Loading...

Si do zhvillohet Orikumi? Habit Profesor Aleko Miho me studimin e tij.

Turizmi që duam – mbresa nga Orikumi

Aleko Miho, biolog / Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës

Turizimi është një çështje tepër e përfolur në gjithë këtë periudhë tranzicioni, i quajtur shpesh si një nga shtyllat më të forta të ekonomisë, si shpresë për të nxjerrë vendin nga prapambetja e trashëguar. Natyrisht, në gjithë këto vite ky sektor ka pësuar ndryshime të dukshme në përmasa dhe infrastrukturë, më e theksuar kjo në zonën bregdetare, nga Velipoja në Ksamil. Kjo tregon qartë se turizmi veror bregdetar mbetet sundues.

Mendoj se turizmi historik-kulturor ka pësuar një farë rritje, aty këtu edhe turizmi fetar, kurse turizmi dimëror ende më pak, kjo për mungesë infrastrukture rrugore dhe shërbimesh në zonat tona malore, por edhe për mungesë tradite turistike në vend. Ky është një dallim thelbësor me turizmin në vendet e tjera të rajonit, në të cilat shërbimet janë pak a shumë më të balancuara gjatë vitit, më të larmishme, ku përveç drejtimeve të mësipërme përfshihet edhe turizmi rural, ai i peizazhit, agroturizmi, ekoturizmi etj.

Është e vërtetë se të huajt e pëlqejnë Shqipërinë, bukuritë tona natyrore, peizazhin, historinë, traditën, folklorin, përfshirë dhe kuzhinën, por kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet të njohim të metat tona dhe të mos rreshtim përpjekjet që ato të ndreqen dhe vendosen në lartësinë e duhur. Pavarësisht nga arritjet, unë mendoj se mbetet ende për të bërë, për ta ngritur turizmin në nivelin që e kërkon koha.

Kjo varet nga zgjidhja e mangësive të trashëguara. Unë këtu do të trajtoj tri prej tyre, të cilat i konsideroj si themelore për jetën tonë në përgjithësi dhe për standardet e turizmit të qëndrueshëm në veçanti. Këto janë: uji i pijshëm, ujërat e zeza dhe cilësia e ushqimit. Si shembull do të marr Orikumin, ku shkoj vazhdimisht me pushime, edhe pse këto shqetësime nuk janë vetëm në Orikum, por kanë paralele të shtrira thuajse në gjithë vendin, përfshirë edhe Tiranën.

Orikumi dhe lidhjet e mia me të

Para viteve 1990-të Orikumi ishte një qytezë e vogël me përbërje kryesisht me ushtarakë të Bazës detare të Pashalimanit dhe me punonjës të Uzinës përkatëse. Ai u ngrit si qytet i ri në vitet 1950-të, në kohën e marrëdhënieve shqiptaro-ruse. Që nga ajo kohë zona zhvilloi edhe bujqësinë, kryesisht frutikulturën; shumë produkte të zonës shkonin edhe për eksport. Brezaret me agrume dhe ullinj nga Vlora në Orikum krijonin një peizazh rural bujqësor mahnitës, gërshetuar kjo edhe me detin blu poshtë tyre.

E them me bindje se vreshti në Radhimë mund të ketë qënë ndër më të mirët jo në Shqipëri, por në gjithë rajonin. Edhe para viteve 1990-të kishte një farë turizmi veror, por kuptohet në përmasa tepër modeste. Pas ndryshimit të sistemit, zona pësoi ndryshime rrënjësore, shoqëruar me dëmtime të rënda dhe braktisje të gjithë ndërmarrjeve, përfshirë këtu edhe në vetë Bazën ushtarake. Orikumi është një nga zonat tona bregdetare që pësoi emigrim në masë të madhe të gjithë fuqisë punëtore.

Si i tillë Orikumi vjen sot pas 25 vitesh tranzicion tepër i ndryshuar. Është shtuar shumë me ndërtime si vetë qyteti, dhe përgjatë gjithë bregdetit prej rreth 20 km deri në Vlorë, ku vështirë të gjësh sot një pëllëmbë të pa shfrytëzuar me hotele, restorante dhe shërbime të tjera; të gjitha këto janë në funksion të turizmit veror (kryesisht), dhe atij shëtitës/lëvizës, meqë shumë prej tyre gjenden në rrugën kombëtare që lidh me Rivierën jonike dhe më gjerë. Bujqësia është thuajse e braktisur, brezaret me agrume dhe ullinj, me fiq apo kumblla janë të lëna thuajse në mëshirë të fatit, pa asnjë kujdesje; ndoshta kjo për shkak të largimit të fuqisë punëtore, apo për shkak të përqendrimit të interesit vetëm tek turizmi veror; ndoshta prej shkatërrimit të sistemit të vaditjes, apo ndoshta se historikisht zona në përgjithësi nuk ka shumë traditë në bujqësi.

