Nga HAMZA MALAJ
Sado me flatra të jetë fantazia ime, sot pas 100 vjetësh, ajo kurrë nuk mund të arrijë të pasqyrojë madhështinë e veprës së gjyshërve tanë, të cilët që në momentet e para të shpalljes së pavarësisë, u nisën vullnetarë për të çliruar Janinën.
Ata u nisën në mëngjes herët. Lanë fëmijët në gjumë duke u dhuruar puthjen e fundit kur flinin si ëngjëj, lanë kopetë pa nxjerrë nga vathi dhe nënat e nuset me lotët në sy e duke iu dridhur buza dhe ikën. Ikën me kokën prapa por me shumë shpresa. Atmosfera ngazëllyese që kishte mbuluar gjithë Shqipërinë, tashmë të pavarur e me shtetin e saj, i kishte bërë me krahë. Shqipëria u bë, dhe kjo ishte kryesorja. Kjo ishte gjithçka: gëzimi, hareja, jeta dhe vdekja. Të gjitha tashmë i takonin, asaj, Shqipërisë.
Askush nuk e di numrin e saktë të tyre. Dihet vetëm që si çetë bënin pjesë në batalionin e Vlorës. Dihet po ashtu se në ato luftime lanë 16 dëshmorë. 16 dëshmorë nga një fshat me 80 shtëpi. Shumica e tyre ishin të rinj. Me shtatin e gjatë si lisat e Qyramengës, me cullufet që u vareshin mbi ballë, me ata sy të bukur e vetullat kaleshe, me atë ecjen e shkathët si gjahtarët e egërsirave, ata përfaqësonin një forcë si ujët e përroit të Brashecit që kur del nga shtrati, nuk vë re se kë e çfarë gjen përpara. Donin të bashkonin të gjitha krahinat me Atdheun, donin ta bënin Shqipërinë të plotë.
Kur dolën te kthesa e Brashecit kthyen dhe një herë kokën prapa. Një tis i hollë mjergulle trazuar me tymin e zjarreve të porsandezur kishte mbuluar fshatin.
-Si vello nusërie, tha dikush.
-Në dasëm vemi, e pasoi tjetri dhe pas kësaj ra një heshtje e trishtë. Secili mendonte për punët dhe hallet që la prapa.
U nisën në dimër. Nuk kishin çelur akoma lulet e kumbullës dhe të lofatës. Në pllajat e Vaskes, Drenikës dhe Shullerit të Policës bari i mbrojtur gjatë gjithë vjeshtës ishte bërë për t’u korrur. Lule delet midis gjelbërimit ngjanin si miliona flutura të bardha të cilat i bënin karshillët ngricës. Poshtë lumi Shushica, atë ditë vezullonte një ngjyrë kristali. E shikoje dhe magjia e tij të rrëmbente. Ç’ishte gjithë ai shkëlqim mbi sipërfaqen e tij? Mos vallë donte edhe ai të përshëndetej e të ndahej me ta? Natyra fshatit tonë, Bratit, i ka falur shumë bukuri, por mbi të gjitha, Shushicën. Me të ishin të lidhura gjithë kujtimet e djemve që u nisën. Lamtumirë Shushicë, perla e fshatit tonë!
Fshatit i kishin ikur djemtë, pjesa më e bukur e jetës së tij. Por kjo nuk ishte hera e parë. Ai në luftë e kishte kaluar jetën dhe prandaj e dinte që te kjo ikje qëndronte madhështia e tij. Vitet që do të vinin më pas, do të kishte ikje të tjera dhe, përsëri, madhështia do të rritej dhe jehona e saj do t’i kalonte hapësirat e tij. Te këto ikje do të qëndronte krenaria dhe stoicizmi i gjithë fshatit. Dhe këto ikje do të ngjiznin atë që ne e quajmë ndjenja e traditës dhe e vazhdimësisë, ndjenjë e cila, për ditë pasurohet dhe asnjëherë nuk ka fund. Sa herë u lëndua, sa herë u palgos e u vra, sa herë u shkretua ky fshat, por kjo ndjenjë bëri që ai të qëndronte në këmbë. Lindnin brezat e rinj dhe në kokën e djepit pikturohej shqiponja dhe dyfeku. Dhe fshati im lindte shumë fëmijë, të cilët para ABC mësonin kuptimin e këtyre simboleve, që nënat e tyre të reja dhe gjyshet ua këndonin në ninullat për t’i zënë gjumi.
