Loading...

10 fjalë që i dëgjon po të rrish me një gjirokastrit

Ti e kupton menjëherë nëse dikush që sapo takon është nga Vlora, Shkodra, apo Gjirokastra. Mësohesh me dialektin e tyre, tingëllimin e fjalëve, shprehjet, derisa papritur dëgjon një fjalë. “Çfarë do me thënë????????”, pyet me habi. Dhe personi përballë e përsërit po aq i habitur sesi ka mundësi që nuk e kupton një fjalë aq të zakonshme, por ja që ndodh.

Gjirokastra, është një nga ato qytete, që prej vendndodhjes pranë Greqisë e ndikimeve të ndryshme, ka në leksikun aktiv disa fjalë që në zona të tjera të Shqipërisë as që nuk kuptohen. Njihuni me disa prej tyre, që kur të shkoni në Gjirokastër për ndonjë festë a festival të mundshëm, apo për të zbuluar e njohur nga afër këtë qytet që mbrohet nga Unesco, t’ua dini kuptimin. Përkthimi është me përafërsi.

I, e Ilimaksur– I, e babëzitur. Përdoret në rastet kur dikush ha diçka shpejt dhe me babëzi sikur të kishte kohë pa ngrënë. Ha si e ilimaksur.

Qifqi (Theks fundor)-Gatim tradicional. Qofte me oriz dhe nenexhik, të skuqura në një tigan special me forma. Është një nga emrat që do e hasni në shumicën e menuve të këtij qyteti. Vetëm kujdes: Mos i hani si të ilimaksur!

Thjam– I, e ndotur, shumë pis. Sa thjam je bërë!

Cuks-Ndjesia e djegies në lëkurë. Po më cuks plaga.

Qilis-Prek tokën me një copë që varet. Ngrije atë batanijen se e qilise.

Zabërhan-Bredharak. Je bërë një zabërhan ti!

Kselhasem-Çlodhem. Hiç, ja po kselhasem.

Sfarangonje (theks fundor)-Rrjetë merimangash. Paskan zënë muret sfarangonje.

Haraks-Hutim, humbje e mendjes, fiksim diku pa e pasur mendjen.  Pse rri si e haraksur?

Eflatun-Shumë i shkathët. Vajzë eflatune.

Gjuha shqipe pastrohet vazhdimisht nga fjalët e huazuara megjithatë fjalët që përdoren në disa qytete janë gjithmonë një e përbashkët që i afron më shumë njerëzit e atij qyteti kudo që janë e i bën të qeshin, si t’u kujtoje një copë fëmijërie. Kështu që gjirokastritët janë të lutur të na kujtojnë  fjalë të tjera që përdoren në qytetin e tyre.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com