Loading...

Vettingu në polici, Hodaj: Jo thjesht fshesë, në sitë 13,000 punonjës

Zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj, ka folur pas mbledhjes së qeverisë, ku u miratua projektligji për “Për vlerësimin kalimtar të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat”, i njohur si Vetting-u.

Në fjalën e tij, Hodaj u shpreh se Vettingu nuk është thjesht fshesa e radhës, aty ku ka elementë të prekur nga krimi dhe korrupsioni apo të paaftë. ”Aspekti më i rëndësishëm i kësaj nisme është një tjetër: është promovimi i atyre që janë të ndershëm, të aftë dhe të përkushtuar, është çlirimi i energjive pozitive, sot disi të fjetura, tek pjesa e shëndoshë e institucioneve”,-theksoi Hodaj.

Më tej zv.ministri i Brendshëm, foli për një proces të paanshëm, cilësor e transparent, të shpejtë në kohë dhe me kosto të përballueshme. Në këtë proces, do të nënshtrohen rreth 13,000 punonjës, ku monitorues do të jenë partnerë ndërkombëtarë.

”Partnerët ndërkombëtarë do të kenë rol monitorues dhe këshillues përgjatë gjithë procesit, duke nisur që nga përzgjedhja e anëtarëve të Komisionit të parë të vetingut dhe duke vazhduar këtë rol gjatë procesit të vlerësimit, me qëllim garantimin e cilësisë, zbatimit të njëjtë të standardeve dhe garantimin e transparencës së vetë këtij procesi”,-u shpreh më tej Hodaj.

Deklarata e plotë

Qëllimi i kësaj nisme është të japë një kontribut në krijimin dhe konsolidimin e institucioneve të forta dhe të besueshme, me profesionistë me integritet. Në radhët e Policisë së Shtetit ka gra dhe burra, vajza dhe djem të ndershëm dhe profesionistë. Është pikërisht kjo baza prej të cilës duhet të ndërtohet institucioni i së ardhmes.

Vlerësimi kalimtar i punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së, nuk është thjesht fshesa e radhës. Padyshim pastrimi i radhëve është i rëndësishëm në kushtet brenda tyre ka elementë të prekur nga krimi dhe korrupsioni apo të paaftë. Gjithsesi, aspekti më i rëndësishëm i kësaj nisme është një tjetër: është promovimi i atyre që janë të ndershëm, të aftë dhe të përkushtuar, është çlirimi i energjive pozitive, sot disi të fjetura, tek pjesa e shëndoshë e institucioneve.

Ky projektligj përcakton parimet, kriteret, procedurat e vlerësimit kalimtar dhe periodik, standardet, organizimin dhe funksionimin e organeve të vlerësimit për punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme.

Është përzgjedhur një model i përzier ku gradat e larta vlerësohen nga komisione të pavarura me punonjës të rekrutuar nga jashtë, ndërsa në nivelet e tjera komisionet integrohen me punonjës që e kanë kaluar me sukses vlerësimin.

Janë konsideruar me kujdes të gjitha aspektet organizative dhe financiare, për një proces të paanshëm, cilësor e transparent, të shpejtë në kohë dhe me kosto të përballueshme pasi procesit do ti nënshtrohen rreth 13,000 punonjës. Drafti u hartua me bashkëpunimin dhe këshillat e vyera të misioneve që asistojnë Policinë e Shtetit, PAMECA dhe ICITAP, të cilat ishin pjesë e grupit të punës që nga fillimi.

Projektligji ka kaluar edhe një proces të gjerë dhe gjithëpërfshirës konsultimi, duke filluar nga konsultimi me vetë punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës e SHÇBA, për të kaluar në konsultimin me përfaqësues të institucioneve publike, shoqërisë civile dhe përfaqësive apo misioneve diplomatike prezentë në Shqipëri.

Ministria e Brendshme nuk do të pjesë e procesit e vlerësimit, për të garantuar pavarësinë, paanshmërinë dhe besueshmërinë e tij, përkundrejt punonjësve që vlerësohen apo përkundrejt publikut.

Partnerët ndërkombëtarë do të kenë rol monitorues dhe këshillues përgjatë gjithë procesit, duke nisur që nga përzgjedhja e anëtarëve të Komisionit të parë të vetingut dhe duke vazhduar këtë rol gjatë procesit të vlerësimit, me qëllim garantimin e cilësisë, zbatimit të njëjtë të standardeve dhe garantimin e transparencës së vetë këtij procesi.

Ministria e Brendshme falënderon të gjithë ata që kontribuuan në hartimin e këtij projektligji për qasjen pozitive, konstruktive dhe për kontributet e dhëna në përmirësimin e cilësisë së kësaj nisme.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com