Blegtoria ka njëfarë rritje, ndoshta prej të traditës dhe nevojës për bulmet e konsum mishi, si do flasim më poshtë për ushqimin. Akuakultura ka pësuar rritje dhe bashkë me peshkimin mbeten, gjithashtu, drejtime të rëndësishme për ekonominë e zonës. Megjithatë, vendasit, Orikumi, por dhe Dukati, Tragjasi dhe Radhima, duhet të kuptojnë se kujdesi në bujqësi ka rëndësi si për sigurimin e produkteve për plotësimin e nevojave vetjake dhe për turistët; por është po aq e rëndësishme ripërtëritja e arkitekturës së peizazhit bujqësor, që zona të jetë sa më tërheqëse dhe çlodhëse për syrin.

Zona ka shumë natyrë, duke filluar nga deti blu me bregdet zallor të kombinuar me atë shkëmbor, me një kurorë kodrinore e malore përreth që lartësohet deri në mbi 2000 m në majën e Çikës; ka ujëra të ëmbla (burime dhe lumenj), të kripura (në detet Adriatik dhe Jon, gjire dhe det të hapur) dhe të njelmëta (lagunë, kënetë), ka gadishull dhe ishull. Kjo bën të ketë një florë dhe faunë të pasur, si nënujore dhe tokësore, me shumë lloje të rralla dhe të kërcënuara, por edhe me rëndësi ekonomike po qe se flasim për bimët aromatike-mjekësore apo për peshqit, dy sektorë këta të zhvilluar në zonë.

Kjo bën që një pjesë e mirë e hapësirës të jetë e mbrojtur, me dy parqe kombëtare, një tokësor, PK i Llogorasë (10.2 km2), dhe një detar, PKD i Karaburun-Sazanit (126 km2). Të dy këta parqe bashkohen nga rezerva natyrore e menaxhuar e Rrëzë-Karaburunit (200 km2); brenda gjithë zonës shtrihen shumë monumente natyrore (bio-, gjeo- dhe hidromonumente). Më shumë për këto vlera lexuesi i interesuar mund t’i gjejë në ekoguidën e botuar prej nesh në faqen e FShN, UT (http://www.fshn.edu.al/home/publikime-shkencore).

Por zona ka edhe shumë vlera arekologjike dhe historike, duke filluar nga rrënojat ende të pa zbuluara mirë të Orikut të lashtë (që datojnë deri në shekullin V p.e.s.), dhe ngjitur me të Baza detare që ka shërbyer si e tillë në gjithë qytetërimet, si në periudhën romake, atë osmane (emri sot Pashaliman), atë të Traktatit të Varshavës, të periudhës kineze, e deri sot në pëbërje të NATO-s. Në rrethina gjenden kisha të vjetra, kala dhe të tjera gjurmë të historisë së lashtë të një populli me tradita luftarake dhe atdhedashëse. Zona dallohet nga një folkor i pasur, me veshje, këngë dhe valle, si dhe nga një mikpritje e veçantë. Të gjitha këto janë pasuri për një turizëm të larmishëm dhe të shtrirë në të katër stinët.

Sipas INSTAT Orikumi ka rreth 11,000 banorë, por unë mendoj se ky numër është shumë më pak gjatë një pjese të mirë të vitit, pasi një pjesë e mirë e banorëve janë emigrantë në Itali, Greqi e gjetkë, ose me punë në Tiranë. Ky numër shumëfishohet në verë dhe – në mos qofsha i gabuar – ndoshta e gjithë zona shkon deri në 30,000 banorë. Shumica janë emigrantë vendas që kthehen në verë për të takuar të afërmit dhe për t’u çmallur me vendlindjen, pse jo edhe për të pushuar pas një viti me siguri të lodhshëm në kurbet; ndonjë nga të rinjtë përfiton nga rasti edhe për të vendosur kurorë; Orikumi në muajin gusht gëlon nga dasmat.

Natyrisht, një pjesë e çlodhjes së emigrantëve është edhe deti pranë. Ata kanë ndrequr shtëpitë e dikurshme duke i bërë ato të përshtatshme për pushimet e verës. Pjesa tjetër e pushuesve, jemi ne që punojmë në Tiranë ose gjetkë dhe mblidhemi në Orikum për pushime, në shtëpitë tona të trashëguara apo të blera rishtas. Pushues të tjerë janë shqiptarë vendas ose nga diaspora, por dhe të huaj që vijnë me qera në Orikum ose në hotelet e ndërtuara enkas përgjatë gjithë bregdetit deri në Vlorë (nga pak ditë deri në 2 javë). Këtë verë kam hasur targa makinash deri edhe nga Polonia dhe Lituania. Orikumi ka edhe një port të vogël jahtesh që sjell gjithashtu turistë vendas apo të huaj. I gjithë ky popullim në stinën e verës është ndoshta pasuria më e madhe ekonomike e kësaj zone.

