Policia e Kosovës arrestoi të enjten pesë shtetas turq, punonjës të Institucionit Arsimor Gylistan, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë.
Në mesin e të arrestuarve janë dy drejtorë të Shkollës “Mehmet Akif” në Prishtinë dhe Gjakovë, një zëvendësdrejtor dhe dy arsimtarë.
Të gjithëve ju kanoset deportimi në Turqi, ndonëse autoritetet ende nuk kanë dhënë asnjë hollësi për arsyet e arrestimeve.
Në dhjetor të vitit të kaluar prokuroria e Kosovës refuzoi kërkesën për ekstradimin e një shtetasi turk që kërkohej nga Turqia nën akuzat për përfshirje në grusht shtetin e korrikut të vitit 2016.
Uğur Toksoy, punonjës i fondacionit arsimor, “Atmosfera” u arrestua në tetor pak pas vizitës në Kosovë të kryeprokurorit të Ankarasë, Yüksel Kocaman, i cili sipas medieve turke, u kishte dorëzuar autoriteteve në Kosovë emrat e 25 shtetasve të Turqisë që kërkohen nga autoritetet turke.
Turqia ka arrestuar më shumë se 50 mijë veta në operacionet kundër mbështetësve të dyshuar të Fethullah Gulenit, klerikut që akuzohet se qëndronte para grusht shtetit të korrikut të vitit të kaluar.
Kleriku Gulen që jeton në Shtetet e Bashkuara i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Fondacioni i tij FETÖ drejton rreth 40 shkolla në Ballkanin perëndimor përfshirë 15 institucione në Bosnjë, 12 në Shqipëri, 7 në Maqedoni, pesë në Kosovë dhe në një Serbi.
Një goditje e gjerë qeveritare pas grusht shtetit që la pas vetes 250 të vrarë dhe mbi 2 mijë të plagosur, vuri në shënjestër mbështetësit e Gulenit dhe kundërshtarët tjerë të qeverisë turke.