Loading...

“Sofra e Zotit” në Vranisht ura lidhëse mes tokës dhe qiellit

Mitologjia, antikiteti dhe historia duket se janë duke na dhënë disa detaje të pakundërshtueshme që jo vetëm provojnë vjetërsinë e tokës sonë, po edhe jetën që ka qenë në to dhe zhvillimin që ka pasur.

Shumë qytetërime humbën në mjegullnajën e kohës e një prej tyre ishte edhe Horea, një qytet që përmendet nga historiani më i rëndësishëm romak i antikitetit, Titlivi, që e cilëson si një zonë të fortifikuar në zonën e Epirit.

Pavarësisht dyzimit historik, fati i Horeas duket i lidhur me këtë një marshim shkatërrimtar romak. Sot toponimet të çojnë vetëm në një vend, në zonën e lumit të Vlorës, pranë fshatit Vranisht, atje ku të gjithë e dinë se ku ndodhet qyteti i Horës.

Ky emër identifikues është mbartur brez pas brezi. Pikërisht në Hora ndodhej edhe “Sofra e Zotit”, shkëmbi gjigand që i jep një identitet tjetër këtij qytetërimi.

A thua natyra ta ketë shkëputur këtë shkëmb gjigant nga diku sipërmi për ta vendosur më pas si një tryezë mbi dy shkëmbinj më të vegjël? Si mundet të ketë qëndruar në një precizion të tillë që do të sfidonte edhe gjeometrinë e sotme?

Çfarë është ky monument që banorët e kanë pagëzuar si “Sofra e Zotit” apo “Guri me Qiell”? Këtë mund ta zbulojmë vetëm nëpërmjet këtyre të dhënave që na jepen nga studiues të ndryshëm.

Edhe pse mund të duket e pabesueshme, ky monument që ngrihet në majën e malit të Lipes mbi fshatin Vranisht, rreth 50 kilometra larg qytetit të Vlorës, nga arkeologu dhe studiuesi Moikom Zeqo është identifikuar si i realizuar nga njerëzit.

Është një gur në formën e një pllake  tepër të madhe ciklopike, që rri varur  mbi dy gure të tjerë mbajtës dhe merr formën e një sofre, që akoma edhe kësaj dite, nuk ka marr një përgjigje të saktë se kush e ka vendosur ashtu.

Në fakt, shkenca monumente të tilla i njeh me emrin dolmenë, thënë ndryshe tipe varresh megalitikë të ndërtuar me gurë të punuar ose jo. Në disa raste ato ishin vend-prehje, në të tjera vend-sakrifikime apo edhe tempuj të shenjtë ku njerëzit u faleshin perëndive.

Teoria më e çmendur është ajo që dolmenët shërbenin si pika kontakti me jashtëtokësorët, kjo sepse ndërtimi i tyre në shumë vende të botës është i lidhur me diellin, dritën dhe energjinë e tij, çka sipas studiuesve është hasur edhe në piramidat e Egjiptit.

Në Evropë janë zbuluar shumë të tillë, më së shumti në Itali, Britaninë e Madhe, Francë, Irlandë , Gjermani, Spanjë etj., por ka shumë të tilla edhe përtej kontinentit si në Indi, Madagaskar, Afrikë të Veriut e më tej.

Monumentet kanë forma dhe madhësi të ndryshme, ashtu si zonat ku ngrihen. Në Shqipëri, “Sofra e Zotit” ndodhet relativisht larg, rreth 1 orë e 30 minuta në këmbë nga qendra e fundit e banuar që është Vranishti. Të gjithë në këtë fshat e njohin shtegun që të çon drejt këtij vendi mitik dhe nuk ngurojnë të të shoqërojnë.

Por si mund ta kenë zhvendosur njerëzit një gur të tillë që peshon rreth 10 tonë? A kanë pasur mjete të tilla me të cilat ta ngrinin në ato kohë të hershme? Mjafton të thuhet se monumente të tilla datojnë nga 4 deri 9 mijë vite më parë, por për shumë kërkues edhe më hershëm, deri 15 mijë vite më parë.

Nuk mund të mos bëhesh disi mosbesues. Megjithatë, askush deri më sot nuk i ka dhënë dot një përgjigje të prerë as mënyrës se si janë ngritur blloqet e gurëve të piramidave të Egjiptit. Edhe për to nuk mungojnë tezat, nga ato më të pranueshmet tek ato në dukje më absurdet. Ndaj nuk ka pse e njëjta mënyrë të mos jetë përdorur edhe këtu.

Historianë dhe arkeologë si Moriz Hoernes apo danezi Zinck kanë dhënë tezën se dolmenët duhen ndarë në grupe, duke qenë se vijnë si origjinë ndërtimore nga pjesë të ndryshme të planetit.

Megjithatë, shumica e ekspertëve të tjerë mendojnë se këto monumente prehistorike kanë origjinën nga e njëjta zonë. Tezat e tyre i kanë dhënë shumë ekspertë të njohur, si britaniku Glyn Daniel, historianet Janet Ross dhe Jean Arnal, arkeologët Jean Albert Bakker dhe Meyerhoff Janusz, këshilltari i UNESCO-s për periudhën megalitike Roger Joussaume e një pafundësi autorësh të tjerë, të cilët janë aq shumë sa është e pamundur t’i rendisësh të gjithë.

Askush nuk mund të thotë diçka të saktë apo 100 % të vërtetë. Por elementi i padiskutueshëm nga të gjithë mbetet se këto monumente janë vepër e njeriut.

Historia e dolmenëve endet mes fakteve të sjella nga historianët dhe mitologjisë së vendit ku ato ngrihen.

Në Irlandë legjendat theksojnë se ato mund të jenë ngritur  nga një popull prehistorik, Túatha Dé Danann, një tjetër se janë krijuar nga qytetërimi i humbur dhe kurrë i zbuluar i Atlantidës,  një tjetër se janë egjiptianët që e nisën me këto ndërtime për të arritur më pas te piramidat, ndërsa në Shqipëri nga pellazgët, sikurse tregojnë banorët.

Sipas tyre, fakt mbetet se përreth gjithçka lidhet për sa kohë poshtmi ndodhet guri i qytetit, ku ende mund të gjesh edhe pa gërmuar gjurmë civilizimesh të hershme. Më tej, “Lëmi i Lejlereve” apo i emërtuar ndryshe si “Pjella e bardhë” e po ashtu thellë në prehistori hidhen edhe shpella e banuar e Lipes, ajo e shkruar e Lepenicës apo ajo e Velçës.

Banorët e sotëm jetojnë mes këtyre legjendave që, sado të çuditshme të duken, janë pjesë e traditës e gojëdhënave të ruajtura brez pas brezi.

Sigurisht si për shumëçka në Shqipëri mungon një studim në tërësi i të gjithë këtyre emërtimeve dhe trashëgimisë që ato fshehin. “Sofra e Perëndisë” apo “Guri me Qiell” është jashtë vëmendjes, për të mos thënë se është e vështirë të mendosh nëse ekziston diku në regjistrat e pluhurosura të institucioneve përkatëse. E po kështu, mënjanë janë lënë edhe rrënojat e Kalasë së Horës, që ndodhet shumë afër fshatit Vranisht.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com