Gjithë këto vlera të përmendura lart janë aty dhe janë të shfrytëzueshme, por deri sot vetëm pjesërisht, gjatë verës. Nga fundi i korrikut deri në mesin e gushtit, zona është plot jetë, ku është vështirë të lëvizësh me makinë, vështirë për parkim; po shkove me vonesë në plazh, vështirë të gjesh çadër, vështirë të gjesh vend për t’u ulur për të pirë një freskuese, të gjitha dyqanet janë plot me klientë, madje duhet të bësh radhë edhe për të blerë një misër të pjekur anës rrugës!

Pas kësaj periudhe, bashkë me dallëndyshet shtegtojnë edhe pushuesit, dhe rikthehet sërish qetësia për banorët vendas. Pas kësaj periudhe mund të parkosh dhe të ulesh ku të duash. Në 28 nëntor para dy vitesh, kemi darkuar me mish të pjekur, vetë i dytë bashkë me gruan, të vetëm nën një dritë qiriri, në një nga restorantet e Radhimës, shumë të zhurmshme në verë! Ishte shumë romantike, por dhe e trishtë njëkohësisht, po qe se kemi parasysh zhvillimin e qëndrueshëm të zonës!

Unë nuk jam lindur në Orikum, por me të më lidh një periudhë mbi 50 vjeçare. Aty kam mbaruar shkollën 8-vjeçare. Kam punuar si i ri gjatë verës, në praktikë apo në stazh thuajse në gjithë ndërmarrjet e dikurshme, NBU, NB Rinia, Bonifikim, Dolomit, deri dhe në Uzinën ushtarake. Trashëgova nga prindërit një apartament dhe për këtë nuk e kam zëvendësuar Orikumin për pushimet e verës me asnjë vend tjetër.

Mund të rrëfej për lexuesin se si flihet në Orikum nuk flihet gjetkë! Është kënaqësi të zgjohesh në mëngjes nga cicërimat e zhurmshme të dallëndysheve (Hirundo rustica) që në gjithë zonën janë të bollshme. Në Orikum njihem mirë me vendasit dhe ndihem si në vendlindje. Kjo është edhe shtysa për të shkruar këto komente menjëherë pas kthimit nga pushimet, me bindjen se Orikumi meriton më shumë vëmendje, dhe i ka të gjitha mundësitë të jetë një model i turizmit në Shqipëri, gjithëvjetor, në gjithë larminë turistike të mundshme.

 Uji është jetë!

Pa ujë nuk ka jetë! Ky është një postulat i dijes që ne ua mësojmë studentëve të biologjisë qysh herët. Në fiziologjinë bimore i kushtojmë ujit dhe regjimit ujor një kapitull të tërë. As që bëhet fjalë që uji për njeriun ka shumë rëndësi jetike! Kudo ku vendoset njeriu e para gjë që siguron është uji. Në vitet 1990-të, thuajse i gjithë vendi trashëgoi furnizim me ujë të pijshëm të ndërprerë. Nga ana tjetër, menjëherë filloi riparimi i banesave, duke filluar nga banja dhe këndi i gatimit.

Për të siguruar ujë 24 orë secili vendosi në tarracë një fuçi, pak a shumë të madhe, duke filluar nga 500 l e sipër. Me ujin e fuçisë, ne përdoruesit plotësojmë të gjitha nevojat për higjenën personale, larje dhëmbësh, fytyre dhe trupi, larje-shplarje rrobesh, të gjitha larje-shplarjet në këndin e kuzhinës; shumica edhe gatuajmë me atë ujë, dhe kush është ‘hollë’ nga ekonomia e përdor atë edhe për të pirë.

Për ta sjellë në trendin e kohës, këto fuçi u emërtuan depozita ose bolierë të huazuara nga italishtja. Unë këtu do të përdor termin shqip ‘fuçi’ për t’i dhënë më shumë theksin kësaj çështje, dhe kursyer ca gërma në shkrimin tim të gjatë. Një sistem të tillë furnizimi me fuçi bota e qytetëruar e ka braktisur me shekuj si të dëmshëm dhe shpërdorues. Atë e gjejmë sot vetëm në filma ku tregohen vendbanime të Perëndimit të Largët.

Kurse te ne, edhe sot e kësaj dite gjithë ndërtimet në vend bëjnë ç’është e mundur që të vendosin një sistem fuçish për të siguruar ujin, i cili vazhdon të vijë me ndërprerje, kjo duke filluar nga Tirana. Vetëm se në pallatet e reja ka një farë përmirësimi pasi sistemi është i përbashkët për secilin pallat, me një motopompë dhe një sistem fuçish të përbashkëta. Duket se vetëm qyteti i Korçës ka mundur të bëjë ndryshimin, duke siguruar ujë për 24 orë pa fuçi, falë kjo vullnetit të mirë dhe mbështetjes së qeverisjes vendore.

