Më shumë se 3 mijë shtetas shqiptarë nuk janë lejuar të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së gjatë dy muajve të parë të këtij viti, pasi ka pasur dyshime se ata do të kërkonin azil.
Në të gjitha pikat e kalimit të kontrollit kufitar, në zbatim të planit të masave për parandalimin e azilkërkimit të shtetasve shqiptarë në vendet e BEsë, ka vijuar zbatimi i masave shtesë për këtë qëllim.
Masat kanë konsistuar në sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për pasojat e qëndrimet përtej afateve dhe azilkërkimin e pabazë. Policia tha dje se, në drejtim të kontrollit të shtetasve shqiptarë, që kalojnë kufirin shtetëror, plotësimin e kushteve për udhëtim drejt vendeve të BE-së, për periudhën 1 janar – 28 shkurt 2018, janë prapësuar nga Policia Kufitare në Pikat e Kalimit Kufitar 3307 shtetas, nga këta 246 minorenë.
Nga Policia Kufitare janë intensifikuar operacionet e rikthimit të shtetasve shqiptarë, në bashkëpunim me Frontex-in dhe me vendet e destinacionit. Për periudhën 1 janar – 28 shkurt janë kryer 156 operacione me 1044 shtetas të kthyer, nga këto 7 operacione janë zhvilluar me kërkesën e Policisë Kufitare shqiptare në bashkëpunim me Frontex-in, si dhe 149 operacione nga vendet e destinacionit. Gjatë këtyre dy muajve janë trajtuar 31 kërkesa dhe janë riatdhesuar 21 të mitur.
Të gjitha rastet e riatdhesimit të të miturve të pashoqëruar janë trajtuar në bashkëpunim me shërbimin social shtetëror. Është intensifikuar mbikëqyrja e kufirit për parandalimin e kalimeve të paligjshme të kufirit. Për periudhën të cilës i referohet Policia e Shtetit, janë kapur 311 shtetas shqiptarë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Vëmendje i është kushtuar edhe forcimit të kapaciteteve profesionale të shërbimeve kufitare për identifikimin e dokumenteve të udhëtimit të falsifikuara, duke zhvilluar trajnime të specializuara dhe të avancuara. Në këtë drejtim, gjatë 2 muajve janë proceduar 45 shtetas me dokumente udhëtimi të falsifikuara.