cilësisë së mirë e që tipologjikisht i takojnë kohës së neolitit dhe kohës së bronzit. Vegla të tilla janë gjetur edhe në varret kur u zbuluan tumat e Vajzës.

Me shumë gjasë kemi të bëjmë me të njëjtin rit të varrimit të përdorur edhe në tumat e tjera të vendit tonë, ku në vendvarrim sillej dhé e mbetje të tjera nga vendbanimi.

Rit që nënkupton vazhdimësinë e jetës edhe në botën tjetër.
DRASHOVICË
Në Palohor (Drashovicë), dëshmia e aktivitetit të njeriut të gurit të vjetër provohet nga dy vegla masive të bëra nga strall që ruan gjurmë të mellës (shtresa e hollë që mbështjell bërthamën), të cilat kanë retush anësor e të thellë, tipare teknike karakteristike për paleolitin e mesëm.
TRAGJAS
Në vendin e quajtur Kodra e Çure, që ndodhet në periferi të kalasë mesjetare të Gjon Boçarit, gjetjet e mbledhura nga “gjuetari i stralleve” përfaqësohet, nga një ashkël masive me pjesë mëlle, me gjurmë të thella përdorimi, e bërë nga strall ngjyrë gri e cilësor, që provon se në këtë kodër ka pasur veprimtari të njeriut që ka jetuar në epokën e musties (rreth 40.000 vjet më parë).
AMANTIE
Në akropolin e qytetit antik gjetja në sipërfaqe e disa veglave stralli si kruese, shpuese etj., të bëra me strall ngjyrë gri, teknikë cilësore retushimi, janë dëshmi e jetës paraurbane në akropolin e Amanties.
ZVËRNEC
Vendbanimi më i madh e me përfaqësi për epokën e gurit të vjetër, jo vetëm në gjirin e Vlorës, por edhe për territorin e vendit tonë, i zbuluar vitet e fundit në sajë të përkushtimit, vëmendjes e kujdesit të vazhdueshëm të Novrus Bajramit është vendbanimi i Zvërnecit.

Ai shtrihet përgjatë bregut, aty ku vija e ujit puqet me tokën saktësisht në mikrotoponimet Dalan i Parë, Porto Nuova e Putanjë, në një brez më shumë se një kilometër të gjatë. Batica vepron çdo ditë mbi rripin e tokës ku shtrihet stacioni dhe pas zbaticës, në rërën e pastër shndrisin veglat e strallit dhe “gjuetari i stralleve” çdo ditë shëtitjen e tij e bën buzë detit ku shtrihet vendbanimi. Dhe koleksioni i stralleve të mbledhura është i jashtëzakonshëm për nga numri (mbi 2000 copë), dhe sidomos për treguesit cilësorë të industrisë litike, prandaj vendbanimi i Zvërnecit, mund të krahasohet e barazohet me kulturat me të zhvilluara paleolitike të Evropës (Musteriane e Salutriane).

Studimi e publikimi i gjetjeve të vendbanimit paleolitik të Zvërnecit do të zgjerojë e do të plotësojë ndjeshëm njohjen tonë për epokën e gurit të vjetër jo vetëm për jugun e Shqipërisë, por për tërë trevën e Ballkanit Perëndimor.

Zbulimet e bëra në shpellën e Velçës dhe gjetjet e rastit të bëra në vitet ‘30 të shekullit të kaluar në stacionin mezolitik të Rrëzës së Kanalit (Dukat) dhe të zgjeruara e plotësuar me gërmimet e viteve të fundit nga prof. I. Gjipali; të dhënat arkeologjike për epokën e bronzit e të epokës së hekurit të nxjerra në dritë nga gërmimet e tumave të Vajzës, në vitet ‘50 të shekullit XX, zbulimi dhe interpretimi historik i pikturës shkëmbore prehistorike të Lepenicës, së bashku me shumësinë e siteve paleolitike të zbuluara së fundi në Ujë të Ftohtë, në Gjorm, në Vajzë, në Drashovicë, në Tragjas, në Amantie dhe në kryeqendrën paleolitike të Zvërnecit, dëshmojnë se Gjiri i Vlorës e prapatoka e tij, kanë pasur një zhvillim parësor në prehistori e protohistori, që parapriu zhvillimin cilësor e kulturor të kësaj treve në epokën historike me ngritjen e katër qyteteve antike, Thronionin (Kaninën), Orikumin, Triportin dhe më pas Aulonën.

P.s. Në shkrim të vendoset edhe një vlerësim i shkurtër për N.Bajramin: “Novrus Bajrami, me veprimtari mbi 35-vjeçare si specialist në Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, me kujdes të vazhdueshëm e përkushtim ka dhënë një kontribut të veçantë në ruajtjen, zbulimin dhe hulumtimin e vlerave historike, arkitektonike, arkeologjike dhe etnografike. Bashkautor në ngritjen e Muzeut Historik të Vlorës dhe Muzeut të Pavarësisë; zbulues i sitit paleolitik të Zvërnecit”.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com