Fuçia me ujë, një herë e vendosur sipër në tarracën e pallatit, pak është më pas nën kujdesin e përdoruesit. Në ca raste fuçia mund të jetë e mbyllur automatikisht, por në shumë raste është jo e mbyllur hermetikisht, duke bërë të rrjedhë ujë mbi tarracë, herë në mënyrë të dukshme dhe herë jo; pra në këtë mënyrë të shpërdorojë ujë kur vjen nga rrjeti i ujësjellësit, por edhe duke u vetëndotur nga atmosfera përreth.

Për ata të kateve të fundit, fuçia në tarracë duhet të ketë një farë lartësie për të pasur presionin e duhur të shtyjë ujin e ngrohtë të fuçive ngrohëse të dusheve që secili prej nesh ka brenda në banjë; kjo bën që për këtë fuçitë në tarracë të vendosen disi më lart se të tjerat, duke krijuar një peizazh tepër të veçantë, origjinal, në tarracat e pallateve tona, edhe aspak tërheqës.

Në varësi të lartësisë, fuçia mund të mbushet vetë nga presioni i rrjetit; por, ka plot raste kur secili duhet të sigurojë një pompë personale për të shtyrë ujin nga poshtë deri në fuçinë e tij sipër në tarracë. Në rastin tonë në Orikum, për ne të katit të parë mundet që fuçia të vetëmbushet sot me presionin e rrjetit. Kurse ata të katit të dytë e më sipër kanë nevojë për ta shtyrë ujin nga rrjeti me ndihmën e një pompe të vogël. Në këtë mënyrë, çdo mëngjes apo pasdite kur vjen uji në Orikum, korit të cicërimave të dallëndysheve të palodhura që ushqejnë të vegjlit në pullazet e pallateve u shtohet edhe kori i çjerrë i motopompave; ka prej banorëve, që për të plotësuar nevojat me ujë gjatë periudhës së mbingarkuar të gushtit, pompat i vendosin në punë edhe kur nuk ka ujë në rrjet, për të thithur drejt fuçive të tyre edhe ato pak kullesa brenda rrjetit të përbashkët.

Edhe pse nuk jam i kësaj fushe, e shpjegova gjithë këtë ‘inxhinieri’ popullore hidroteknike që ne kemi vënë në zbatim, për të treguar se si është zgjidhur dhe mbahet në funksion sigurimi i pandërprerë i ujit të pijshëm në familjet shqiptare apo gjithë shërbimet e tjera. Aq shumë është harxhuar në gjithë vendin në këta vite tranzicion për fuçitë në tarracat e pallateve, pompat dhe gjithë shtojcat përkatëse të tyre, sa po t’i kishim mbledhur bashkë ato lekë do t’i kishim ndërtuar ujësjellësit disa herë në mbarë vendin.

Para viteve 1990-të në Orikum uji vinte tri herë në ditë me sasi relativisht të bollshme. Në atë periudhë as që bëhej fjalë për fuçi në tarracë, pasi nuk ishte e lejuar! Pas viteve 1990-të qyteti u zgjerua shumë me ndërtime, dhe nga sa duket ende është në fuqi sistemi i dikurshëm, vetëm se sjell ujë 2 herë në ditë dhe në një kohë më të kufizuar se dikur për shkak të zgjerimit të ndërtimeve. Sasia e ujit që konsumohet ende nuk matet dhe ende paguhet në mënyrë të përafërt për frymë. Kjo duket se nuk përbën problem për banorët vendas që në të shumtën e vitit nuk janë të shumtë në numër. Por kur konsumi shumëfishohet gjatë muajit gusht, çështja ‘ujë’ bëhet me të vërtetë shqetësim. Atë ditë që nuk na mbushet fuçia ne ndihemi të shqetësuar pasi nga kjo varet plotësimi i nevojave të ditës. Ky shqetësim bartet prej disa vitesh, dhe është gjithnjë në përkeqësim! Po aq shqetësim është edhe gjetja e gjuhës së përbashkët në pallatin ku jetoj në Tiranë në rastet kur ky sistem dëmtohet dhe duhet rregulluar!

E njëjta gjendje është thuajse në gjithë vendin, përfshirë dhe Tiranën. Por Tirana është qytet i madh, tepër i shtrirë, me ndërtime që nuk kanë të sosur edhe sot e kësaj dite, dhe zgjidhja kërkon jo vetëm vullnet të madh, por edhe shumë punë e shumë para. Kurse për Orikumin më thonë se ujësjellësi i ri, i filluar që në qeverinë Berisha, është ndërtuar pjesërisht, dhe është në pritje që investimi të vazhdojë deri në fund. Kujdes!

