Nën kurorën e lisave që ngrihet në qendër të fshatit ndodhet Manastiri i Shën Nikollës. Jo larg tyre ndodhet rrapi i vjetër shekullor, për të cilin legjenda thotë se “nën rrapin e madh e të vjetër, burrat e vendit uleshin e kuvendonin”. E sot, piluriotët mblidhen ngaherë në atë vend teksa ulen e flasin e zhvillojnë aktivitete. Aty mblidhen edhe turistët e parë që vizitojnë Pilurin, apo, ashtu siç quhet ky vend, “ballkoni i bregut”.
Të shkosh në Pilur
Nga rruga kombëtare në boshtin e jugut, pas Palasë, Dhërmiut, Vunoit dhe Himarës Fshat, në Himarë marrim në të majtë të rrugës automobilistike ku ecim drejt Pilurit, i cili ngrihet në 700 metra lartësi. Nga larg, duket si një grumbull pemësh i rrethuar nga një mur guror tejet i madh.
Rruga kalon më pas në një të përpjetë, ngjitur me një faqe mali të zhveshur dhe të thepisur, por pamja që të shfaqet është një nga më marramendëset e rivierës shqiptare, diagonal me detin. Pamja e parë e fshatit shfaqet nga poshtë tij, ku rruga më në fund arrin kreshtën, pothuajse si një galeri që kalon përmes pemëve për të dalë përfundimisht aty ku ndihet se është çatia e botës.
Në kujtimet e tij, dy shekuj më parë, poeti dhe udhëtari i famshëm anglez, Edward Lear, tha: “Piluri duket si të jetë vënë mes parajsës/qiellit dhe reve”. Mbi të, Maja e Pikës së Cipthit ngrihet në një lartësi rreth 1800 metrash mbi nivelin e detit. Në pllajë, fusha e Vanovës, në lindje, dhe ajo e Vumlos në juglindje, qëndrojnë në një lidhje të ngushtë harmonike mes tyre nga mënyra se si kanë qenë projektuar, punuar e sistemuar në tarraca gjatë komunizmit nga aksionistët për mbjelljen e kulturave të ndryshme bujqësore.
Piluri në histori
I njohur si ballkoni i bregut, ky fshat ndodhet dikund tjetër prej andej nga u ngjiz. Emri “Pilur” u shfaq fillimisht më 1431-1432 si pjesë e nahijes së Sopotit (sot Borshi, rreth 20 kilometra më në jug), me gjithsej 13 shtëpi.
Kjo vendndodhje e dikurshme ishte pikërisht mes Kuçit të sotëm dhe Kudhësit, shumë më ulët në lartësi. Në vitin 1506 dhe sërish më 1520, ndaj rezistencës osmane, që u përhap në gjithë bregun, piluriotët refuzuan regjistrimin me Timarët, si shenjë qëndrese kundër pushtimit osman.
Pas 30 vitesh, më 1551, Piluri u numërua dhe regjistrua edhe një herë; veçse këtë herë si pjesë e një vendbanimi të afërt, të njohur si Sanxhaku i Delvinës. Që atëherë numri i shtëpive u rrit në 60 të tilla.
Ashtu si himariotët, edhe piluriotët ishin aktivë në rezistencën ndaj regjimit osman. Emrin e këtij fshati e gjejmë edhe në letrat e dërguara nga Papa Grigori XIII në vitin 1577, careshës ruse Elisabeta Petrovna, në vitin 1759, por edhe perandorit austriak Franc Jozefit II, në vitin 1786.
Për shkak të këtij qëndrimi dhe raprezalieve, në vitin 1750, popullsia u detyrua nga trupat osmane të lërë vendbanimin fillestar pranë Kuçit dhe të zhvendoset, në një pjerrësi poshtë fshatit të sotëm dhe më pas në majë të kodrës, aty ku gjenden edhe sot. Por ende sot, në të dyja vendbanimet, ruhen mjaft mirë rrënojat e dikurshme të shtëpive piluriote. Ato mund të vizitohen në prani të një udhërrëfyesi vendës dhe duhet të keni eksperiencë në ngjitjet malore.
Pas pushtimit të Himarës nga Ali Pashë Tepelena në vitin 1810, Piluri u bë pjesë e zotërimeve të Pashait të Janinës, ndërsa pas shpalljes së Pavarësisë më 17 mars të vitit 1913, Piluri së bashku me fshatrat e tjerë të Himarës iu përgjigj pozitivisht kërkesës së qeverisë së Vlorës për t’iu bashkuar shtetit shqiptar.
Në Pilur sot gjenden dy vendbanime që më parë kishin qenë të banuara që në periudhën e bronzit të vonë, në shekujt VII – VI Para Krishtit, si Fortifikimi i Majës së Qytezës në perëndim të fushës së Vumloit dhe një tjetër që ndodhet në kodrën e Kolëzës në jug të fushës së Vumloit.
Po atje, në këmbët e kodrës së Kolëzës, ndodhet edhe një nekropol antik i quajtur nga vendasit si Varret e Jelimëve, ku nga kjo varrezë antike ruhen ende edhe sot varre të tipit cist, të datuara në shekujt II-III Para Krishtit.
Gjetje të lashta të periudhës antike janë vërejtur edhe në lindje të fushës së Vanovës, në vendin e quajtur Rësa, si dhe në Toçile, ku janë zbuluar gjurmët e një ujësjellësi të periudhës romake.
Në vend të mbylljes
Fshati i sotëm Pilur ofron për turistët shtëpi pushimi apo shtëpi pritëse, ku vizitorët “përballen” edhe me copëza të historisë së lashtë piluriote, që nga traditat, zakonet apo aftësitë artistike të këtyre banorëve, ku dy prej shtëpive të këtij fshati shesin produktet e tyre artizanale.
Duke iu referuar regjistrit të popullsisë në vitin 2015, në Pilur jetojnë afërsisht 500 banorë. Por banorët deklarojnë me krenari se janë pasardhës të po atyre familjeve që kanë jetuar në këtë zonë që prej shekullit të XV