Vendimi për t’u stërvitur në kryeqytet nuk ka qenë edhe aq i lumtur për përfaqësuesen e Norvegjisë, e cila kishte ndryshuar planet e saj për të mos udhëtuar drejt Elbasanit në orët e pasdites.
Nordikët përfunduan duke u stërvitur gjatë paradites së sotme në “Selman Stërmasi” një zgjedhje për të cilën janë penduar të gjithë.
Fusha e impiantit kryeqytetas ishte në gjendje të mjerueshme, edhe për shkak të vetë terrenit gjatë periudhës së shirave, por edhe për faktin se vetëm dy ditë më parë në të ishte luajtur ndeshja e Shpresave ndaj Sllovakisë.
Sipas “vipsport.al”, këtë e kuptuan shumë mirë norvegjezët, të cilët për mediat vendase nuk kanë ngurruar të ankohen për këto kushte.
“U stërvitëm në një gropë me llucë, e kam seriozisht”, tha lojtari i Celtic Glasgow, Christofer Ayer, i cili shihet si një nga yjet e të ardhmes së Norvegjisë.
“Jemi me fat që nuk do të luajmë këtu nesër”, shtoi ai.
Ndërsa Markus Henriksen, mesfushori i Hull City në Premierligë theksoi: “Kushtet e fushës ishin absolutisht të tmerrshme. Nëse më duhet të zgjedh mes një fushe të tillë dhe asaj me bar artificial, unë zgjedh atë me bar artificial. Kishte shumë kohë që nuk stërvitesha në një fushë kaq të keqe”.