Kur sisteme të tilla lihen në mes, pa u vënë në punë, ato dëmtohen më shpejt (nga amortizimi, thonë specialistët)! Por, kjo do të thotë që ekzistojnë edhe sot mundësitë në Orikum që të paktën të shtojnë sasinë e ujit në periudhën e konsumit maksimal (gjatë muajit gusht) për të plotësuar më mirë nevojat po me këtë sistem, pavarësisht nga të metat që bart. Natyrisht, me vullnet të mirë dhe përpjekje, Orikumi i ka të gjitha mundësitë të ketë një Ujësjellës të rregullt, hermetik, me furnizim 24 orë, pa fuçi në tarracë.

 Pse sistemi me fuçi në tarracë duhet braktisur një orë e më parë?

Një herë të vendosura në tarracën e pallateve, fuçitë rrinë aty në diell e në shi, dhe ne kujtohemi për to vetëm kur ka ndonjë dëmtim të rëndë. Por krahas shpërdorimit të ujit, nga ana higjenike ky ujë nuk është në cilësinë e duhur. Cilësia brenda e fuçive, pastrimi dhe desinfektimi i tyre bëhet rrallë, ose thuajse asnjëherë. Në një sistem me ndërprerje të ujit me orë të tëra, nuk ka vetëm shpërdorime (rrjedhje jashtë) nga tubacione që mund të jenë të dëmtuara nën tokë; por kur uji mungon, brenda tubacioneve krijohet vakuum i thellë që tërheq brenda ujin nga toka në vatrat e shpuara.

Kur uji vjen sërish në rrjet, kjo ndotje, shpesh e pa dukshme, shkon dhe mblidhet menjëherë brenda fuçive në tarracë. Brenda tyre flora bakteriale ka të gjithë kohën e duhur për t’u shumuar. Këtë gjë e dinë edhe ndërmarrjet e ujësjellësave, dhe e kontrollojnë duke rregulluar sasinë e klorit në ujë. Natyrisht, ne jemi mësuar me këtë sistem, duket se edhe organizmi ynë është imunizuar si i thonë! Vajtëm shumë vjet që e kemi në përdorim, dhe duket se jemi të kënaqur që kemi ujë! Por nga përvoja me të huaj, apo me emigrantë shqiptarë, një nga shqetësimet e verës janë heqjet e barkut! Këtë specialistët e shëndetit publik duhet ta dinë më mirë. Por edhe më të dëmshme janë pasojat e heshtura nga mbetjet e lira të klorit në ujë, apo të ndotësve të tjerë të pa kontrolluar.

Mua më duket se edhe qeveritë vendore kanë rënë rehat me këtë sistem, për sa kohë nuk e shoh në përparsitë e premtimeve ‘lumë’ në fushatat zgjedhore. Megjithatë, dua t’i kujtoj politikës shqiptare dhe vendimmarrjes se në shoqërinë tonë të këtyre viteve janë shtuar shumë sëmundje të frikshme, si ato mendore, alergjitë, dhe të tjera kurrë të dëgjuara më parë, si autismi, alsajmeri etj. Të gjitha këto janë shqetësim i madh dhe barrë e rëndë për individin dhe gjithë shoqërinë. Ndoshta shkaqet janë nga më të ndryshmet, por uji mbetet gjithmonë i lidhur ngushtë me funksionin normal të organizmit tonë …

Këtë muaj Kryemistri Rama disa herë ka ndarë me miqtë në FB shkrime pozitive të gazetarëve të huaj për ‘parajsën turistike shqiptare’! Mirë bën që është krenar për këtë! Të gjithëve na bëhet shumë qejfi kur dëgjojmë fjalë të mira nga të huajt. Dhe është e vërtetë që të huajt kënaqen kur vijnë në Shqipëri, por me bukuritë, me pasurinë kulturore, historike, etnografike etj., por dhe me mikpritjen tonë! Por sikur gazetarit të huaj t’i thuash se ‘sallata që hëngërt në drekë ishte larë me ujë fuçie’, atij do t’i kalojë një drithërimë brenda vetes dhe me mendje do bëjë kryq; them ‘me mendje’ se të huajt tregohen shumë të kujdesshëm të mos lëndojnë mikpritjen që gjejnë mes nesh, të cilën rrallë e gjen gjetkë.

