Loading...

Ballokume Tradicionale – Receta sekrete nga nenat e Elbasanit

Ballokumja është një nga ëmbëlsirat autentike shqiptare, traditë e qytetit të Elbasanit dhe simbol i Ditës së Verës gjithashtu.

Pavarësisht se kjo ëmbëlsirë shijon përherë në çdo kohë, tradita e përgatitjes së saj me rastin e Ditës së Verës vijon edhe sot të jetë një traditë e të gjitha amvisave.

Kjo recetë kërkon durim dhe kujdes duke nisur nga përzgjedhja e përbërësve dhe deri tek përpunimi i tyre, e mandej procesi i fundit i pjekjes.

Receta autentike e përgatitjes së ballokumes, të cilën  e sjellim më poshtë, ka disa elementë specifikë të cilët bëjnë diferencën në shijen perfekte të saj.

Një nga përbërësit unik të ballokumes është finja. Ajo përgatitet nga hiri i zjarrit, e madje nënat e gjyshet e vjetra elbasanase kujdesen që të marrin hi nga zjarri me dru ahu.

Finja i jep ballokumes shkriftësinë tipike.

Edhe ena ku përgatitet ballokumja është tipike në përgatitjen e kësaj ëmbëlsire. Ajo duhet të jetë prej bakri, madje në disa zona thuhet se ena prej bakri duhet të jetë e pa kallaisur, ndërsa në disa të tjera ena duhet të kallaiset. Në mungesë të kësaj ene mund të përdorni një tas të madh prej qelqi.

Ndiqni më poshtë  recetën autentike të përgatitjes së Ballokumeve sipas traditës së amvisave të Elbasanit.

Përgatitja e Ballokumeve të Elbasanit në Shtëpi

Përbërësit

1 kg sheqer (jo i bluar)

1 kg mielli misri i situr

500 gr gjalpë i freskët (sipas këshillës së amvisave të Elbasanit gjalpi duhet të jetë dhie)

8 kokrra vezë

Gjysmë filxhani kafeje me ujë finje (përgatitet përmes hedhjes së dy-tre lugë gjelle nga hiri i zjarrit në një gotë me ujë, e cila lihet përreth 30 minuta dhe më pas kullohet me kujdes)

Përgatitja

Si fillim, në enën e bakrit apo të qelqit, hidhet sheqeri dhe gjalpi i shkrirë, temperatura e të cilit duhet të jetë e vakët.

Përzihet përmes një luge druri përreth 25-30 minuta derisa masa të bëhet kremoze.

Më pas shtojmë një vezë dhe vijojmë përzierjen me lugë druri. Shtojmë vezën e dytë dhe vijojmë përzierjen me lugë druri, vijojmë po kështu me vezën e tretë dhe me rradhë.

Vijojmë pa ndërprerje përzierjen ndërsa shtojmë ujin e finjës ose në mungesë të tij shtojmë pak qumësht.

AgroWeb.org ju sugjeron të shtoni miellin e misrit me dorë gradualisht duke vijuar pa ndërprerje përzierjen me lugë druri derisa të keni mbaruar gjithë masën e miellit.

Trazohet fort me lugë druri që të mos krijohen kokërriza dhe masa të bëhet krejtësisht e njëtrajtshme.

Masa nis të punohet me dorë derisa brumi të jetë aq i plotë sa të mos rrafshohet kur e mban në dorë.

Brumi ndahet në copa të cilave u jepet forma e rrumbullakët. Më pas vendosen në një tavë të lyer me gjalpë dhe pudrosur me miell misri. Ballokumet vendosen me një distancë nga njera tjera pasi vëllimi i tyre do rritet gjatë pjekjes.

Vendoset në furrë të parangrohur në temperaturën 180-200 gradë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com