Humbja 1-0 ndaj Norvegjisë, ka sjellë reagimin e specialistëve të futbollit. Shkëlqim Muça ka kritikuar ashpër paraqitjen e disa prej futbollistëve në sfidën ndaj nordikëve, duke i përmendur edhe me emra.
“E kisha parashikuar që do ta kishim të vështirë sot me atë mesfushë që kishim. Nuk pamë asnjë gjë të saktë sot. Skuadra nuk luajti me impenjimin e duhur, në mënyrë që edhe trajneri të shohë dhe të nxjerrë mësimet nga një ndeshje miqësore. Pashë një ekip të shturrur.
Mavraj dhe Ajeti ishin katastrofë. Sadiku nuk kishte një lojtar pranë që të kapte zonat që ai linte bosh. Lojtarët e krahëve qëndronin shumë larg shokëve të ekipit. Grezda dhe Roshi nuk u kthyen pas duke mos ndihmuar ekipin. Strakosha ishte në formë, sepse na shpëtoi në shumë raste. Jo çdo lojtar që luan jashtë është gati për të qenë pjesë e Kombëtares. Pashë lojtarë që nuk kishin nivelin e duhur, si Ramadani, Bare, Lika apo edhe Qaka. Duhet të bindin shumë te Shpresat që të vijnë në Kombëtare.
Mua Grezda nuk më pëlqeu fare, sepse merrte topin dhe kërkonte të bënte vet çdo gjë. Ne nuk kemi 2-3 lojtarë cilësorë në ekip që të na nxjerrin nga situata. Jemi një ekip punëtor dhe këtë gjë e kishte kuptuar De Biazi, i cili i mori maksimumin grupit”, tha Shkëlqim Muça në emisionin “Ëndërr kuqezi” në RTSH.