Ujërat e zeza në sipërfaqe nuk pajtohen me turizmin

Kur hyn në Orikum nga dritarja e hapur e makinës ndien një erë të lehtë të pakëndshme me VOC (volatile organic compounds – lëndë organike flutrore), nga e cila menjëherë kuptohet se diku pranë ujërat e zeza dalin në sipërfaqe; kjo erë e keqe të shoqëron gjithmonë gjatë qëndrimit në këtë qytet, madje gjatë natës depërton deri brenda shtëpive kur dritaret janë të hapura. Është po ajo erë e keqe të dashur miq që në Tiranë e ndiejmë sa herë kalojmë mbi Lanë. Kjo erë në Orikum shkaktohet ngaqë ujërat e zeza të qytetit mbeten ende të padisiplinuara. Si thamë më sipër, qyteti është shtuar shumë me ndërtime që vazhdojnë edhe sot; popullsia e qytetit shtohet dukshëm në periudhën e verës, shto këtu edhe temperaturat e larta të stinës, duke rënduar më tepër gjendjen.

Qysh në qeverinë Berisha filloi ndërtimi i kolektorëve për gjithë zonën, duke përfshirë edhe bregdetin e Radhimës. Madje ka përfunduar edhe Impianti i trajtimit. Por edhe ky sistem, ashtu si edhe ujësjellësi, nuk është vënë ende në punë. Kësisoj, ujërat e zeza mblidhen brenda qytetit në kolektorë nëntokësorë, ndoshta të rregullt, dhe në mungesë të një kolektori përfundimtar, ato shkarkohen dukshëm, apo në mënyrë të fshehur në një kanal kullues që ndan qytetin nga ish-këneta e dikurshme.

Ky është një kanal që ‘kullues’ ka vetëm emrin, sepse ka vite që është mbushur me bimësi, por dhe me inerte të tjera të hedhura pa kujdes nga banorët. Megjithatë, ujërat e shkarkuara fillojnë shpërbërjen e ngadaltë në të, vetëpastrohen deri duku nga bimësia, duke lëshuar gjithë erën e pakëndshme në atmosferë, dhe me hir apo pahir gjejnë rrugën për në detin pranë. Kjo bën që të ndikohet negativisht jo vetëm zona e banuar, por edhe uji i detit, me pasoja në cilësinë e përdorimit për larje. Qoftë nga studimet, por edhe me sy të lirë mund të pohoj se cilësia biologjike e ujërave bregdetare ka rënë gjatë kësaj periudhe; eutrofia e tyre është shtuar, ujërat nuk e kanë më atë kthjelltësinë e dikurshme, me pasoja kjo si në shëndetin e njeriut dhe të botës së gjallë nënujore.

Të gjitha së bashku bëjnë që Orikumi të humbasë shumë nga vlerat turistike të lartpërmendura. Po kjo gjendje duket se është edhe në shumë qytete të tjera të vendit. Lumenjtë e Tiranës dhe të Lanës janë kolektorë të hapur të ujërave të zeza, që rrjedhin të lirë në mes të ditës dhe nën hundën e vendimmarrjes në Kryeqytet. Vetëm në pak zona të vendit ka filluar që ujërat të mblidhen dhe përpunohen si në Pogradec, Durrës etj. Kjo është shumë e mundshme edhe për Orikumin, pasi sistemi i grumbullimit dhe Impianti përkatës janë gati. Qeveria vendore duhet të tregojë kujdes sepse qëndrimi jashtë shërbimit është më keq për një impiant! Gjithashtu, duhet pasur parasysh se është e lehtë të ndërtohen impiante të tilla përpunimi, por mirëmbajtja dhe përpunimi në vazhdimësi ka kosto, e cila duhet parashikuar dhe mbështetur gjithmonë.

 

Turizmi kalon nëpërmjet stomakut

Në zonë shumë hyrje të mobiluara mirë jepen me qera, po ashtu dhe shumë hotele ofrojnë dhoma të rehatshme. Janë ndërtuar shumë restorante dhe shërbime të tjera në funksion të pushuesve. Nuk mund të them se jam i pakënaquar nga gjithë ky progres; shërbimi është shumë i mirë, i pastër dhe i shijshëm; por gjithsesi unë mendoj se ende është larg asaj që kërkon turizmi i qëndrueshëm, i mbështetur në traditën, në larminë tonë ushqimore mjaft të pasur, por edhe me çmim sa më të arsyeshëm.

Konkretisht, menuja kryesore që ofrojnë shumë restorante jo vetëm në zonën e Orikumit, por thuajse në gjithë Rivierën jonike dhe më gjerë është: mish i pjekur (qengji apo keci), pulë, peshk, e shartuar kjo menu me receta te marra hua nga kuzhina italiane: rizoto, spageti deri te pica. Kuptohet se këto të fundit janë gatime ‘alla shqiptarçe’; ato janë të shijshme, por vështirë të jenë në nivelin e kuzhinës italiane.