Në kryengritjen fshatare të vitit 1847 kundër reformave të Tanzimatit ata kishin ikur përsëri dhe përkrah Gjolekës luftuan në Mifol e në Delvinë. Në letrën e drejtuar mbretit të Greqisë më 15.8.1847 ku i kërkohej ndihmë për luftën kundër Turqisë, është edhe firma e burrit trim e të zgjuar, bashkëfshatarit tonë Lilo Qendro. Në vitin 1848 Turqia internoi shumë udhëheqës të Labërisë e midis tyre edhe Matan Haxhiun e Lilo Qendron nga Brataj.
Gjemit ‘e detit arrinë,
Na kërkojnë parësinë,
Në Brataj Matan Haxhinë,
Lilo Qëndro nishallinë.
Kjo, këngë, megjithëse kanë kaluar mbi 200 vjet, këndohet edhe sot. Këndohet sepse ajo pasqyron jo vetëm një gjëmë të madhe, mbi 500 vetë të internuar, por edhe një heroizëm të madh, një atdhedashuri të zjarrtë. Matan Haxhiu ynë vdiq në internim, ndërsa Lilo Qendrua u kthye pas pesë vjetësh.
Dhe ikje të tilla, të mbuluara me zulmë, pasonin njëra tjetrën. Pas Lidhjes së Prizrenit, veprimet antiturke, si kudo edhe në fshatin tonë u rritën së tepërmi. Sulmoheshin karvanet e prapavijave turke, kapeshin patrulla e korjerë, dhe organizoheshin kudo prita. Pasho Poraqi bashkëfshatari ynë kishte organizuar një grup të tillë. Tregojnë se ua nxiu jetën trupave turke. Por, më në fund, në befasi e kapën në fshatin Shkozë të Kudhesit. E çuan në burgun e Beratit, ku pas disa ditësh e gjetën të vrarë brenda në qeli. Kushedi çfarë qëndrimi burrëror do ketë mbajtur, sepse nga ky qëndrim u keqtrajtua në mënyrën më mizore krejt fisi i tyre. Turqit u morën gjithë pasurinë, përfshi edhe shtëpitë, duke i detyruar kështu të iknin nga fshati. Ata ikën por fshati nuk i harroi. Bashkëfshatarët e mi të mrekullueshëm, megjithëse i kishin blerë nga turqit, për të mos i lënë shkretë, përsëri ato prona edhe sot mbajnë emrin e Poraqe. E bënë këtë sepse ajo familje kishte bërë histori në jetën e fshatit.
Ju bëtë luftën e madhe,
Kur Shqipëria kish halle,
I vinin ujqit vërdallë,
Mes për mes donin ta ndajnë.
Mbrëmja i zuri në mal të Nanoit. Fshehur pas gurëve e kodrave ndezën nga një zjarr që të merrnin veten. Gjatë udhëtmit kishte rënë shi dhe ishin lagur. Të nesërmen morën vesh se garnizoni turk i Janinës, pas disa luftimesh u ishte dorëzuar grekëve. Djemtë zunë pozicione. Përballë Janina u kujtonte Ali Pashën, u kujtonte birbilejtë e burgun famëkeq ku kishin qenë të burgosur shumë bashkëfshatarë të tyre. Por ajo u kujtonte edhe “Zosimenë” ku kishin mësuar shumë atdhetarë të Rilindjes. “Janinës ç’i panë sytë” është një këngë e vjetër labe. Po më keq akoma po u shikonin sytë djemve tanë. Misioni për të cilin ata shkuan dështoi. Janina nuk do të ishte më jona. Por qëllimet e grekëve synonin shumë më larg. Ata donin gjysmën e Shqipërisë, deri në lumin Shkumbin. Duhej ndërprerë ky marshim ogurzi i tyre. U duhej dalë përpara ushtarëve grekë. Pa luftë asnjë hap mbrapa! Dhe kështu filloi përleshja me një ushtri të organizuar e me armatim modern të kohës. Ranë dëshmorët e parë dhe siç thotë kënga:
Hallall gjirin djemtë tanë,
U mbeti dora në kamë,
Vratë shum’e pra u vranë,
Me nder e mbuluat fshanë!
