Ish-kryeministri dhe ish-kreu i PD, Sali Berisha ka “kryqëzuar” në mbledhjen e grupit parlamentar kreun e PD-së, Lulzim Basha, në lidhje me lëvizjen dhe tentativën për të zhdukur nga kalendari i datave historike, 20 shkurtin.
CNA.al mësoi se Berisha ka folur gjatë në mbledhjen e grupit, ku ka shpjeguar simbolikën e asaj date si dhe arsyen pse është shpallur me vendim qeverie si simbolikë e persekutimit komunist.
Ish-kryeministri Berisha i është drejtuar me ton Lulzim Bashës, duke theksuar, se PD ka më shumë se dy vite që nuk e përkujton 20 shkurtin dhe nuk zhvillon asnjë aktivitet.
Ish-kryeministri i vendit dhe lideri historik i PD-së, mesa duket e ka të qartë dhe të fotografuar mjaft mirë çdo detaj që ka të bëjë me 20 shkurtin dhe lëvizjen e Lulzim Bashës për të zhdukur këtë datë dhe simbolikën e saj.
Mësohet se ish-kreu i PD-së ka theksuar në mbledhje se, “data dhe ngjarje ka shumë, por 20 shkurti ka një simbolikë të veçantë dhe askush nuk mund ta ndryshojë.”
Kjo ndoshta ka qenë edhe arsyeja pse ish-kreu i qeverisë ka mbajtur një leksion të gjatë për deputetët duke ju shpjeguar vendimin e qeverisë së tij për 20 shkurtin dhe simbolikën e saj.