Kjo listë gatimesh mua personalisht më shijon, por e parë lidhur me mundësinë dhe kërkesat e kohës sot, kjo menu është tepër e varfër. Në traditën tonë ne me të vërtetë na pëlqen të hamë mish apo pulë të pjekur, edhe peshk në zgarë, por këto me raste, në një fundjavë, në një festë familjare, në një takim me miqtë dhe në ngjarje të tjera të rëndësishme. Por të ulesh si pushues dhe të konsumosh përditë një ushqim të tillë është jo shumë e pranueshme.

Cila është arsyeja? Në listën e gatimeve thuajse të gjitha këto restorante kanë lënë jashtë gjithë zarzavatet tona: qepën, hudhrën, preshin, bamjen, patëllxhanin, kungullin, domaten, specin, spinaqin, fasulen, thjerrëzën, mashurkën, pataten dhe shumë erëza. Këto dhe vaji i ullirit janë ana e fortë e kuzhinës sonë, ashtu si për gjithë kuzhinën mesdhetare, kombinuar dhe me kuzhinën orientale; kjo kuzhinë është jo vetëm e thjeshtë, por edhe shumë e shëndetshme, të cilën na e kanë zili të gjithë. Ashtu si jemi të pasur me biodiversitet, me histori dhe kulturë, ne jemi të pasur edhe me kuzhinën tonë.

Kujt nuk do t’i pëlqente të gjente në restorant bashkë me mishin e pjekur edhe tasqebapin, çomlekun, byrekun apo lakrorin, musakanë, patëllxhanet, kungujt apo specat e mbushura të furrës, turlinë, eskallopin, frikasenë, pastiçon, rosnicat dhe tavën e kosit etj. etj. Me dhimbje konstatoj se shumë nga kuzhinierët e sotëm kanë harruar të gatuajnë gjellët tona tradicionale! Me bindje them se shumë nga ata nuk njohin se çfarë është taratori, qifqia, lakrori, shapkati apo qullashi, flia etj. Dua t’ju them këtyre kuzhinierëve të shkojnë për vizitë dhe të shohin menunë e restoranteve tek P. Lala në Konjat të Lushnjës, apo tek K. Plaku në Kala të Beratit. Respekte të gjithë këtyre kuzhinierëve që ruajnë dhe pasurojnë traditën!

Me këto komente nuk dua të lëndoj sedrën e shefave të këtyre restoranteve. E di që ndonjëri mund të thotë me krenari: – Ju më këshilloni që unë të kthej lokalin tim elitar në një gjelltore?! – Po mor zotëri, vetë fjala anglosaksone ‘restaurant’ në shqip do të thotë ‘gjelltore’. Dhe një ‘restaurant’ në Francë gatuan gjellë sipas traditës franceze, në Itali sipas traditës italiane, dhe në Shqipëri sipas traditës sonë shqiptare. Ju duhet të kuptoni se një pushues që vjen në zonë për 10 ditë, i duhet të konsumojë 10 x 3 = 30 vakte të paktën; nuk mund që këtë ta bëjë vetëm me mish, pulë të pjekur apo me peshk zgare. Një racion mish i pjekur shkon nga 300 deri në 500 gram. Kjo është shumë për dietën normale të një njeriu; 500 gram janë sasia e mishit që njeriu duhet të konsumojë për një javë. Normalisht vështirë që secili prej nesh të pranojë me kënaqësi të konsumojë mish të pjekur përditë gjatë pushimeve. Dieta e mbështetur vetëm në mish nuk është më e mira për shëndetin. Pastaj po të mendosh për dikë që ka dobësi për botën shtazore, sa keq ndihet kur sheh të varur gjithandej shkrimet: ‘Mish i pjekur në hell’, ‘Pulë në saç’, ‘Peshk në zgarë’, apo kur i sheh nga afër ato kafshë të masakruara.

Por krahas përmbajtjes, ka dhe një arsye madhore që e bën të vështirë ‘tretjen’ e kësaj menuje mbështetur te mishi i pjekur, dhe më shumë akoma tek peshku dhe frutat e detit; ajo është kostoja! Në fakt po u ule vetë i katërt në një lokal të tillë, të ikën 5000 lekshi duke ‘kërcyer’; kjo nuk është shumë për një turist, qoftë edhe për një emigrant vendas që vjen nga perëndimi; ajo mund t’u kushtojë atyre mesatarisht rreth 2-3 orë punë në pagën e tyre, kurse për ne ‘turistët’ vendas një e ngrënë e tillë mund të kërkojë nga 3 ditë dhe më shumë, pa folur më tej për pensionistët, studentë e të tjera shtresa të varfra të shoqërisë tonë. Për hir të së vërtetës, për ne ‘turistët’ vendas pushimet në Rivierën tonë, përfshirë dhe zonën e Orikumit janë të mrekullueshme në shumë aspekte, por edhe shumë ‘të kripura’ përsa i përket kostos.

