Lufta Italo – greke, po shkonte drejt përfundimit.
Ushtria italiane po shkonte drejt disfatës.
Në muajin dhjetor të vitit 1940 e në janar të vitit 1941, ushtria italiane nisi tërheqjen nga fronti grek i luftës.
Tërheqja e të plagosurve ishte edhe vështirësia më e madhe, për shkak të terrenit të thyer e malor.
Një ndër pikat që u caktua për grumbullimin dhe sistemimin provizor të të plagosurve ishte fshati Radhimë dhe zona përreth, ku ndodheshin disa reparte ushtarake italiane.
Përditë, në spitalin fushor, vinin me dhjetëra të plagosur, që në shumicën e rasteve, transportoheshin me kafshë.
Të mundur, të lodhur e të sakatosur nga lufta, për të ngritur lart moralin e ushtrisë, spitalin fushor e vizitoi në mars të vitit 1941, edhe vetë udhëheqësi fashist, Musolini.
Po në këtë muaj të këtij viti, në gjirin e Vlorës, u ankorua një anije-spital, e cila do t’i transportonte të plagosurit për në Itali.
Anija-spital me emrin “PO”, u afrua gati 1 milje nga bregdeti i Radhimës, dhe nisi transportimi i të plagosurve, nga bregu për në anije, me ndihmën e varkave.
Por ndërsa vazhdonte imbarkimi i të plagosurve, në qiell u dukën avionët bombardues anglez, të cilët qëlluan për të shkatërruar anijen-spital.
Luftimi midis avionëve anglez nga ajri, dhe i kundërajrorëve të luftë-anijeve italiane në det, ndodhi më 14 mars të vitit 1941.
Megjithë mbrojtjen që luftë-anijet italiane në gjirin e Vlorës i bënë anijes spital, një silur e goditi këtë të fundit dhe ajo nisi të mbytej.
“Luciano” dhe “Stampalia”, ishin emrat e luftë-anijeve italiane, ku njëra prej tyre mundi të afrohej në breg të Radhimës, në një mol të vogël, ku edhe u mbyt, ndërsa tjetra u mbyt në afërsi të Pashalimanit.
Në det, ranë dhe u mbytën edhe dy avionë luftarakë anglez.
Pas këtij sulmi, i cili nuk zgjati shumë, filloi largimi i të gjithë njerëzve nga anija spital, e cila kishte nisur të fundosej.
Në bregun e detit arritën të dalin me not, dërrasa, fuçi e bidona, shumë italianë që ndodheshin në anijen spital.
Në momentin e mbytjes, në bordin e anijes “PO”, ndodheshin 597 vetë, ndër të cilët edhe vajza e Musolinit, me emrin Eda, e cila ishte me detyrën humanitare si personel mjekësor.
U mbytën 23 vetë, midis të cilëve, tre femra infermiere.