Përpara një force të tillë qëndresa këmbëngulëse do të thoshte asgjësim. Varrosën dëshmorët e rënë dhe filloi tërheqja nga vija në vijë. Me luftë, me prita, me kundërsulme. Gjakun e derdhur do ta paguanin edhe forcat armike. Dhe e paguan. Por në çdo vijë luftimi, gjatë përleshjes, binin luftëtarë të rinj. Numri i tyre mbërriti në gjashtëmbëdhjetë. Gjashtëmbëdhjetë lapidarë të cilët do t’i flisnin historisë se sa dhe si e donin shqiptarët atdheun e tyre, sa të etur kishin qenë për liri. Varrosnin bashkëfsahtarin dhe ja merrnin vajit me këngë të cilën e improvizonin në çast: “Ali Çaush Memokendi / O trimi që s’luan vendit”. “O Halim Sherifi ynë / Bashkë me Jakup Myslinë/ Drit’e shkruat historinë / Ne as varret nuk ua dimë”.
Kështu deri sa arritën në Qafën e Mëretes në Kuç, ku gjetën luftëtarë të tjerë të komanduar nga biri i Bratit Memo Metja.
Me respektin dhe mirënjohjen më të madhe për gjyshërit tanë, me dashurinë për fshatin që i lindi dhe i rriti dhe me krenarinë për kombin vital, që u dha krahë djemve dhe vajzave të tij, për të qëndruar në mbrojtje të atdheut, po rendis më poshtë emrat e dëshmorëve të fshatit tonë që ranë në luftën e Janinës. Ali Çaush Memokendi, Adem Selfo Brahimi, Çelo Aliko Muçaj, Emin Hasan Nikaj, Hakan Miftar Nika, Halim Sherif Lilo, Isa Memisha Koçi, Jazo Memisha Koçi, Jazo Veliko Jazaj, Jakup Musli Lilaj, Maske Feta Barjamaj, Ramadan Kamber Ferraj, Rushit Çaush Memokëndaj, Veiz Iljaz Durmishi.
…Ajo pjesë e çetës që shpëtoi u kthye në fshat. Me një dhimbje të thellë në shpirt u shpërndanë nëpër shtëpitë e dëshmorëve. Do shpinin atje amanetin e tyre. Fshati ishte në një zi të thellë. Edhe gurët e drurët të dukej se rënkonin. Ky rast ishte vërtetë një pellg gjaku, dhe liria ruhej e çmohej me kaq fanatizëm, pikërisht sepse i kishte rrënjët në pellgje të tilla. Elegjitë e nënave u përhapën hapësirave të fshatit.
Ramadani yn’o djalë,
Mir’e ngjeshe jataganë,
Martin’e gjysdan’e larë.
…Në male përmbi Janinë
Mbet’atje për Shqipërinë.
Vatë e nuk u kthyet kurrë,
Po se lëshuat flamurë!
Ata e deshën Atdheun jo se ishte i madh, por sepse ishte i tyre.
Kanë kaluar mbi 100 vjet prej atëherë, por kujtimi i tyre kurrë nuk është harruar, sepse edhe misioni i tyre kurrë nuk është tjetërsuar. Sa herë që e kërkon koha, ata janë aty, në Brataj, si simbole të atdhedashurisë.