Turizmi kërkon paketa joshëse fjetje-ushqim

Para disa vitesh, me kolegë të rinj të fakultetit ishim për një javë në një aktivitet në Cavtat, afër Dubrovnikut, Kroaci. Ishte muaji maj dhe hoteli ishte plot me turistë. Në hotel na vendosën një shirit në puls për të na njohur për tipin e dietës që kishim paguar dhe ishim të lirë në ushqim për të gjitha vaktet, përfshirë edhe konsumin tek bari (kafe, pije etj.), si dhe në gjithë veprimtaritë e ndryshme. Këtë e dinë shumë shqiptarë, dhe ka vite që janë të shumtë ata që zgjedhin të shkojnë në vendet fqinje për të kaluar pushimet.

Ka miq që më thonë se është shumë më mirë dhe më lirë në Korfuz se në Sarandë! Ka ardhur koha që edhe hotelet tona të mendojnë për paketa një- apo dy-javore, ku të parashikojnë jo vetëm mbulimin e hotelit, por gjithçka, me të ngrënë e të pirë, me çadrën në plazh, me parkimin, por dhe me vizitat në vendet arkeologjike, historike, vendet piktoreske, dhe ndonjë veprimtari tjetër çlodhëse. Të jesh pushues diku në bregdet sot është shumë stres, që nga blerjet, njohja me pazarin, njohja me këndin e gatimit, larje-shplarjet, po ashtu sorollatjet për vaktet në restorant etj. etj. Një paketë e plotë do rriste prurjet me pushues edhe në një periudhë kohe më të shtrirë të vitit, natyrisht kur ajo është joshëse nga përmbajtja , e organizuar mirë, dhe me çmim të arsyeshëm. Ndër të tjera, këtu ka shumë rëndësi ushqimi i mbështetur në kuzhinën tradicionale.

Po këto paketa duhen ofruar dhe nga familjet vendase që japin shtëpi me qera. Këto nuk janë të pakta sot në Orikum. Ka 5 vjet që në Orikum organizohet panairi për nxitjen e turizmit familjar, ku amvisat sjellin në të gatime tradicionale (https://www.youtube.com/watch?v=H6r2_IzkA7I); njëra gjellë është më e mirë se tjetra! Ja i bënë panairet, po pastaj? Njësia administrative e Orikumit duhet ta nxitë konkretisht turizmin familjar; gratë duhet të përveshin mëngët dhe të vendosin futën për të gatuar gjatë verës për pushuesit që i pranojnë me qera në shtëpitë e tyre. Pra këto familje duhet të ofrojnë paketa të plota fjetje-ushqim, mbështetur në po atë frymë të treguar në panair. Për vitin e gjashtë do t’u këshilloja organizatorëve t’i çojnë këto gra në ekskursion dhe të shohin atë që ofron D. Dragu në Lëpushë të Vermoshit, apo M. Marku në Theth, bashkë me familjet e tyre. Respekte, edhe këtyre dallëndysheve të turizmit familiar, të cilët bëjnë të mundur jo vetëm të flesh në bujtinat e tyre të rehatshme dhe mjaft të pastra, por dhe të gatuajnë sipas traditës, apo të shoqërojnë në ekskursion në zonë. Më besoni së në disa raste të tilla, bashkë me kolegë të tjerë vendas dhe të huaj na ka shijuar çdo gjë më shumë se mishi i pjekur në hell! Dhe e gjitha me një çmim shumë më të arsyeshëm se ato që ofrojnë sot banorët vendas, si dhe hotelet apo restorantet në bregdetin tonë!

 Këshillime për vendimmarrjen dhe pushtetin

Shkruajta gjatë vetëm sepse nuk kisha kohë për të shkruar shkurt, ka thënë një shkencëtar francez i shekullit XVII. Unë nuk pretendoj aspak të jem në lartësinë e Paskalit të dëgjuar, por i trajtova gjatë çështjet më sipër, pasi shkurt ato fshihen, nuk dalin qartë! E vërteta fshihet dhe ne vazhojmë të ecim me mangësitë tona duke i bartur ato heshtur në vite. Shpesh shoh të kujdesemi më shumë për ‘dekorin’ në jetën tonë dhe jo shumë të përballemi me nevojat tona jetike, siç është uji dhe ushqimi. Të kuptohemi, edhe ‘dekori’ ka rëndësinë e vet; kur është i bukur, ai është çlodhës dhe tërheqës edhe për turizmin. Por gjithmonë përparësi duhet të ketë zgjidhja e kërkesave të tilla jetike. Kjo kërkon më shumë vullnet, më shumë mirëkuptim mes palëve të interesuara, më shumë përpjekje fizike, dhe natyrisht më shumë mbështetje ekonomike. Orikumi i ka të gjitha mundësitë t’i përmbushë ato.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com